Παρασκευή 14 Οκτωβρίου 2011

A do ti propozojë G-20 supin për mbështetje Evropës?

A do ti propozojë G-20 supin për mbështetje Evropës?





Greqia po zhytet jo vetëm vetë gjithnjë e më thellë në vorbullën thëthitëse të krizës së borxheve, por dhe po tërheq pas vetes partnerët e saj në bashkimin monetar. Agjencitë ndërkombëtare filluan të flasin mbi rënien e ratings të vendeve të eurozonës, investitorët po tërheqin aktivet nga Evropa, u dukën njoftime mbi problemet që lindën në gjithë sistemin bankar evropian. Në këtë sfond në Paris u mblodhën ministrat e financave të G-20. Vendeve pjesëmarrëse të këtij Grupi u bien për pjesë 85% të GDP-së globale.
Ish Ministri i ekonomisë së Rusisë Andrei Neçajev (Andrei Nechayev) mendon se prej tyre mund të pritet një ndihmë me të vërtetë reale:
- Tema kryesore e debateve të javëve të fundit në Evropë ishte: të emetohen apo jo obligacionet (eurobonot) me qëllim të rifinancimit të borxheve të vendeve problematike evropiane. Tani për tani po merren vetëm disa vendime të ndërmjetme. Zgjerimi i Fondit Evropian të Stabilizimit është një prej tyre. “Shtabi i mendjeve të ndritura” të G-20 mund tu propozojë evropianëve, midis të tjerash, edhe ndihmë nga jashtë. Pro kësaj dalin Rusia dhe Kina, të cilat, meqë ra fjala, po rrisin me ritme jashtëzakonisht të shpejta investimet e veta në sektorët strategjikë të BE. Rusia tashmë deklaroi se është e gatshme tu ofrojë ndihmën e vet evropianëve. Por në këtë rast fjalë bëhet ekskluzivisht për blerjen e eurobonove. Në qoftë se të tilla do të emetohen.
Deficiti i likuiditetit i bankave të Botës së Vjetër i ka tejkaluar tashmë 200 miliardë €, kurse borxhi i përgjithshëm që kërkon shlyerje arrin në qindra miliarda €. “Në këtë situatë nevojiten zgjidhje drastike”, shprehet me bindje të plotë Presidenti i Unionit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Rusisë Aleksandër Shohin:
- Shumë banka të autoritetshme kanë blerë plot obligacione (bono) sovrane të vendeve të zonës së krizës. Si reaksion zinxhir sëmundja po përhapet edhe në segmentet më të sigurta, më të besueshme të saj - Belgjikë, Francë, Gjermani. Sipas mendimit tim, vetëm 2 mund të jenë rrugëzgjidhjet në situatën e krijuar: ose lokomotivat e eurozonës do të marrin mbi vete gjithë përgjegjësinë, ose të përjashtohet vendi i falimentuar nga zona e euros (por një hap i tillë, për shumë arsye, nuk do të ndërmerret nga askush). Tani BE – pjesëmarrës i G-20 – synon të ingranojë në zgjidhjen e detyrave tejet të vështira institute të tjera financiare. FMN, me gojën e Kreut të Departamentit Evropian Antonio Borges, tashmë deklaroi se do të blejë një sasi të caktuar të eurobonove... Por e keqja më e madhe do të jetë ajo, në qoftë se më të fortët e kësaj bote nuk do të deklarojnë dot sërish hapat radikalë për shpëtimin - kjo do të thotë atëhere se ne kemi të bëjmë përsëri me rrahje uji në havan!
Ndërkohë, kriza e zonës së euros është bërë tashmë temë e përhershme në mediat ruse. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme, sepse më tepër se gjysma e qarkullimit të tregtisë së jashtme të Rusisë i bie Evropës. Pjesa e konvertuar në euro e rezervave kombëtare ruse është më e lartë se e çdo vendi tjetër në botë - gati 40%. Kursi i rublës është fokusuar në shportën dy-valutore. Nga luhatjet e dy monedhave euro-dollar varen prodhuesit tanë. Por gjëja më kryesore nuk konsiston bile as në këtë. Në qoftë se problemi i borxhit do të shndërrohet në ekonomik dhe në Evropë për shkak të rënies së prodhimit do të reduktohet kërkesa për burimet e energjisë, atëhere kurrfarë “ishulli stabiliteti” vendi ynë nuk do të jetë më.
 
Gajane Hanova

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου