Κυριακή 7 Ιουλίου 2013

Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinës

Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinës
Nga: FATOS VELIU
Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinësPër herë të parë vijnë dëshmitë e panjohura mbi atë që ka ndodhur në kufirin e shtetit komunist të viteve '60.
Ish-rreshteri i shërbimit të vigjilencës në piramidat e kufirit jugor të Shqipërisë, Habib Muho, sjell faktet rrënqethëse mbi atë që ndodhte në zonën e butë të kontaktit me tokën greke.
- Si është e vërteta e ndërtimit dhe funksionimit të piramidave në vijën e kufirit shtetëror, të kthyera në simbol të gatishmërisë, vigjilencës dhe kryeneçësisë së shtetit militar komunist?
- Çfarë ka ndodhur me qytetarët që guxonin të preknin tokën e punuar, ndërsa synonin kalimin e klonit për në shtetin fqinj?
- Cilat ishin urdhrat e Sigurimit të Shtetit për patrullat kufitare, në rastet kur informoheshin për arratisjet e mundshme të shtetasve të zonave kufitare?
- Ngjarjet që kanë ndodhur në repartin e Habib Muhos, kur kufitarët kërkonin për të vrarë njerëz në shkëmbim të dekoratave dhe lejeve pranë familjeve të tyre.
- A është e vërtetë dhe si ka ndodhur me shtetasit që Sigurimi mësonte vendimet e tyre për largim në vendin fqinj dhe rasti enigmatik kur kufitari Muho konstatoi transportimin e të arrestuarit misterioz me thes kokë?
- Përse patrulluesi i vijës kufitare të orëve të mesnatës, Habib Muho, krijoi bindjen se njerëzit e transportuar mistershëm me "Gazin" sovjetik të Sigurimit të Shtetit dërgoheshin për t'u zhdukur në hendeqet e greminave të padukshme?

(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Muho, ndërsa folëm për shumë detaje dhe ngjarje të jetës suaj kufitare në zonat e jugut të Shqipërisë në vitet më të nxehta të epokës komuniste siç ishin '56-'60 mësuam se paska shumë episode dhe momente që duhet domosdoshmërisht të njihen për opinionin e gjerë, për të qenë gjithashtu edhe koshientë me historinë e përjetuar. Gjithsesi, para se të shkojmë më tej në subjektin tonë të dëshmuar nga ju për situatat e krijuara në sektorin më nevralgjik të asaj periudhe, do të doja të dija për origjinën dhe jetën tuaj të fëmijërisë derisa shkuat në pozicionin më të rëndësishëm të ushtrisë së atëhershme. Pra, si arritët ju në pikën specifike?
Unë kam lindur në majin e vitit 1937 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Kam lindur në një familje të varfër, ku ishim plot shtatë fëmijë dhe unë isha i shtati.
Kur kam lindur unë, dy motrat e para kanë qenë të martuara. Në shtëpi ishin dy të voglat dhe vëllezërit. Menjëherë pas lindjes sime, familja ka kaluar në rrethin e Sarandës, sepse u vendosëm në zonën e Rrëzomës, që e përmbledh ai rreth, ndaj dhe kur u mobilizova unë nga dega ushtarake e Sarandës, kalova për të bërë detyrimin ushtarak në atë rreth, duke më caktuar në kufirin shtetëror me Greqinë. Kjo sigurisht, pas një kursi tepër të gjatë dhe intensiv trajnimi.
Pra, keni shkuar qysh në fëmijëri në rrethin e Sarandës nga i cili më pas u mobilizuat ushtar për në kufi? Kur shkuam në zonën e Rrëzomës, pikërisht në fshatin Fushvërri, atë kohë unë kam qenë aty rreth 4-5 vjeç. Për kuriozitet po të them se neve kemi qenë tre vëllezër dhe të tre e kemi bërë ushtrinë në kufi, madje në zonat më të largëta dhe më të nxehta për nga problematika.
Ku konkretisht? Vëllai i madh dhe i dyti e kanë bërë shërbimin në Vermosh, pra në kufi. Po kështu ndodhi dhe kur më erdhi radha mua, kur më thërritën ushtar menjëherë si mbusha moshën 18 vjeç. Edhe unë si u thërrita për ushtar, m'u caktua lloji i armës siç konsiderohej atëherë drejtimi ku do shërbeje, në kufi. Ju fola gjatë që ky ishte një eveniment i madh për mua dhe familjen time, madje një besim i tillë ishte më shumë se krenari. Kështu konsiderohej atëherë, ndaj edhe unë s'kish si të mos e prisja me shumë emocion një lajm të tillë.
Megjithëse ma shpjeguat nga numri i parë i kësaj intervista, do të doja të ma përsërisnit se përse ju u ndjetë aq krenar dhe aq i nderuar që ju caktuan në një front të atillë si kufiri? Mos duhet ta marr me rezerva për sa më thoni? Ishte 22 gushti i vitit 1956, kur u thërrita për të bërë ushtrinë pikërisht në zonën e kufirit jugor të Shqipërisë.
Jua theksoj se jemi në vitin 1956, kur kishte pak vite që Shqipëria kishte kaluar provokacionet e përgjakshme dhe të zhurmshme të '49-s nga ana e fqinjëve grekë. Ato histori vinin te ne fëmijët në formë legjendash dhe kufiri ishte mitizuar në atë mënyrë, saqë na dukej e pabesueshme se do të vinte një ditë që ta preknim apo të shkonim drejtpërsëdrejti pranë tij.
Unë mund t'ju kujtoj këtu faktin se në atë kohë, nëse do të të duhej të shkoje në fshatrat kufitarë, madje si në Ksamil, Butrint, Vrinë, Konispol, Shkallë, Janjar etj., që s'dua t'i përmend të gjitha, nuk mund të shkoje pa marrë leje me shkrim nga organet e Degës së Brendshme të rrethit të Sarandës. Kjo ishte edhe nëse kishe një dasmë për shembull, tek një afërm që mund të kishe në ato zona. Të gjithë miqtë që do shkonin për bujtur në dasmë, duhet të paraqiteshin në Degën e Brendshme të Sarandës dhe të dorëzonin pasaportat ku duhej të pajiseshin me leje, për shembull për në Ksamil, ku do të tregoje arsyen e vajtjes, e cila sigurisht verifikohej. Pra, ishte e pakalueshme të shkoje qoftë edhe si mik në fshatrat dhe qytezat afër kufirit dhe jo më të mendoje të shkoje deri në kufi.
Nga ana tjetër, në kohën e adoleshencës truri ynë ishte bombarduar me episodet dhe historitë që tregoheshin nën zë dhe që qarkullonin gojë më gojë, duke thënë që "kapën djalin e filanit apo të fistekut" si dhe rastet e thënieve tip lajmesh të natyrave të tilla si: "sonte natën në kufi ka pasur vrasje. U vranë dy fierakë apo dy shkodranë në kufi" etj., etj. Këtu ju siguroj se nuk jam duke vulgarizuar aspak, asnjë fije të këtyre episodeve që jam duke shtjelluar, me qëllimin për t'ju treguar për figurën e kufirit në trurin tonë.
Çfarë do të thoshte për ju bombardimi i trurit në mënyrë sistematike nga ngjarjet e kufirit të rrethit ku jetonit, ku për hir të faktit mund të them se ka qenë një zonë e sulmuar për arratisjet jashtë atdheut, siç cilësohej në atë kohë një largim përtej kufirit? Episodet dhe detajet që ju përshkrova kishin ngulitur në mendjen tonë si djelmosha adoleshentë në rritje, se në kufi ishte zona më e hekurt dhe e sigurtë e shtetit dhe se aty bëhej nami dhe çudia.
Për shembull, çfarë aluzioni kishit krijuar për kufirin deri në momentin që shkuat? Ne na ishte ngulitur fort në mendjet tona djaloshare që udhëhiqeshin nga pasioni i aventurës se aty tej në kufi bëheshin masakra dhe se aty formohej trimëria. Aty kishe mundësi të tregoje forcën dhe se vetëm aty mund të demonstroje patriotizmin. Unë nuk do të harroja t'ju kujtoja këtu se veç këtyre që përmenda, në qeniet tona të njoma nuk mund të kalonin pa lënë mbresa rastet kur të vrarët apo të kapurit në kufi i demonstronin para publikut, duke i sharë dhe fyer, madje duke i tërhequr edhe zvarrë.
Ju thërritën në degën ushtarake të…? Në degën ushtarake të Delvinës. Ishte koha që të gjithë djelmoshat që shkonin ushtarë në atë kohë, caktoheshin në kufi, i cili me sa dukej, kishte shumë nevojë. Këtë nevojë e pashë edhe vetë kur shkova në shërbimin e postave kufitare. Në atë sektor kishte shumë nevoja, për faktin se kufiri shtetëror po "blindohej" me ushtarë në mënyrë të paimagjinueshme.
Në ç'mënyrë? Gjatë të gjithë kufirit në të cilin vargonin rreshti i piramidave të posaçme orientuese kishte reparte ushtarake apo posta kufitare, siç quheshin. Ndaj edhe neve, i gjithë brezit ynë që shkuam në atë kohë ushtarë, kemi përfunduar në kufi, madje mund të them këtu se ishim tre bashkëfshatarë në atë grup, të cilët, ashtu si të gjithë, përfunduam në të njëjtin rajon, siç ishte kufiri jugor i Shqipërisë.
Kam dëgjuar zoti Muho, gjë që e pohuat edhe juve në fillim të kësaj interviste, që megjithëse kufiri kishte shumë nevojë për ushtarë, një kapacitet të jashtëzakonshëm njerëzor, shteti i atëhershëm ta dislokonte aty.
Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë pohim është se këta djelmosha të mobilizuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak para se të dërgoheshin në kufi, përgatiteshin dhe instruktoheshin në mënyrë të jashtëzakonshme në shkolla të posaçme instruktimi. Juve i ndoqët këto lloj arsimimesh para se të shkonit në detyrën efikase në kufirin shtetëror? Patjetër. Është absolutisht siç po e përshkruani ju. Para se të shkoje në repart, kërkohej një përgatitje e gjithanshme në shkollat e instruksionit, siç e thatë dhe ju. Konkretisht kur jam mobilizuar unë, ka qenë pikërisht 22 gusht i vitit 1956. Ju thashë që sa kisha mbushur të 18 vitet e jetës. Qendrën e instruksionit për ushtarët e kufirit e kishin vendosur në Tepelenë. Aty instruktonin dhe përgatisnin ushtarët e të gjitha rretheve të jugut, të cilët përgatiteshin për të kryer shërbimin ushtarak në kufirin me Greqinë, duke filluar nga zona e Përmetit e deri matanë Konispolit.
Më bën shumë përshtypje zoti Muho kjo lloj stërvitjeje tepër speciale që po u bëhej ushtarëve, të cilët dërgoheshin në kufirin grek, ndryshe nga ushtarët që dërgoheshin në sektorë të tjerë të specialiteteve të ushtrisë së atëhershme. Juve konkretisht, sa kohë stërvitje keni bërë në qendrën e instruksionit të përqendruar në Tepelenë? Kemi bërë më shumë se katër muaj stërvitje tepër intensive, ku përgatiteshim në specialitetin specifik të kufirit. Përveç përgatitjes fizike për të cilën as që bëhet fjalë që ishte e niveleve maksimale të vështirësive, ne mësonim edhe për topografinë e terrenit, për shtigjet, për sulmet, për grackat, për pritat, për kapjet e befasishme, për luftimet trup më trup në të cilat duhet të bënim të gjitha llojet e driblimeve dhe goditjeve ndaj kundërshtarit, që në rastin konkret do të ishte jo vetëm armiku matanë kufirit, por edhe shtetasi ynë, i cili mund të guxonte të kalonte kufirin, duke u konsideruar pas kësaj armik, ashtu siç ishte dhe ai i përtej kufirit fqinj.
Pra, thatë se aty në qendrën e stërvitjes speciale të Tepelenës ishin grumbulluar ushtarët e të gjitha rretheve të jugut, që ishin caktuar me shërbim sipas postave në tërë vijën kufitare me shtetin grek, apo jo? Po, po absolutisht ashtu. Ne aty bënim stërvitje për t'u specializuar në mbrojtje të kufirit jugor, i cili ndahej në Përmet.
Jemi duke folur shumë konkretisht, ndaj jam i detyruar t'ju pyes për komandantët e kufirit të asaj periudhe që po flasim. I kujtoni emrat?
Patjetër që i kujtoj, si s'i kujtoj?! Komandantët e kufirit sipas sektorëve që po ju them, ishin shumë të njohur për vetë rëndësinë që kishte kufiri, siç dhe jua shpjegova më lartë. Kështu, ju thashë që kufiri sipas sektorëve ndahej në Përmet. Për gjysmën e tij ishte komandant Baki Starja dhe për gjysmën tjetër, komandant ishte Abdyl Bizhga.
Pra, kishte dy komandantë për të gjithë kufirin e territorit të Shqipërisë? Po. Ju thashë se ruajtjen dhe mbrojtjen e gjysmës së kufirit të Shqipërisë e drejtonte komandant Baki Starja. Kjo pjesë, ku ishte komandant Starja përfshinte edhe kufirin detar që nga Vlora, vijonte më tej duke mbërritur në Shkodër e deri në Vermosh. Ndërsa repartet ushtarake të gjysmës tjetër në mbrojtje të kufirit të vendit i drejtonte komandanti Abdyl Bizhga.
Më folët në fillim të kësaj interviste për rastet që ju kishit spikatur që në moshën e adoleshencës, kur të arrestuarit në tentativë për kalim kufiri konsideroheshin armiq të atdheut dhe popullit. Ju cilësuat se kishit mësuar për njerëz të gjallë dhe të vdekur që i hiqnin zvarrë mbrapa makinës së Degës së Punëve të Brendshme, apo jo? Ndodhën këto raste kur ju ishit me shërbim në këtë sektor, që do ta quaja sa krenar aq edhe tragjik? Është shumë e vërtetë. Jua thash dhe po jua risqaroj sërish. Këto episode rrënqethëse kishin ndodhur rregullisht në rrethin e Sarandës. Kishte shumë raste kur njerëzit binin në dorë të forcave të rojeve kufitare vetëm të vdekur. Këtu kemi parasysh se këtë ta vrarë ishin jo vetëm në kufirin tokësor, por edhe në kufirin detar, i cili patrullohej në mënyrë të njëjtë si ai tokësor.
Nga kush ruhej kufiri detar? Skafet e degës e rojes kufitare, që vareshin nga Dega e Brendshme, ashtu siç varej i gjithë kufiri dhe Dega vetë që varej nga Ministria e Brendshme, ndodhte që binin shumë herë në njerëz që kalonin me not apo kamardare për në ujërat greke. Këta mund të qëlloheshin apo të kapeshin të gjallë. Kjo varej nga situata që krijohej me rojet, të cilët lundronin me prozhektorët e fuqishëm në skaf. Por këto roje mund të ishin edhe të papërgjegjshëm dhe t'i godisnin kur mund t'i shtinin në dorë të gjallë.
Po atëherë pse ndodhte kjo? Sepse duhet të kesh parasysh se urrejtja ndaj atyre që cilësoheshin armiq ishte shtrirë dhe kthyer në bindje edhe te njerëzit e zakonshëm, të cilët për t'u treguar sa më besnikë mundoheshin të ishin sa më të ashpër. Në rastet kur vrisnin, ata përshkruanin një situatë të detyruar që kishin hapur zjarr.
Meqenëse jemi në kufirin detar, për faktin se Saranda i ka të dy kufijtë si atë detar, ashtu edhe atë tokësor, le të ndalemi paksa tek ai detar, pavarësisht se ju keni qenë kufitar në zonën e piramidave të vijës tokësore Janjar - Konispol. Cilat kanë qenë pikat ku mund të arratiseshin me not njerëzit në Sarandë? Për saktësi po ju theksoj se unë kam qenë jo vetëm në shërbim në vijën e piramidave tokësore, por edhe në vijën detare, pasi më shumë se një vit kam qenë në zonën e Borshit, ku më çuan menjëherë sapo mbarova kursin, për faktin se do të vijonim përgatitjen për rreshterë dhe ndërkohë do ishim në shërbim të kufirit detar të zonës. Kështu që e njoh shumë mirë edhe situatën e atëhershme në atë zonë. Për sa i përket asaj që pyetët, po ju them se zona më e piketuar për kalim kufiri detar ka qenë ajo e fshatit Çukë, që është rrugës për në Ksamil si dhe ajo e fshatit Vrinë, e cila ndodhet pikërisht sa kalon Butrintin. Kush ka shkuar në Butrint, shikon me sy lundrën që të çon në Vrinë, por mund të shikoj edhe kodrat e shtetit grek, që duken me sy të lirë.
Ajo ishte distanca më e shkurtër që mund të hahej edhe me not, ose mjaftonte një kamardare e gomave të makinave të transportit dhe mund të arrije, nëse nuk të pikasnin prozhektorët e skafeve të kufirit, që rrëshqisnin vazhdimisht në tërë hapësirën ujore, deri matanë ujërave tona.
Madje për kuriozitet do t'ju kujtoja një tip kënge të vargëzuar, që përdorej nga të rinjtë e asaj kohe ku thoshin:
Rrugë e re ndërkombëtare,
Çukë - Korfuz me kamardare.
Meqenëse paskeni shërbyer dhe në kufirin detar, kur ndodhte që mundeshit t'i kapnit ata që tentonin kalimin e kufirit me not? Kurioziteti ishte se nuk mund të notonin gjatë kohës që do të kalonte një traget në ngushticën që ata ishin duke notuar. Këtë nuk e dinin mirë dhe ndërsa kalonte trageti, ata që nuk ishin pikasur nga rojet, rrezikonin shumë për të mos thënë se përfundonin në prangat e rojes së stërvitur.
Pse ndodhte kjo? Sepse trageti çante ujin në thellësi dhe e kthente në sipërfaqe, duke sjellë nga thellësia ujin e ftohtë të padurueshëm për organizmin e njeriut, për faktin se mund të kishte muaj apo dhe kohë më të gjatë pa kontaktin e rrezes së diellit. Në këtë moment notuesit bllokoheshin fare saqë i kapte drita e prozhektorit që përshkonte rrëmbyeshëm të gjithë hapësirën ujore.
Dhe këta njerëz, edhe kur i kapnin të vdekur i zvarritnin? Folëm për rastet kur në kufirin e Sarandës si detar, ashtu edhe tokësor kishte shumë shkelje dhe rastet që mund të kapeshin të gjallë apo të vdekur ishin po ashtu të shumta. Kjo ndodhte se në Sarandë mund të vinin njerëz nga e gjithë Shqipëria, që e kishin ndarë mendjen për t'u larguar jashtë atdheut. Me sa duket, ka qenë dhe udhëzim demaskimi dhe publikimi i tyre në popull, me qëllim terrori për të ndaluar përsëritjet me idenë se kështu do të përfundonin edhe të tjerët që do të guxonin.
Si i lidhnin të vdekur? Lidheshin me kavo mbrapa çengelit të xhipit sovjetik që kishte Dega e Punëve të Brendshme e rrethit. Pas kësaj xhipi ecte ndërsa i vdekuri zvarritej mbrapa mbi asfaltin e qytetit. Por mund të ndodhte që i vrari në kufirin detar apo në ndonjë shteg të kufirit tokësor të mund të shëtitej si kufomë edhe në karrocerinë e ndonjë makine transporti, ku spontet ishin të hapura për t'u ekspozuar para kalimtarëve të tmerruar.
Po çfarë bënte populli? Po bindja ishte se nuk duhej të arratiseshe... Në atë kohë propaganda politike besohej kollaj nga njerëzit që nuk kishin parë më tutje, kështu që e dënonin veprimin e personit të vrarë. Madje, kishte nga ata që pështynin nga larg në drejtim të kufomës, duke u shprehur me neveri:
"Ptu mallkuar qofsh! Ta paskan bërë paq more maskara. Kush të kishte njohur që paske qenë një armik kaq i egër i popullit tënd?!".
Ju kujtoj se këtyre njerëzve nuk u dihej as varri ku do të mbuloheshin, pasi nuk u jepeshin familjes. Madje familja priste persekucionin e radhës, duke filluar nga internimet.
Pra, këto skena ju i kishit parë që në adoleshencë para se të shkonit ushtar, apo jo? I kisha parë atëherë dhe më mbrapa kur shkova vetë ushtar në kufi, madje kur u gradova pas specializimeve që kreva. U bëra rreshter apo përgjegjës grupi.
Kishte ndodhur të vriteshin apo të kapeshin në repartin ku ishit juve? Po, kishte pasur edhe të vrarë, por për koincidencë në shërbimin tim nuk ka ndodhur dhe shyqyr, se do më ngelej gozhdë tërë jetën, pasi po të kalonte kush në orën që shërbenim deri në tre veta në një patrullë, detyrimisht do të vritej. Por ka pasur më shumë të vrarë në postat komshi me neve, madje në të gjithë Shqipërinë kishte pothuaj përnatë.
I mësonit juve? Na lexohej komunikata operative çdo mëngjes mbi gjithçka ndodhte në tërë kufirin shtetëror të republikës, e cila përpilohej në ministri nga informacionet e marra me telefon dhe e jepte në repartet kryesore çdo mëngjes dhe ato na i përcillnin neve. Pra, ishin kthyer në rutinë skena të tilla të pabesueshme.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου