Habib Muho: Në '57-ën u zbuluan kufitarët që vritnin fshatarët për të marrë dekorata | |
Nga: FATOS VELIU | |
" Cila ishte siguria e kufirit shqiptar në periudhën e viteve '60? " Funksionimi i piramidave dhe mënyra e ruajtjes së tyre. " Patrullat e lëvizshme, që ishin organizuar përgjatë vijës kufitare dhe incidentet që mund të krijonte kontakti me njerëzit e përtej gardhit me tela. " Çfarë ndodhte në shtigjet e kalimit kufitar, kur Sigurimi sekret merrte informacion për planet e kalimit të shtetasve për matanë territorit shqiptar? " Çfarë ndodhte me personat që kapeshin në vijën e kufirit, të cilët ligji i kohës i cilësonte tradhtarë të atdheut dhe popullit të tyre? " Kur urdhërohej sharrimi me breshëri automatike i njerëzve që guxonin të merrnin drejtimin e në zonën e tmerrit? " E vërteta e veprimit mbi personat, që ishte mësuar për vendimet e tyre të fshehta se po përgatiteshin për kapërcimin e kufirit të shenjtë. " Çfarë ka ndodhur me kufitarët e pandërgjegjshëm, të cilët kërkonin vrasje për të marrë shpërblimet dhe gradimet në detyrë? " Historia e panjohur mbi përçudnimin e karaktereve të një rasti të kufitarëve kolegë të Habib Muhos, në shpërblim të lejeve për të shkuar në familjet e tyre, etj. Folëm hollësisht nga numri i kaluar për faktin që në periudhën e atyre viteve në kufi ishin vrarë edhe njerëz të pafajshëm, që do të thotë se nuk kishin ndërmend të kalonin kufirin. Mund ta kujtojmë në mënyrë shumë të përmbledhur për të vijuar më tej për rrjedhën e asaj ngjarje makabre që ju sollët si shembull? Ashtu siç e thatë dhe juve, ato janë ngjarje me të vërtetë tragjike dhe drithëruese. Dhe bëhet akoma më e tmerrshme kur ato vrasje mund të bëheshin qoftë për motive banale, të cilat mund të ishin në marrjen e një dekorate, qoftë dhe për një leje shpërblyese pranë familjes. E vërteta është se këto fakte kriminale që janë të pashlyeshme nga memoria e kujtdo që i ka mësuar aq sa në vesh të kanë ardhur edhe ty, megjithëse kanë kaluar më shumë se 60 vjet. Për shembullin që ju solla në lidhje me një vrasje të kësaj natyre kishte të bënte me një rast në postën e fshatit Llongo, që ishte një fshat minoritar në kufi me Greqinë, pikërisht afër postës kufitare. Dy ushtarë në mënyrë shumë misterioze bëjnë një plan të shëmtuar, ku i thonë njëri-tjetrit që "do vemi të marrim një civil, ta vrasim në kufi edhe të ikim me leje". Kështu, nëse do të vrisnin një njeri në kufi duke e tërhequr në grackë, do të deklaronin se atë e pikasën duke u arratisur, do të falënderoheshin dhe do të përgjithësohej akti i tyre si shembull frymëzimi dhe akt trimërie. Njëri prej këtyre ushtarëve m'u kujtua që ishte me mbiemër Çorda, emri siç jua thashë edhe dje, nuk po më kujtohet. Mbaj mend që ishte nga Shqipëria e mesme. Ushtari tjetër ishte nga zona e Myzeqesë. Nuk ia mbaj mend emrin se janë shumë vite. Duhet të mendohem gjatë për të m'u kujtuar. Ashtu siç të thashë, kontaktojnë me një fshatar të Llongos, të quajtur Stefan. Mbiemrin nuk ia mbaj mend, por di që e njihnin, pasi në atë kohë ushtarët njiheshin me të gjithë fshatarët e fshatit më të afërt. Këta i thonë këtij fshatarit të Llongos që të shkonte me ta se e kërkonte pak komandanti i postës. Siç kishin bërë planin, ndërsa Stefani i shoqëronte për të shkuar te komandanti, sa përfunduan në vijën e kufirit ku kalonte rruga për në postë, e vrasin menjëherë. Ia kthejnë ballin nga greku edhe e vrasin. Folët për vrasjen e kryer nga kufitarët e etur për lavdi dhe leje shpërblimi. Çfarë ndodhi pas krimit kur civili i fshatit Llongo u vra në zonën e ndalur të vijës së kufirit, pas futjes në kurth, duke e cilësuar si vrasje në tentative arratisjeje? Në këtë kohë që ndodhi vrasja u bë dënimi i viktimës si person, që tashmë do mbante akuzën e tentativës së arratisjes. Filloi dhe propagandimi i heroizmit dhe vigjilencës së ushtarëve. Njërin prej tyre e shpërblyen menjëherë duke i dhënë leje për të shkuar pranë familjes, të cilën me sa mbaj mend kishte më shumë se një vit e gjysmë pa e takuar. Dhe si vijoi më tej shpërblimi për personin tjetër pjesëmarrës në atë akt kriminal të trumbetuar si trimëri e veçantë? Eeee…, këtu nuk vijuan punët siç i kishin planifikuar ata, pasi nuk do të vononte dhe e vërteta e hidhur e tronditëse do të dilte në dritë. Kush e zbuloi këtë të vërtetë? Komandanti dhe komisari i repartit e zbuluan në kohë rekord të gjithë maskaradën e ndodhur. Si u mor vesh kur veç atyre që e organizuan dhe e zbatuan atë plan nuk e dinte kush tjetër? I thonë një fjale të urtë se po ta dinë dy veta një sekret, të jesh i bindur se do ta dijë edhe i treti. Pra, në bazë të këtij proverbi, e mori vesh i treti, që ishin pikërisht komandanti dhe komisari i repartit. Dua të ma shpjegosh. Mundesh? Kur ndodhi ngjarja, është thërritur me urgjencë i gjithë efektivi i postës, i cili së bashku me grupin e gatshëm shkoi me shpejtësi në vendin e vrasjes së viktimës. E gjetën të shtrirë në një shteg të spikatur, me fytyrë dhe drejtim nga vija e klonit që ndante me Greqinë. Vlerësimi për aktin e ushtarëve ishte i madh, ndërkohë që për viktimën u thurën dhe u derdhën me urrejtje lloj-lloj sharjesh patetike. Ndërkohë që njëri ushtar u shpërblye me leje dhe sigurisht pritej edhe shpërblim i tjetrit, pasi atëherë nuk jepeshin lejet në grup, se shikohej dhe gatishmëria e repartit. Për të mos u cenuar shërbimi, lejet jepeshin me radhë, duke u ndjekur taktika që sa të vinte njëri, shkonte tjetri. Jo vetëm leje, por edhe më shumë. Po atëherë? Nuk e di, por mbaj mend se pasi shkoi ushtari i parë me leje, filloi të pëshpëritej mes kufitarësh për vrasjen e ndodhur ato ditë në zonën e ndaluar. Shumëkush, para se të fliste për një akt heroik siç ishte cilësuar zyrtarisht, po pëshpëriste nën gojë për mundësinë e një vrasjeje kriminale. Gjithsesi, këto pëshpëritje ishin nën gojë dhe nuk dihej gjë e vërtetuar, kështu që nuk mund të zbulohej asgjë derisa nuk dihej e saktë. Dhe si u arrit? Pikërisht në atë situatë, ushtari tjetër nuk e di pse, por çuditërisht nuk shkoi me leje, por u transferua në një repart tjetër. Pa marrë lejen për aktin e cilësuar heroik? Pa e marrë lejen dhe asgjë tjetër. Ju thashë që njëri ishte me leje, ndërsa tjetri u transferua, ndërkohë që po shfrynte fjala dhe kishte nisur dyshimi. Unë shumë herë ia kam bërë vetes pyetjen e arsyes së transferimit të ushtarit dhe kam arritur në një dyshim domethënës. Po? Që mund të jetë bërë me qëllim për faktin se që nga reparti tjetër u bë arrestimi i tij. Unë dua të di se si ndodhi, për të mbërritur deri në zbardhje të atij makabriteti? Pra, në çfarë reparti është transferuar ushtari kriminel nga ku u arrestua? Ai saktësisht ka shkuar në postën kufitare të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës. Ai kujtoi se u harrua gjithë sa ndodhi në postën 71 të fshatit Llongo dhe filloi shërbimin e zakonshëm, me dëshirën që të përfitonte edhe ai shpërblimin që kishte përfituar shoku, pasi tashmë pas transferimit nuk po flitej më për aktin e tij vigjilativ, siç cilësohej në atë kohë. Thua të kenë mësuar të vërtetën dhe prisnin ta vërtetonin me fakte? Po me sa duket kështu duhet të ketë qenë, pasi siç të shpjegova, që edhe unë ia kam bërë pyetje vetes rregullisht atë ndodhi, se ngjarjet erdhën varg njëra pas tjetrës. Ndaj dhe erdhi puna që u vërtetua absolutisht. Në ç'mënyrë, se po më bën shumë kurioz? Kur pa se nuk po i jepej as leje dhe asnjë lloj shpërblimi tjetër, ai, pra Çordja mendoi ta përsëriste. Kërkoi të përsëriste krimin? Po, po, mendoi të bënte një veprim tjetër të po asaj natyre. Kujt ju shpreh? Në një moment teksa bënte shërbim dhe ishte i tensionuar nga ora e gjatë e patrullimit, ndërsa i kishte humbur durimi, i thotë bashkëkufitarit që rrinte në vendroje: - Duhet të bëjmë ndonjë gjë që të ikim me leje se nuk i dilet ndryshe. - E si mund të bëjmë? - iu përgjigj tjetri. Pas kësaj ai i shpjegoi atë që kishte ndodhur në postën tjetër nga kishte qenë para transferimit. Madje i tregoi për ushtarin që në ato momente ndodhej me leje pranë familjes si shpërblim i katit të cilësuar heroik nga komanda. Pse ishte cilësuar heroik nga komanda? Për faktin se kishte zbuluar dhe asgjësuar një shkelës të kufirit, që po arratisej nga atdheu. Ai quhej armik i atdheut dhe kufitari quhej vigjilent dhe trim që kishte kryer detyrën. Pra, po i tregonte shokut të shërbimit aty në repartin e Peshkëpisë për atë që kishin bërë më parë, që u ishte cilësuar heroizëm apo jo? Po pra. Të thash që i thotë ushtarit tjetër: "Në postën tonë kështu, kështu ndodhi dhe filani që e kisha shok tani është me leje për këtë shkak që vrau filanin në kufi. Hajde të marrim edhe ne një tjetër dhe ta çojmë në kufi për ta vrarë sikur ka donte të arratisej. Madje unë mendoj - vijoi ai në atë plan që po hartonte me shokun - që të vrasim pikërisht sekretarin e rinisë të një fshati në këtë zonë, që akti ynë të cilësohet shumë më i lavdishëm". Dhe si vepruan? Shkuan te sekretari i rinisë që planifikuan të viktimizonin? Kanë shkuar në një prej atyre ditëve. Ka qenë natën kur s'kishte njeri në lëvizje që t'i shikonte. Do ketë qenë ora aty nga 12 apo 01 pas mesnate. I flasin personit me detyrë sekretar rinie të fshatit, duke i thënë: "Hajde se të kërkon komandanti postës". Po pse kur i kërkonte fshatarët komandanti i postës, ata bindeshin? Po çfarë thua ti!? Ta shpjegova edhe nga dita e djeshme që i bindeshin shumë, bile ata sa afroheshin me bagëti 500 metra, i ndalonin se as bagëtitë s'i linin kurrë të kalonin 500 metra, se nuk lejohej t'i afroheshe postës kufitare. U kishin vënë kufi. Dhe çfarë bëri ky kur u njoftua? Ky u nis sipas urdhrit që mori nga ushtarët se e konsideroi urdhër zyrtar, si të thuash. Por shpejt ai e kuptoi dhe u tregua shumë i zgjuar se shpëtoi në çast. Në ç'mënyrë? E kuptoi që po e merrnin në drejtim të kufirit, kur për në postë kishte një rrugë tjetër shumë më të shkurtër dhe në drejtim krejt tjetër, kështu që në një çast të pavëmendshëm teksa ecte krah ushtarëve që morën drejtimin e klonit, 'baf' ia bëri në moment dhe ia futi një vrapi marramendës, që nuk pa nga vajti dhe si i kaloi rrëpirat e shkurret. Po ushtarët e qëlluan? Morën automatikun dhe bënë ta shkrepin, por çuditërisht ai u bllokua. Pra, nuk e shkrepën dot. Kishin nga ata automatikët sovjetikë atëherë, të cilët bllokoheshin shumë kollaj. Kur shkrepi automatiku, kishte ikur sekretari i rinisë, kështu që zhurma shërbeu vetëm për alarm. Por ndërkaq, sekretari i rinisë kishte marrë drejtimin e postës dhe takoi komandantin, duke i thënë që 'kështu, kështu më kanë bërë. Më thanë se më kërkoje ti dhe donin të më vrisnin'. Këtu pastaj u bë lidhja dhe me Llongon, ku në vrasjen e atjeshme kishte qenë i njëjti ushtar. Gjithsesi, ushtarët e postës ndërkaq ishin alarmuar nga shkrepja e automatikut? Po, patjetër se ishin shkrepje në kufi dhe s'ishte shaka. Ndaj kur sekretari i rinisë, që ishte planifikuar të viktimizohej kishte mbërritur te komandanti i postës, kishin dalë të gjithë ushtarët e postës, 20 a 30 vetë sa ishin, për në vendin e ngjarjes. Pas kësaj? Pas kësaj u ndaluan menjëherë ushtarët e aktit derisa erdhën nga Dega e Brendshme, që bënë arrestimin e tyre. Po ai që kishte vrarë në Llongo edhe që në atë moment ndodhej me leje, u arrestua? Po, po se tashmë u zbardh në çast dhe skenari i asaj që kishte ndodhur në Llongo. Në këtë mënyrë, grupi i policisë ka shkuar në fshatin e tij, ku bënte lejen shpërblyese njëmujore dhe e arrestuan brenda në shtëpi. Me sa u dënua? Me sa di u dënua 17 vjet. E shikoj që nuk po ma thua emrin, apo vërtet nuk e mban mend? Vërtet nuk ia mbaj mend emrin se vajtën 60 vjet, s'i thonë pak. Nga çfarë zone ishte? Nga Shqipëria mesme, Tirana. Më duket nga malësia mbrapa Dajtit. Nga ato fshatrat andej… (Vijon nesër ) (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) |
|
|
Τρίτη 9 Ιουλίου 2013
Habib Muho: Në '57-ën u zbuluan kufitarët që vritnin fshatarët për të marrë dekorata
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου