Importi i makinave, dokumentet që ju duhen
Aktualitet e Enjte, Gusht 25th, 2011 Çdo qytetar që kërkon të importojë një makinë nga jashtë, tashmë pranë doganës do të duhet të paraqesë vetëm dy dokumente dhe të bëjë pagesën e TVSH-së.Formula që zbatohej më herët për importin e makinave të përdorura dhe që rriste detyrimet që duheshin paguar, tashmë është shfuqizuar dhe ligji i ri zeron këtë pjesë të detyrimit.Dokumentet
Për të importuar një makinë, çdo i interesuar duhet të paraqesë pranë doganës aktin noterial të kalimit të pronësisë për automjetin. Përmes këtij akti vërtetohet që tashmë i interesuari apo blerësi ka bërë transaksionin përkatës ndaj shitësit apo ish-pronarit të makinës dhe është pronar i automjetit. Sakaq, përcaktohet edhe vlera me të cilin automjeti është blerë. Dokumenti i dytë që duhet të paraqitet është ai i treguesve tekniko-fizikë të makinës, e cila është gjithashtu e detyrueshme. Pasi të paraqiten këto dy dokumente, qytetari duhet të bëjë vetëm pagesën e TVSH-së, që është në nivelin 20 për qind të vlerës së makinës së përdorur që do të hyjë në vend. Lehtësimi i procedurave dhe heqja e taksës që tatonte makinat e përdorura në import pritet që t’i japë një tjetër hov importit të makinave në vendin tonë, duke qenë se vlera e vetme që do paguhet do të jetë 20 përqindëshi i TVSH-së. Por, në këtë pikë do të ketë një procedurë verifikimi, sa i përket vlerës që deklarohet për blerjen e automjetit që është importuar.
Referencat
Jo çdo vlerë që deklarohet në doganë për blerjen e një automjeti do të merret e mirëqenë. Kështu, sipas drejtorit të Drejtorisë së Tarifës, Origjinës, Akcizës dhe TVSH-së pranë Doganave, Sajmir Laçej, do të kihet parasysh që të shmangen abuzimet duke iu referuar buletinit që Doganat botojnë çdo tre muaj për vlerën e mallit, në këtë rast të makinave, referuar këtu edhe viteve të prodhimit. Për shembull, në rast se dikush importon një makinë në vlerën 1000 euro, ai llogarit që do të paguajë 200 euro TVSH. Për makinën e importuar, Doganat në buletinin e tyre mund të kenë një çmim referent 1500 euro. Në këtë rast, qytetari do të paguajë si TVSH 20 përqindëshin e 1500 eurove pra 300 euro. Për rastet kur çmimi referent është 900 euro, qytetari do të paguajë TVSH-në për vlerën që ka deklaruar dhe jo 180 euro.
Doganat
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dha dje një sqarim lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit që heq taksën e makinave të përdorura në import, por jo TVSH-në. “Që nga dita e sotme, në të gjitha degët doganore qoftë ato kufitare, apo doganat e brendshme është e mundur që të depozitohet deklarimi dhe detyrimet e importit përfshijnë vetëm TVSH-në. Detyrimi i TVSH-së është 20 për qind dhe llogaritet mbi vlerën e mallit që deklarohet në doganë në bazë të viteve të përdorimit”, sqaroi drejtori Sajmir Laçej.
Ai shpjegoi se gjatë ditës së djeshme, që ishte edhe dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit, ishte bërë testimi i sistemit për të parë funksionimin. “Sot jemi marrë me testimin e sistemit që ka funksionuar normalisht dhe mund t’ju konfirmoj që çdo gjë ecën normalisht dhe të gjithë deklaruesit mund të procedojnë në të gjitha pikat doganore”, tha ai.
Dokumentet
• Akti noterial i pronësisë
Vërtetohet që blerësi ka bërë transaksionin përkatës ndaj shitësit apo ish-pronarit të makinës dhe është pronari i ri i automjetit. Përcaktohet edhe vlera me të cilin automjeti është blerë.
• Treguesit tekniko-fizikë të automjetit
Vërtetohet gjendja fizike dhe teknike e mirëfunksionimit dhe standardeve të makinës, e cila do të hyjë në territorin shqiptar.
Efektet financiare
Efektet financiare të ligjit që shfuqizoi taksimin e makinave të përdorura në import, përveç TVSH-së, i heq një masë të madhe të ardhurash Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila tashmë do të mbledhë vetëm 20 përqindëshin e vlerës së automjetit. Ndërkaq, taksa e mëparshme është ristrukturuar në një taksë të re vjetore, e cila llogaritet në bazë të formulës që shumëzon cilindratën e makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit. Këto të ardhura tashmë nuk do i shkojnë më Doganave, por një zëri tjetër në mbledhjen e të ardhurave fiskale.
“Të diskriminuarit”, qytetarët që nuk mund të përfitojnë
Kontingjenti i atyre që importoi një makinë nga janari i këtij viti dhe deri në datë 23 gusht janë totalisht të diskriminuar nga ligjet që kanë hyrë në fuqi tashmë. E themi këtë, pasi falë ligjit të amnistisë fiskale gjithë kontingjenti i atyre që kishin importuar një makinë deri në dhjetor të vitit 2010 përfituan faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, së bashku me 50 për qind të principalit të detyrimit doganor të importit, nëse paguajnë gjysmën tjetër të principalit. Ndërkohë që ligji tjetër për makinat heq taksën e importit të mjeteve të përdorura, duke lënë në fuqi vetëm TVSH-në. Të dyja palët duket të kanë përfituar diçka, ndërkohë që për pjesën e atyre që kanë importuar një automjet përgjatë 8 muajve të parë të këtij viti nuk ka asnjë ndryshim. Ata nuk përfitojnë as nga falja dhe as nga heqja e takës së importit.
SHEMBULLI
Çfarë fiton ai që blen një makinë
Me ligjin që zbatohej për importin e makinës paguhej një taksë e cila llogaritej duke shumëzuar cilindratën me koeficientin e naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) dhe me koeficientin e vjetërsisë (0.5 për çdo vit nga data e prodhimit). Në rast se deri dje një person do të importonte një makinë me naftë të vitit 1999 me një cilindratë 2200 kubikë, në doganën shqiptare do të paguante 330 mijë lekë. Kjo si llogaritje e formulës që ishte në fuqi ku 2200 është cilindrata x 25 koeficienti i naftës x 6 koeficienti i vjetërsisë (12 vite x 0.5 për çdo vit) = 330 mijë lekë. Nga dje, taksa e importit të makinave të përdorura u hoq. Pra, kush kërkon të blejë një makinë, shmang, në rastin tonë, pagimin e 330 mijë lekëve si doganë. Kështu, ligji i ri favorizon dukshëm importin e makinave.
Çfarë humbet ai që ka një makinë
Por për një person që aktualisht ka në përdorim një makinë të vitit 1999 me cilindratë 2200 kubikë dhe me naftë, ligji i ri i shton taksët. Deri më datë 23 gusht, përdoruesi i një makine të tillë paguante 2400 lekë taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë taksë qarkullimi. Pra, 12400 lekë në vit. Tani, ky person do të paguajë taksën e përvitshme të mjeteve të përdorura. Kjo taksë llogaritet me formulën: cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit (Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsisë për tri vitet e para janë 0, më pas bëhen 0.18 dhe rriten me 0.02 për 10 vitet e para. Pas vitit të dhjetë, koeficienti rritet me 0.04). Në rastin tonë, taksa e re vjetore është 19800 lekë në vit. Pra, 7400 lekë në shumë. Përveç kësaj, sa herë që furnizon makinën, deri në fund të vitit duhet të paguajë 5 lekë për çdo litër karburant dhe, pas 1 janarit, 7 lekë për çdo litër karburant.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου