Τετάρτη 10 Ιουλίου 2013

Muho: Në '57-ën Sigurimi i Shtetit lironte shtigje për të dërguar agjentë matanë kufirit

Muho: Në '57-ën Sigurimi i Shtetit lironte shtigje për të dërguar agjentë matanë kufirit
Nga: FATOS VELIU
Muho: Në Dritëhija jonë do përqendrohet në atë që ndodhte në kufirin e shtetit komunist.Shumë thashethemnaja, shumë episode, shumë legjenda kanë ardhur deri sot në lidhje me atë që ndodhte në kufirin shqiptar të asaj periudhe. Dihet që kufiri i shtetit komunist ka qenë i ndërthurur me tela, por ndërkohë ka qenë edhe i super i siguruar nga një masë e madhe njerëzish dhe nga një pafundësi repartesh, të cilët kishin një gatishmëri të jashtëzakonshme për t'iu përgjigjur me forcë propagandës së kuqe për t'u ruajtur nga armiqtë e jashtëm, gjë që mbante të mobilizuara fuqishëm jo vetëm forcat e armatosura, por edhe mbarë popullin, të cilët ishin përkushtuar për ta ruajtur vërtetë këtë kufi, me besimin absolut se duke mbrojtur kufirin me një vigjilencë të atillë, mbronin shtetin e tyre dhe fitoret e arritura, siç cilësohej në zhargonin politik. Mirëpo çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Më së shumti ai kufi ka shërbyer për ta mbrojtur që të mos dilnin shtetasit tanë jashtë territorit shqiptar për në vendet e cilësuara borgjezo-revizioniste, për të mos intriguar politikën komuniste që ndodhte në vend. Pra, me sa shikojmë, ajo mbrojtje kufitare e shndërruar në barrierë të fuqishme dhe të pakalueshme, ka shërbyer jo më shumë se për të pritur armiqtë e jashtëm apo koalicionet e armiqve, siç propagandohej, se sa për të ndaluar elementët e brendshëm të pakënaqur apo njerëzit e guximshëm që u kishte humbur durimi brenda shtetit të tyre. Pra, si përfundim i kësaj rezymeje është se kufiri shqiptar i shtetit komunist më së shumti ka shërbyer për të izoluar shtetin dhe popullin e vet. Për të vijuar më tej se çfarë ka ndodhur le të marrim një segment, pikërisht kufirin e jugut të Shqipërisë, që është kufiri shqiptaro-grek. Pikërisht për këtë çështje, në intervistën tonë të sotme kemi një nga ish-ushtarakët e viteve të para pas çlirimit, që ka shërbyer pikërisht në piramidat e kufirit shtetëror të zonës së Konispolit, të quajtur Habib Muho. Habib Muho ka një histori shumë të gjatë në detyrën e tij si rreshter patrulle në ruajtjen e atij kufiri, gjë që na mundëson episode të panumërta, madje edhe ngjarje rrënqethëse që hedhin dritë mbi disa fakte të vërteta, ndoshta edhe të panjohura për shumë e shumë grupe shoqërore të periudhës së sotme dhe sidomos të brezit të ri.
Zoti Muho do të zbardhë enigma të pyetjeve të tilla si:
- Cila ishte siguria e kufirit shqiptar në periudhën e viteve '60?
- Funksionimi i piramidave dhe mënyra e ruajtjes së tyre.
- Patrullat e lëvizshme, që ishin organizuar përgjatë vijës kufitare dhe incidentet që mund të krijonte kontakti me njerëzit e përtej gardhit me tela.
- Çfarë ndodhte në shtigjet e kalimit kufitar, kur Sigurimi sekret merrte informacion për planet e kalimit të shtetasve për matanë territorit shqiptar?
- Çfarë ndodhte me personat që kapeshin në vijën e kufirit, të cilët ligji i kohës i cilësonte tradhtarë të atdheut dhe popullit të tyre?
- Kur urdhërohej sharrimi me breshëri automatike i njerëzve që guxonin të merrnin drejtimin e në zonën e tmerrit?
- E vërteta e veprimit mbi personat që ishte mësuar për vendimet e tyre të fshehta se po përgatiteshin për kapërcimin e kufirit të shenjtë.
- Çfarë ka ndodhur me kufitarët e pandërgjegjshëm, të cilët kërkonin vrasje për të marrë shpërblimet dhe gradimet në detyrë?
- Historia e panjohur mbi përçudnimin e karaktereve të një rasti të kufitarëve kolegë të Habib Muhos, në shpërblim të lejeve për të shkuar në familjet e tyre, etj.

(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Habib, folëm gjatë për shërbimin sekret që me sa kuptova unë, ishte një shërbim i diktuar nga informacioni sekret i Sigurimit të Shtetit apo jo?
Ashtu është. Megjithëse jua kam përsëritur disa herë në këto ditë të kësaj interviste, e shikoj se ju i rikërkoni gjërat për interes të lexuesit të radhës siç po më shpreheni, prandaj po jua rishpjegoj se shërbimi sekret në kufi kishte të bënte që nga të dhënat operative që merrte posta në lidhje me një arratisje të mundshme që mund të kishte në brezin e saj të mbrojtjes e deri në sigurimin absolut të shtegut të piketuar.
Informacioni ishte i Sigurimit të Shtetit apo jo? Po. Informacioni që merrte Sigurimi nga rrjeti i tij i sofistikuar që kishte në komunitet, që do të thotë se kishte njerëz të posaçëm në çdo grup shoqëror dhe në çdo qelizë të jetës së vendit që raportonin posaçërisht jo vetëm veprimtarinë antiparti siç quhej atëherë, por… raportohej në kohë edhe për njerëz që planifikonin për t'u arratisur.
Ky informacion që kishte të bënte me kufirin shtetëror përpunohej, saktësohej dhe shkonte në postë në mënyrë urdhërore duke shprehur: "Shikoni se në filan pikë, që në gjuhën tonë lexohej 'shteg', do ketë arratisje pasi dyshohet për filan person nga filan fshat dhe qytet".
Pikërisht në atë shteg ku Sigurimi kishte marrë informacion që do të largohej, qytetari kalonte në ruajtje dhe mbikqyrje tepër sekrete ku patrulla rrinte në mënyrë shumë të maskuar duke vëzhguar natë e ditë me turne.
Pra, ishte informacion i ardhur nga njerëzit më të afërt të atyre që bënin plane sekrete se do të arratiseshin pa e ditur se gjithçka do të përfundonte në dosjet operative të Sigurimit? Që ta kuptoni më shkoqur, ky ka të bëjë me individë që ishin shprehur në rrethet e ngushta shoqërore, madje te shokë të ngushtë që do të arratiseshin. Por kishte edhe nga ata që bënin plane me persona tepër të ngushtë për mënyrën e arratisjes, pa e ditur që shoku i ngushtë apo dikush tjetër që mësonte këtë fakt informonte organet e Sigurimit në Degën e Brendshme të rrethit. Dega e Brendshme me strukturat e rrjetit të sofistikuar informative që kishte në terren, konfirmonte dhe përpunonte informacionin e marrë dhe pas kësaj, njoftonte individët kompetentë të postës ushtarake të ruajtjes së kufirit.
Kush ishin këta individë kompetentë në postë, që njoftohej kjo strukturë specifike e Degës së Punëve të Brendshme e rrethit, që kishte marrë informacionin për arratisje të mundshme? Po, posta e kufirit përveç komisarit dhe komandantit, kishte edhe njerëz që ishin të linjës së Sigurimit.
Po këta njerëz kishin të drejtë të jepnin urdhra për caktim shërbimi, kur dihej që posta kishte një komandë të përbërë nga komandanti dhe komisari i saj? Këta nuk jepnin urdhra, por merrnin informacionin, të cilin e mbanin tepër sekret dhe nuk ia tregonin as komandës, pasi sekrete të tilla ruheshin vetëm në një pikë, me qëllim që në rast dështimi të operacionit të dihej ku të binte përgjegjësia. Por individët e autorizuar si struktura të Sigurimit të Shtetit vinin në dijeni komandën dhe kërkonin prej saj organizimin e shërbimit sekret special. Sigurisht, nuk u jepnin as këtyre asnjë të dhënë se ku dhe përse do të organizohej ky shërbim, por që kuptohej, se në këtë mënyrë kishe të bëje me një informacion tepër sekret të siguruar në linjën e Sigurimit të Shtetit. Këta persona udhëhiqnin në mënyrë shumë misterioze të gjithë këtë shërbim kaq sekret, ku merrnin patrullën e këtij shërbimi dhe largoheshin pa rënë në sy se ku dhe përse po largoheshin. Pasi shkonin në shtegun që do të organizohej arratisja e shtetasve, u caktohej kufitarëve vendqëndrimi i maskuar dhe rrinin në pritje të kalimit të misterioz.
Dhe qytetari i guximshëm ishte para kurthit të sigurt? Dhe qytetarët e pakënaqur nga regjimi dhe që kishin marrë vendim për t'u larguar nga vendi i tyre, as që e kishin idenë se vendimi i tyre jo vetëm që ishte mësuar nga strukturat sekrete të diktaturës së shtetit komunist, por edhe ishte organizuar prita e studiuar tamam ku ata ishin shprehur për shtegun nga kishin vendosur arratisjen, gjë që do të thoshte se po shkonin drejt një gracke të paimagjinuar.
Kam dëgjuar se këto shërbimet sekrete kanë bërë dhe aventura.
Meqenëse jemi edhe në këto rrëfime për të shuar kuriozitete thashethemnajash, do t'ju pyesja nëse ka të vërteta në kuriozitetet që qarkullonin se këto shërbimet sekrete shumë herë kishin vrarë bagëti që hynin në zonat e ruajtjes së tyre pa shumë kokëçarje? (Qesh). Gallata të tilla ka pasur sa të duash. Ja të jap një shembull që kam qenë edhe vetë prezent. Ishim dy veta, unë me një shokun im shkodran, që prisnim me ankth nëse do të kalonte shkelësi në zonën që kishte marrë informacion struktura e Sigurimit. Por pikërisht aty ku ne ruanim pa lëvizur prej orësh të strukur në shkurre duke mos ia ndarë sytë shtegut në fjalë, fillon të dëgjohet një fëshfëritje dhe hapa të lehtë e të ngadaltë si të dikujt që mund të ecte vjedhurazi. Ka qenë aty nga ora 24 apo 01 pas mesnate. Unë që kisha origjinë nga fshati e kuptova menjëherë se kishim të bënim me një kafshë që kthehej nga kullota pas një ushqimi të stërzgjatur, madje isha dhe shumë i qartë që ishte lopë. Por shkodrani ishte qytetar dhe nuk e dinte zhurmën karakteristike që krijohet kur lopa kërcet fundin e këmbës, gjë që ngjan tamam si hap i kujdesshëm njeriu. Unë nga eksperienca që kisha si çoban që në fëmijëri, i them që ai të mbante pushkën se unë do të shkoja ta kapja me dorë se nuk e vija aspak në diskutim që nuk ishte njeri, por një lopë. Mirëpo shoku nuk besoi shumë dhe ndërsa i kishte bërë veshët pipëz nga zhurma që vinte nga thellësia e kaçubes ia lëshoi me breshëri lopës, duke e lënë të ngordhur në vend.
Kam dëgjuar që Sigurimi krijonte situata në kufi që t'u jepte mundësi të arratiseshin njerëz të instruktuar për llogari të tij. Pra, bënin sikur arratiseshin vërtetë, por që ishin dërguar nga Sigurimi. Për të mundësuar këtë kalim sigurisht krijoheshin shtigje për të mundësuar largimin e padiktuar.
Juve çfarë ju thonin në këto raste, apo më mirë të themi se kishte ndodhur që ju t'i linit shtigje të veçanta bosh pa ruajtje në një periudhë të caktuar kohe? Ma merr mendja, megjithëse s'keni qenë në brendësi të tyre, keni pasur nuhatje se diçka po luhej kur merrnit urdhra të çuditshëm për të braktisur shërbimin apo jo? Po, po e kuptonim menjëherë, pasi ne me atë punë merreshim përherë dhe binte në sy kur kërkohej tërheqje nga një shteg që duhej ruajtur më me vigjilencë se çdo gjë.
Për shembull, nga mund ta kuptonit këtë detaj? Nëse unë sot ruaj këtë vijë kufiri dhe nesër më thuhet 'mos kalo deri te posta tjetër', ku kisha kufirin dhe distancën e patrullimit, por më thuhej për shembull që 'sot do ta kesh itinerarin deri te muri i pellazgut' pastaj të nesërmen të jepej një urdhër tjetër ku të thuhej që 'nesër nuk do shkosh deri te muri i pellazgëve, por 500m më tutje', duke përmendur një objekt tjetër që mund të ishte aty ku të caktonin kufirin e patrullimit, për shembull siç mund të shpreheshin 'deri te fiku i pellazgëve', atëherë nga këto urdhëra të ndryshëm ti kuptoje se në një turn ngelej një shteg i pakontrolluar dhe survejuar, që do të thotë se në atë moment në atë shteg mund të hynte dhe të dilte kushdo dhe të mos e pikaste rob i gjallë në botë.
Ju ndodhte shpesh të linit shtigje të lira ku nuhasnit se liheshin me qëllim për të mundësuar daljen e agjentëve matanë kufirit? Pothuaj përditë. Edhe ne çuditeshim me këto situata që prezantonte Sigurimi, për faktin se nuk e dinim se si funksiononte rrejti i tij agjenturor jashtë vendit. Më mbrapa, kur kam mësuar se si ka qenë organizuar, kam kuptuar se njerëzit nga Sigurimi i asaj kohe janë dërguar pothuaj në të gjitha vendet e botës ku kishte emigrantë shqiptarë të arratisur, pra politikë. Këta njerëz dërgoheshin gjoja se arratiseshin dhe jonin bashkë me ata, duke mbajtur me informacion Sigurimin brenda vendit, që i kishte instruktuar dhe përgatitur. E veçanta ishte se përgjithësisht, siç kam mësuar dhe siç të thashë tani së fundmi, të gjithë këta agjentë janë dërguar nga Greqia e që andej kanë mundur të infiltrohen në qarqet e emigracionit në të gjithë botën. Kjo është arsyeja që neve herë pas here e kuptonim se liheshin me qëllim shtigje të lira, të pasiguruara me roje.
Po si mund të besohet që ju mund të lexonit planet e Sigurimit? Nuk them se i lexonim, ne dyshonim dhe kuptonim, por asgjë nuk dinim më shumë. Por jua thash që sot ruhet një shteg dhe nesër urdhërohemi të mos shkojmë fare, madje na jepet një detyrë krejt tjetër, atëherë ne që mbikëqyrnim natë e ditë gjithë vijën e kufirit me ritëm intensiv, e kuptonim momentin që stononte, vetëm kaq. Sigurisht që në momentin që na ndërrohej shërbimi nënqeshnim, por nuk mund të dekonspironim asgjë, pasi nuk e dinim kush iku dhe me çfarë qëllim iku dhe nëse ndodhi.
Si e thatë organizimin e këtyre shërbimeve speciale, që bënit në raste të ndryshme? Në postën kufitare bëheshin dy shërbime, që do të thotë se neve kishim "shërbim patrullë" dhe "shërbim sekret". Për këto shërbime besoj s'është nevoja tua rikujtoj, se kemi folur boll.
Ju personalisht ju ka ndodhur të bëni shërbim sekret, siç e quanit? Sa e sa herë. Nuk numërohen.
Thatë nga numri i kaluar se ndërsa bënit shërbim në një postë, ju i mësonit të gjitha incidentet që ndodhnin në kufi në atë kohë.
Unë mësoja çfarë ndodhte edhe në shërbimet e shokëve të mi të reparteve të tjera, pasi qarkullonte komunikata në atë kohë. Për çdo gjë neve na informonin. Komunikata na vinte çdo mëngjes me telefon apo fonogram, siç quhej. Ajo ishte për reparte të veçanta të cilësuara me gërma të tilla për shembull a, b, c.
Pra, ju informoheshit për çdo gjë që ndodhte në të gjithë kufirin, në të gjithë Shqipërinë. Në Vermosh nëse do kishte një incident, ju e merrnit vesh në Konispol? Po, po. Për shembull, në atë kohë në një natë të keqe në Kukës u vra nga orteku komandanti i postës. Ndërkohë orteku i dëborës zuri edhe pesë kufitarë të tjerë. Një ngjarje të këtillë megjithëse ndodhte në Kukës, e mësuam që në orën 7 të mëngjesit kur nëpërmjet Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Mbrojtjes vinte komunikata operative. Pra, të nesërmen neve në mëngjes na e thanë që e ka zënë dëbora komandantin me gjithë 5 ushtarë. Siç e shikon, ishte një komunikim dhe një rezonancë kaq komunikuese, që të bënte ta admiroje.
(Vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου