Κυριακή 21 Ιουλίου 2013

Reagimi i një qeni në kthimin e të zotit pas 6 muajsh (Video)



Një qenushe vërteton në mënyrën më prekëse se qeni është me të vërtetë miku më besnik i njeriut ..


read more "Reagimi i një qeni në kthimin e të zotit pas 6 muajsh (Video)"

Τετάρτη 10 Ιουλίου 2013

Muho: Në '57-ën Sigurimi i Shtetit lironte shtigje për të dërguar agjentë matanë kufirit

Muho: Në '57-ën Sigurimi i Shtetit lironte shtigje për të dërguar agjentë matanë kufirit
Nga: FATOS VELIU
Muho: Në Dritëhija jonë do përqendrohet në atë që ndodhte në kufirin e shtetit komunist.Shumë thashethemnaja, shumë episode, shumë legjenda kanë ardhur deri sot në lidhje me atë që ndodhte në kufirin shqiptar të asaj periudhe. Dihet që kufiri i shtetit komunist ka qenë i ndërthurur me tela, por ndërkohë ka qenë edhe i super i siguruar nga një masë e madhe njerëzish dhe nga një pafundësi repartesh, të cilët kishin një gatishmëri të jashtëzakonshme për t'iu përgjigjur me forcë propagandës së kuqe për t'u ruajtur nga armiqtë e jashtëm, gjë që mbante të mobilizuara fuqishëm jo vetëm forcat e armatosura, por edhe mbarë popullin, të cilët ishin përkushtuar për ta ruajtur vërtetë këtë kufi, me besimin absolut se duke mbrojtur kufirin me një vigjilencë të atillë, mbronin shtetin e tyre dhe fitoret e arritura, siç cilësohej në zhargonin politik. Mirëpo çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Më së shumti ai kufi ka shërbyer për ta mbrojtur që të mos dilnin shtetasit tanë jashtë territorit shqiptar për në vendet e cilësuara borgjezo-revizioniste, për të mos intriguar politikën komuniste që ndodhte në vend. Pra, me sa shikojmë, ajo mbrojtje kufitare e shndërruar në barrierë të fuqishme dhe të pakalueshme, ka shërbyer jo më shumë se për të pritur armiqtë e jashtëm apo koalicionet e armiqve, siç propagandohej, se sa për të ndaluar elementët e brendshëm të pakënaqur apo njerëzit e guximshëm që u kishte humbur durimi brenda shtetit të tyre. Pra, si përfundim i kësaj rezymeje është se kufiri shqiptar i shtetit komunist më së shumti ka shërbyer për të izoluar shtetin dhe popullin e vet. Për të vijuar më tej se çfarë ka ndodhur le të marrim një segment, pikërisht kufirin e jugut të Shqipërisë, që është kufiri shqiptaro-grek. Pikërisht për këtë çështje, në intervistën tonë të sotme kemi një nga ish-ushtarakët e viteve të para pas çlirimit, që ka shërbyer pikërisht në piramidat e kufirit shtetëror të zonës së Konispolit, të quajtur Habib Muho. Habib Muho ka një histori shumë të gjatë në detyrën e tij si rreshter patrulle në ruajtjen e atij kufiri, gjë që na mundëson episode të panumërta, madje edhe ngjarje rrënqethëse që hedhin dritë mbi disa fakte të vërteta, ndoshta edhe të panjohura për shumë e shumë grupe shoqërore të periudhës së sotme dhe sidomos të brezit të ri.
Zoti Muho do të zbardhë enigma të pyetjeve të tilla si:
- Cila ishte siguria e kufirit shqiptar në periudhën e viteve '60?
- Funksionimi i piramidave dhe mënyra e ruajtjes së tyre.
- Patrullat e lëvizshme, që ishin organizuar përgjatë vijës kufitare dhe incidentet që mund të krijonte kontakti me njerëzit e përtej gardhit me tela.
- Çfarë ndodhte në shtigjet e kalimit kufitar, kur Sigurimi sekret merrte informacion për planet e kalimit të shtetasve për matanë territorit shqiptar?
- Çfarë ndodhte me personat që kapeshin në vijën e kufirit, të cilët ligji i kohës i cilësonte tradhtarë të atdheut dhe popullit të tyre?
- Kur urdhërohej sharrimi me breshëri automatike i njerëzve që guxonin të merrnin drejtimin e në zonën e tmerrit?
- E vërteta e veprimit mbi personat që ishte mësuar për vendimet e tyre të fshehta se po përgatiteshin për kapërcimin e kufirit të shenjtë.
- Çfarë ka ndodhur me kufitarët e pandërgjegjshëm, të cilët kërkonin vrasje për të marrë shpërblimet dhe gradimet në detyrë?
- Historia e panjohur mbi përçudnimin e karaktereve të një rasti të kufitarëve kolegë të Habib Muhos, në shpërblim të lejeve për të shkuar në familjet e tyre, etj.

(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Habib, folëm gjatë për shërbimin sekret që me sa kuptova unë, ishte një shërbim i diktuar nga informacioni sekret i Sigurimit të Shtetit apo jo?
Ashtu është. Megjithëse jua kam përsëritur disa herë në këto ditë të kësaj interviste, e shikoj se ju i rikërkoni gjërat për interes të lexuesit të radhës siç po më shpreheni, prandaj po jua rishpjegoj se shërbimi sekret në kufi kishte të bënte që nga të dhënat operative që merrte posta në lidhje me një arratisje të mundshme që mund të kishte në brezin e saj të mbrojtjes e deri në sigurimin absolut të shtegut të piketuar.
Informacioni ishte i Sigurimit të Shtetit apo jo? Po. Informacioni që merrte Sigurimi nga rrjeti i tij i sofistikuar që kishte në komunitet, që do të thotë se kishte njerëz të posaçëm në çdo grup shoqëror dhe në çdo qelizë të jetës së vendit që raportonin posaçërisht jo vetëm veprimtarinë antiparti siç quhej atëherë, por… raportohej në kohë edhe për njerëz që planifikonin për t'u arratisur.
Ky informacion që kishte të bënte me kufirin shtetëror përpunohej, saktësohej dhe shkonte në postë në mënyrë urdhërore duke shprehur: "Shikoni se në filan pikë, që në gjuhën tonë lexohej 'shteg', do ketë arratisje pasi dyshohet për filan person nga filan fshat dhe qytet".
Pikërisht në atë shteg ku Sigurimi kishte marrë informacion që do të largohej, qytetari kalonte në ruajtje dhe mbikqyrje tepër sekrete ku patrulla rrinte në mënyrë shumë të maskuar duke vëzhguar natë e ditë me turne.
Pra, ishte informacion i ardhur nga njerëzit më të afërt të atyre që bënin plane sekrete se do të arratiseshin pa e ditur se gjithçka do të përfundonte në dosjet operative të Sigurimit? Që ta kuptoni më shkoqur, ky ka të bëjë me individë që ishin shprehur në rrethet e ngushta shoqërore, madje te shokë të ngushtë që do të arratiseshin. Por kishte edhe nga ata që bënin plane me persona tepër të ngushtë për mënyrën e arratisjes, pa e ditur që shoku i ngushtë apo dikush tjetër që mësonte këtë fakt informonte organet e Sigurimit në Degën e Brendshme të rrethit. Dega e Brendshme me strukturat e rrjetit të sofistikuar informative që kishte në terren, konfirmonte dhe përpunonte informacionin e marrë dhe pas kësaj, njoftonte individët kompetentë të postës ushtarake të ruajtjes së kufirit.
Kush ishin këta individë kompetentë në postë, që njoftohej kjo strukturë specifike e Degës së Punëve të Brendshme e rrethit, që kishte marrë informacionin për arratisje të mundshme? Po, posta e kufirit përveç komisarit dhe komandantit, kishte edhe njerëz që ishin të linjës së Sigurimit.
Po këta njerëz kishin të drejtë të jepnin urdhra për caktim shërbimi, kur dihej që posta kishte një komandë të përbërë nga komandanti dhe komisari i saj? Këta nuk jepnin urdhra, por merrnin informacionin, të cilin e mbanin tepër sekret dhe nuk ia tregonin as komandës, pasi sekrete të tilla ruheshin vetëm në një pikë, me qëllim që në rast dështimi të operacionit të dihej ku të binte përgjegjësia. Por individët e autorizuar si struktura të Sigurimit të Shtetit vinin në dijeni komandën dhe kërkonin prej saj organizimin e shërbimit sekret special. Sigurisht, nuk u jepnin as këtyre asnjë të dhënë se ku dhe përse do të organizohej ky shërbim, por që kuptohej, se në këtë mënyrë kishe të bëje me një informacion tepër sekret të siguruar në linjën e Sigurimit të Shtetit. Këta persona udhëhiqnin në mënyrë shumë misterioze të gjithë këtë shërbim kaq sekret, ku merrnin patrullën e këtij shërbimi dhe largoheshin pa rënë në sy se ku dhe përse po largoheshin. Pasi shkonin në shtegun që do të organizohej arratisja e shtetasve, u caktohej kufitarëve vendqëndrimi i maskuar dhe rrinin në pritje të kalimit të misterioz.
Dhe qytetari i guximshëm ishte para kurthit të sigurt? Dhe qytetarët e pakënaqur nga regjimi dhe që kishin marrë vendim për t'u larguar nga vendi i tyre, as që e kishin idenë se vendimi i tyre jo vetëm që ishte mësuar nga strukturat sekrete të diktaturës së shtetit komunist, por edhe ishte organizuar prita e studiuar tamam ku ata ishin shprehur për shtegun nga kishin vendosur arratisjen, gjë që do të thoshte se po shkonin drejt një gracke të paimagjinuar.
Kam dëgjuar se këto shërbimet sekrete kanë bërë dhe aventura.
Meqenëse jemi edhe në këto rrëfime për të shuar kuriozitete thashethemnajash, do t'ju pyesja nëse ka të vërteta në kuriozitetet që qarkullonin se këto shërbimet sekrete shumë herë kishin vrarë bagëti që hynin në zonat e ruajtjes së tyre pa shumë kokëçarje? (Qesh). Gallata të tilla ka pasur sa të duash. Ja të jap një shembull që kam qenë edhe vetë prezent. Ishim dy veta, unë me një shokun im shkodran, që prisnim me ankth nëse do të kalonte shkelësi në zonën që kishte marrë informacion struktura e Sigurimit. Por pikërisht aty ku ne ruanim pa lëvizur prej orësh të strukur në shkurre duke mos ia ndarë sytë shtegut në fjalë, fillon të dëgjohet një fëshfëritje dhe hapa të lehtë e të ngadaltë si të dikujt që mund të ecte vjedhurazi. Ka qenë aty nga ora 24 apo 01 pas mesnate. Unë që kisha origjinë nga fshati e kuptova menjëherë se kishim të bënim me një kafshë që kthehej nga kullota pas një ushqimi të stërzgjatur, madje isha dhe shumë i qartë që ishte lopë. Por shkodrani ishte qytetar dhe nuk e dinte zhurmën karakteristike që krijohet kur lopa kërcet fundin e këmbës, gjë që ngjan tamam si hap i kujdesshëm njeriu. Unë nga eksperienca që kisha si çoban që në fëmijëri, i them që ai të mbante pushkën se unë do të shkoja ta kapja me dorë se nuk e vija aspak në diskutim që nuk ishte njeri, por një lopë. Mirëpo shoku nuk besoi shumë dhe ndërsa i kishte bërë veshët pipëz nga zhurma që vinte nga thellësia e kaçubes ia lëshoi me breshëri lopës, duke e lënë të ngordhur në vend.
Kam dëgjuar që Sigurimi krijonte situata në kufi që t'u jepte mundësi të arratiseshin njerëz të instruktuar për llogari të tij. Pra, bënin sikur arratiseshin vërtetë, por që ishin dërguar nga Sigurimi. Për të mundësuar këtë kalim sigurisht krijoheshin shtigje për të mundësuar largimin e padiktuar.
Juve çfarë ju thonin në këto raste, apo më mirë të themi se kishte ndodhur që ju t'i linit shtigje të veçanta bosh pa ruajtje në një periudhë të caktuar kohe? Ma merr mendja, megjithëse s'keni qenë në brendësi të tyre, keni pasur nuhatje se diçka po luhej kur merrnit urdhra të çuditshëm për të braktisur shërbimin apo jo? Po, po e kuptonim menjëherë, pasi ne me atë punë merreshim përherë dhe binte në sy kur kërkohej tërheqje nga një shteg që duhej ruajtur më me vigjilencë se çdo gjë.
Për shembull, nga mund ta kuptonit këtë detaj? Nëse unë sot ruaj këtë vijë kufiri dhe nesër më thuhet 'mos kalo deri te posta tjetër', ku kisha kufirin dhe distancën e patrullimit, por më thuhej për shembull që 'sot do ta kesh itinerarin deri te muri i pellazgut' pastaj të nesërmen të jepej një urdhër tjetër ku të thuhej që 'nesër nuk do shkosh deri te muri i pellazgëve, por 500m më tutje', duke përmendur një objekt tjetër që mund të ishte aty ku të caktonin kufirin e patrullimit, për shembull siç mund të shpreheshin 'deri te fiku i pellazgëve', atëherë nga këto urdhëra të ndryshëm ti kuptoje se në një turn ngelej një shteg i pakontrolluar dhe survejuar, që do të thotë se në atë moment në atë shteg mund të hynte dhe të dilte kushdo dhe të mos e pikaste rob i gjallë në botë.
Ju ndodhte shpesh të linit shtigje të lira ku nuhasnit se liheshin me qëllim për të mundësuar daljen e agjentëve matanë kufirit? Pothuaj përditë. Edhe ne çuditeshim me këto situata që prezantonte Sigurimi, për faktin se nuk e dinim se si funksiononte rrejti i tij agjenturor jashtë vendit. Më mbrapa, kur kam mësuar se si ka qenë organizuar, kam kuptuar se njerëzit nga Sigurimi i asaj kohe janë dërguar pothuaj në të gjitha vendet e botës ku kishte emigrantë shqiptarë të arratisur, pra politikë. Këta njerëz dërgoheshin gjoja se arratiseshin dhe jonin bashkë me ata, duke mbajtur me informacion Sigurimin brenda vendit, që i kishte instruktuar dhe përgatitur. E veçanta ishte se përgjithësisht, siç kam mësuar dhe siç të thashë tani së fundmi, të gjithë këta agjentë janë dërguar nga Greqia e që andej kanë mundur të infiltrohen në qarqet e emigracionit në të gjithë botën. Kjo është arsyeja që neve herë pas here e kuptonim se liheshin me qëllim shtigje të lira, të pasiguruara me roje.
Po si mund të besohet që ju mund të lexonit planet e Sigurimit? Nuk them se i lexonim, ne dyshonim dhe kuptonim, por asgjë nuk dinim më shumë. Por jua thash që sot ruhet një shteg dhe nesër urdhërohemi të mos shkojmë fare, madje na jepet një detyrë krejt tjetër, atëherë ne që mbikëqyrnim natë e ditë gjithë vijën e kufirit me ritëm intensiv, e kuptonim momentin që stononte, vetëm kaq. Sigurisht që në momentin që na ndërrohej shërbimi nënqeshnim, por nuk mund të dekonspironim asgjë, pasi nuk e dinim kush iku dhe me çfarë qëllim iku dhe nëse ndodhi.
Si e thatë organizimin e këtyre shërbimeve speciale, që bënit në raste të ndryshme? Në postën kufitare bëheshin dy shërbime, që do të thotë se neve kishim "shërbim patrullë" dhe "shërbim sekret". Për këto shërbime besoj s'është nevoja tua rikujtoj, se kemi folur boll.
Ju personalisht ju ka ndodhur të bëni shërbim sekret, siç e quanit? Sa e sa herë. Nuk numërohen.
Thatë nga numri i kaluar se ndërsa bënit shërbim në një postë, ju i mësonit të gjitha incidentet që ndodhnin në kufi në atë kohë.
Unë mësoja çfarë ndodhte edhe në shërbimet e shokëve të mi të reparteve të tjera, pasi qarkullonte komunikata në atë kohë. Për çdo gjë neve na informonin. Komunikata na vinte çdo mëngjes me telefon apo fonogram, siç quhej. Ajo ishte për reparte të veçanta të cilësuara me gërma të tilla për shembull a, b, c.
Pra, ju informoheshit për çdo gjë që ndodhte në të gjithë kufirin, në të gjithë Shqipërinë. Në Vermosh nëse do kishte një incident, ju e merrnit vesh në Konispol? Po, po. Për shembull, në atë kohë në një natë të keqe në Kukës u vra nga orteku komandanti i postës. Ndërkohë orteku i dëborës zuri edhe pesë kufitarë të tjerë. Një ngjarje të këtillë megjithëse ndodhte në Kukës, e mësuam që në orën 7 të mëngjesit kur nëpërmjet Drejtorisë së Kufirit në Ministrinë e Mbrojtjes vinte komunikata operative. Pra, të nesërmen neve në mëngjes na e thanë që e ka zënë dëbora komandantin me gjithë 5 ushtarë. Siç e shikon, ishte një komunikim dhe një rezonancë kaq komunikuese, që të bënte ta admiroje.
(Vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
read more "Muho: Në '57-ën Sigurimi i Shtetit lironte shtigje për të dërguar agjentë matanë kufirit"

Τρίτη 9 Ιουλίου 2013

Habib Muho: Në '57-ën u zbuluan kufitarët që vritnin fshatarët për të marrë dekorata

Habib Muho: Në '57-ën u zbuluan kufitarët që vritnin fshatarët për të marrë dekorata
Nga: FATOS VELIU
Habib Muho: Në " Cila ishte siguria e kufirit shqiptar në periudhën e viteve '60?
" Funksionimi i piramidave dhe mënyra e ruajtjes së tyre.
" Patrullat e lëvizshme, që ishin organizuar përgjatë vijës kufitare dhe incidentet që mund të krijonte kontakti me njerëzit e përtej gardhit me tela.
" Çfarë ndodhte në shtigjet e kalimit kufitar, kur Sigurimi sekret merrte informacion për planet e kalimit të shtetasve për matanë territorit shqiptar?
" Çfarë ndodhte me personat që kapeshin në vijën e kufirit, të cilët ligji i kohës i cilësonte tradhtarë të atdheut dhe popullit të tyre?
" Kur urdhërohej sharrimi me breshëri automatike i njerëzve që guxonin të merrnin drejtimin e në zonën e tmerrit?
" E vërteta e veprimit mbi personat, që ishte mësuar për vendimet e tyre të fshehta se po përgatiteshin për kapërcimin e kufirit të shenjtë.
" Çfarë ka ndodhur me kufitarët e pandërgjegjshëm, të cilët kërkonin vrasje për të marrë shpërblimet dhe gradimet në detyrë?
" Historia e panjohur mbi përçudnimin e karaktereve të një rasti të kufitarëve kolegë të Habib Muhos, në shpërblim të lejeve për të shkuar në familjet e tyre, etj.

Folëm hollësisht nga numri i kaluar për faktin që në periudhën e atyre viteve në kufi ishin vrarë edhe njerëz të pafajshëm, që do të thotë se nuk kishin ndërmend të kalonin kufirin. Mund ta kujtojmë në mënyrë shumë të përmbledhur për të vijuar më tej për rrjedhën e asaj ngjarje makabre që ju sollët si shembull?
Ashtu siç e thatë dhe juve, ato janë ngjarje me të vërtetë tragjike dhe drithëruese. Dhe bëhet akoma më e tmerrshme kur ato vrasje mund të bëheshin qoftë për motive banale, të cilat mund të ishin në marrjen e një dekorate, qoftë dhe për një leje shpërblyese pranë familjes.
E vërteta është se këto fakte kriminale që janë të pashlyeshme nga memoria e kujtdo që i ka mësuar aq sa në vesh të kanë ardhur edhe ty, megjithëse kanë kaluar më shumë se 60 vjet.
Për shembullin që ju solla në lidhje me një vrasje të kësaj natyre kishte të bënte me një rast në postën e fshatit Llongo, që ishte një fshat minoritar në kufi me Greqinë, pikërisht afër postës kufitare. Dy ushtarë në mënyrë shumë misterioze bëjnë një plan të shëmtuar, ku i thonë njëri-tjetrit që "do vemi të marrim një civil, ta vrasim në kufi edhe të ikim me leje".
Kështu, nëse do të vrisnin një njeri në kufi duke e tërhequr në grackë, do të deklaronin se atë e pikasën duke u arratisur, do të falënderoheshin dhe do të përgjithësohej akti i tyre si shembull frymëzimi dhe akt trimërie.
Njëri prej këtyre ushtarëve m'u kujtua që ishte me mbiemër Çorda, emri siç jua thashë edhe dje, nuk po më kujtohet. Mbaj mend që ishte nga Shqipëria e mesme. Ushtari tjetër ishte nga zona e Myzeqesë. Nuk ia mbaj mend emrin se janë shumë vite. Duhet të mendohem gjatë për të m'u kujtuar.
Ashtu siç të thashë, kontaktojnë me një fshatar të Llongos, të quajtur Stefan. Mbiemrin nuk ia mbaj mend, por di që e njihnin, pasi në atë kohë ushtarët njiheshin me të gjithë fshatarët e fshatit më të afërt. Këta i thonë këtij fshatarit të Llongos që të shkonte me ta se e kërkonte pak komandanti i postës.
Siç kishin bërë planin, ndërsa Stefani i shoqëronte për të shkuar te komandanti, sa përfunduan në vijën e kufirit ku kalonte rruga për në postë, e vrasin menjëherë. Ia kthejnë ballin nga greku edhe e vrasin.
Folët për vrasjen e kryer nga kufitarët e etur për lavdi dhe leje shpërblimi. Çfarë ndodhi pas krimit kur civili i fshatit Llongo u vra në zonën e ndalur të vijës së kufirit, pas futjes në kurth, duke e cilësuar si vrasje në tentative arratisjeje?
Në këtë kohë që ndodhi vrasja u bë dënimi i viktimës si person, që tashmë do mbante akuzën e tentativës së arratisjes. Filloi dhe propagandimi i heroizmit dhe vigjilencës së ushtarëve.
Njërin prej tyre e shpërblyen menjëherë duke i dhënë leje për të shkuar pranë familjes, të cilën me sa mbaj mend kishte më shumë se një vit e gjysmë pa e takuar.
Dhe si vijoi më tej shpërblimi për personin tjetër pjesëmarrës në atë akt kriminal të trumbetuar si trimëri e veçantë?
Eeee…, këtu nuk vijuan punët siç i kishin planifikuar ata, pasi nuk do të vononte dhe e vërteta e hidhur e tronditëse do të dilte në dritë.
Kush e zbuloi këtë të vërtetë?
Komandanti dhe komisari i repartit e zbuluan në kohë rekord të gjithë maskaradën e ndodhur.
Si u mor vesh kur veç atyre që e organizuan dhe e zbatuan atë plan nuk e dinte kush tjetër?
I thonë një fjale të urtë se po ta dinë dy veta një sekret, të jesh i bindur se do ta dijë edhe i treti. Pra, në bazë të këtij proverbi, e mori vesh i treti, që ishin pikërisht komandanti dhe komisari i repartit.
Dua të ma shpjegosh. Mundesh?
Kur ndodhi ngjarja, është thërritur me urgjencë i gjithë efektivi i postës, i cili së bashku me grupin e gatshëm shkoi me shpejtësi në vendin e vrasjes së viktimës. E gjetën të shtrirë në një shteg të spikatur, me fytyrë dhe drejtim nga vija e klonit që ndante me Greqinë.
Vlerësimi për aktin e ushtarëve ishte i madh, ndërkohë që për viktimën u thurën dhe u derdhën me urrejtje lloj-lloj sharjesh patetike.
Ndërkohë që njëri ushtar u shpërblye me leje dhe sigurisht pritej edhe shpërblim i tjetrit, pasi atëherë nuk jepeshin lejet në grup, se shikohej dhe gatishmëria e repartit. Për të mos u cenuar shërbimi, lejet jepeshin me radhë, duke u ndjekur taktika që sa të vinte njëri, shkonte tjetri.
Jo vetëm leje, por edhe më shumë.
Po atëherë?
Nuk e di, por mbaj mend se pasi shkoi ushtari i parë me leje, filloi të pëshpëritej mes kufitarësh për vrasjen e ndodhur ato ditë në zonën e ndaluar. Shumëkush, para se të fliste për një akt heroik siç ishte cilësuar zyrtarisht, po pëshpëriste nën gojë për mundësinë e një vrasjeje kriminale. Gjithsesi, këto pëshpëritje ishin nën gojë dhe nuk dihej gjë e vërtetuar, kështu që nuk mund të zbulohej asgjë derisa nuk dihej e saktë.
Dhe si u arrit?
Pikërisht në atë situatë, ushtari tjetër nuk e di pse, por çuditërisht nuk shkoi me leje, por u transferua në një repart tjetër.
Pa marrë lejen për aktin e cilësuar heroik?
Pa e marrë lejen dhe asgjë tjetër. Ju thashë që njëri ishte me leje, ndërsa tjetri u transferua, ndërkohë që po shfrynte fjala dhe kishte nisur dyshimi. Unë shumë herë ia kam bërë vetes pyetjen e arsyes së transferimit të ushtarit dhe kam arritur në një dyshim domethënës.
Po?
Që mund të jetë bërë me qëllim për faktin se që nga reparti tjetër u bë arrestimi i tij.
Unë dua të di se si ndodhi, për të mbërritur deri në zbardhje të atij makabriteti? Pra, në çfarë reparti është transferuar ushtari kriminel nga ku u arrestua?
Ai saktësisht ka shkuar në postën kufitare të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës.
Ai kujtoi se u harrua gjithë sa ndodhi në postën 71 të fshatit Llongo dhe filloi shërbimin e zakonshëm, me dëshirën që të përfitonte edhe ai shpërblimin që kishte përfituar shoku, pasi tashmë pas transferimit nuk po flitej më për aktin e tij vigjilativ, siç cilësohej në atë kohë.
Thua të kenë mësuar të vërtetën dhe prisnin ta vërtetonin me fakte?
Po me sa duket kështu duhet të ketë qenë, pasi siç të shpjegova, që edhe unë ia kam bërë pyetje vetes rregullisht atë ndodhi, se ngjarjet erdhën varg njëra pas tjetrës. Ndaj dhe erdhi puna që u vërtetua absolutisht.
Në ç'mënyrë, se po më bën shumë kurioz?
Kur pa se nuk po i jepej as leje dhe asnjë lloj shpërblimi tjetër, ai, pra Çordja mendoi ta përsëriste.
Kërkoi të përsëriste krimin?
Po, po, mendoi të bënte një veprim tjetër të po asaj natyre.
Kujt ju shpreh?
Në një moment teksa bënte shërbim dhe ishte i tensionuar nga ora e gjatë e patrullimit, ndërsa i kishte humbur durimi, i thotë bashkëkufitarit që rrinte në vendroje:
- Duhet të bëjmë ndonjë gjë që të ikim me leje se nuk i dilet ndryshe.
- E si mund të bëjmë? - iu përgjigj tjetri.
Pas kësaj ai i shpjegoi atë që kishte ndodhur në postën tjetër nga kishte qenë para transferimit. Madje i tregoi për ushtarin që në ato momente ndodhej me leje pranë familjes si shpërblim i katit të cilësuar heroik nga komanda.
Pse ishte cilësuar heroik nga komanda?
Për faktin se kishte zbuluar dhe asgjësuar një shkelës të kufirit, që po arratisej nga atdheu. Ai quhej armik i atdheut dhe kufitari quhej vigjilent dhe trim që kishte kryer detyrën.
Pra, po i tregonte shokut të shërbimit aty në repartin e Peshkëpisë për atë që kishin bërë më parë, që u ishte cilësuar heroizëm apo jo?
Po pra. Të thash që i thotë ushtarit tjetër:
"Në postën tonë kështu, kështu ndodhi dhe filani që e kisha shok tani është me leje për këtë shkak që vrau filanin në kufi. Hajde të marrim edhe ne një tjetër dhe ta çojmë në kufi për ta vrarë sikur ka donte të arratisej. Madje unë mendoj - vijoi ai në atë plan që po hartonte me shokun - që të vrasim pikërisht sekretarin e rinisë të një fshati në këtë zonë, që akti ynë të cilësohet shumë më i lavdishëm".
Dhe si vepruan? Shkuan te sekretari i rinisë që planifikuan të viktimizonin?
Kanë shkuar në një prej atyre ditëve. Ka qenë natën kur s'kishte njeri në lëvizje që t'i shikonte. Do ketë qenë ora aty nga 12 apo 01 pas mesnate. I flasin personit me detyrë sekretar rinie të fshatit, duke i thënë: "Hajde se të kërkon komandanti postës".
Po pse kur i kërkonte fshatarët komandanti i postës, ata bindeshin?
Po çfarë thua ti!? Ta shpjegova edhe nga dita e djeshme që i bindeshin shumë, bile ata sa afroheshin me bagëti 500 metra, i ndalonin se as bagëtitë s'i linin kurrë të kalonin 500 metra, se nuk lejohej t'i afroheshe postës kufitare. U kishin vënë kufi.
Dhe çfarë bëri ky kur u njoftua?
Ky u nis sipas urdhrit që mori nga ushtarët se e konsideroi urdhër zyrtar, si të thuash. Por shpejt ai e kuptoi dhe u tregua shumë i zgjuar se shpëtoi në çast.
Në ç'mënyrë?
E kuptoi që po e merrnin në drejtim të kufirit, kur për në postë kishte një rrugë tjetër shumë më të shkurtër dhe në drejtim krejt tjetër, kështu që në një çast të pavëmendshëm teksa ecte krah ushtarëve që morën drejtimin e klonit, 'baf' ia bëri në moment dhe ia futi një vrapi marramendës, që nuk pa nga vajti dhe si i kaloi rrëpirat e shkurret.
Po ushtarët e qëlluan?
Morën automatikun dhe bënë ta shkrepin, por çuditërisht ai u bllokua. Pra, nuk e shkrepën dot. Kishin nga ata automatikët sovjetikë atëherë, të cilët bllokoheshin shumë kollaj.
Kur shkrepi automatiku, kishte ikur sekretari i rinisë, kështu që zhurma shërbeu vetëm për alarm. Por ndërkaq, sekretari i rinisë kishte marrë drejtimin e postës dhe takoi komandantin, duke i thënë që 'kështu, kështu më kanë bërë. Më thanë se më kërkoje ti dhe donin të më vrisnin'.
Këtu pastaj u bë lidhja dhe me Llongon, ku në vrasjen e atjeshme kishte qenë i njëjti ushtar.
Gjithsesi, ushtarët e postës ndërkaq ishin alarmuar nga shkrepja e automatikut?
Po, patjetër se ishin shkrepje në kufi dhe s'ishte shaka. Ndaj kur sekretari i rinisë, që ishte planifikuar të viktimizohej kishte mbërritur te komandanti i postës, kishin dalë të gjithë ushtarët e postës, 20 a 30 vetë sa ishin, për në vendin e ngjarjes.
Pas kësaj?
Pas kësaj u ndaluan menjëherë ushtarët e aktit derisa erdhën nga Dega e Brendshme, që bënë arrestimin e tyre.
Po ai që kishte vrarë në Llongo edhe që në atë moment ndodhej me leje, u arrestua?
Po, po se tashmë u zbardh në çast dhe skenari i asaj që kishte ndodhur në Llongo. Në këtë mënyrë, grupi i policisë ka shkuar në fshatin e tij, ku bënte lejen shpërblyese njëmujore dhe e arrestuan brenda në shtëpi.
Me sa u dënua?
Me sa di u dënua 17 vjet.
E shikoj që nuk po ma thua emrin, apo vërtet nuk e mban mend?
Vërtet nuk ia mbaj mend emrin se vajtën 60 vjet, s'i thonë pak.
Nga çfarë zone ishte?
Nga Shqipëria mesme, Tirana. Më duket nga malësia mbrapa Dajtit. Nga ato fshatrat andej…
(Vijon nesër )

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
 
read more "Habib Muho: Në '57-ën u zbuluan kufitarët që vritnin fshatarët për të marrë dekorata"

Δευτέρα 8 Ιουλίου 2013

Habib Muho: Në kufi kemi vrarë fshatarë të pafajshëm për t’u shpërblyer nga komanda

Habib Muho: Në kufi kemi vrarë fshatarë të pafajshëm për t’u shpërblyer nga komanda
Nga: FATOS VELIU
Habib Muho: Në kufi kemi vrarë fshatarë të pafajshëm për t’u shpërblyer nga komandaPër herë të parë vijnë dëshmitë e panjohura mbi atë që ka ndodhur në kufirin e shtetit komunist të viteve ‘60.
Ish-rreshteri i shërbimit të vigjilencës në piramidat e kufirit jugor të Shqipërisë, Habib Muho, sjell faktet rrënqethëse mbi atë që ndodhte në zonën e butë të kontaktit me tokën greke.
- Si është e vërteta e ndërtimit dhe funksionimit të piramidave në vijën e kufirit shtetëror, të kthyera në simbol të gatishmërisë, vigjilencës dhe kryeneçësisë së shtetit militar komunist?
- Çfarë ka ndodhur me qytetarët që guxonin të preknin tokën e punuar, ndërsa synonin kalimin e klonit për në shtetin fqinj?
- Cilat ishin urdhrat e Sigurimit të Shtetit për patrullat kufitare, në rastet kur informoheshin për arratisjet e mundshme të shtetasve të zonave kufitare?
- Ngjarjet që kanë ndodhur në repartin e Habib Muhos, kur kufitarët kërkonin për të vrarë njerëz në shkëmbim të dekoratave dhe lejeve pranë familjeve të tyre.
- A është e vërtetë dhe si ka ndodhur me shtetasit që Sigurimi mësonte vendimet e tyre për largim në vendin fqinj dhe rasti enigmatik kur kufitari Muho konstatoi transportimin e të arrestuarit misterioz me thes kokë?
- Përse patrulluesi i vijës kufitare të orëve të mesnatës, Habib Muho, krijoi bindjen se njerëzit e transportuar mistershëm me “Gazin” sovjetik të Sigurimit të Shtetit dërgoheshin për t’u zhdukur në hendeqet e greminave të padukshme?

(Vijon nga numri i kaluar)

E përsërisim rregullisht periudhën për të cilën flasim, me qëllim që lexuesi të orientohet në kohë, kështu që në vijim do t’ju thosha zoti Muho që jemi pikërisht në ‘56-ën, kur ju paskeni shkuar me shërbim në sektorin më nevralgjik të kohës, siç ishte kufiri shtetëror, i cilësuar se sigurohej nën një mbrojtje shkëmb graniti.
Unë do t’ju rikujtoja për këtë periudhë se është pikërisht momenti kur në Shqipëri po krijohej një situatë tepër e veçantë për regjimin komunist. Kjo për faktin se në këtë kohë, siç dihet, kemi një inkurajim të madh të kuadrove dhe të masës së njerëzve për përmbysjen e pushtetit të Enver Hoxhës. Kjo situatë e krijuar vinte siç mund të jeni në dijeni, pas klimës që përcillej në vendet e kampit socialist, pas përfundimit të kongresit XXII në Bashkimin Sovjetik, ku për hir të së vërtetës konstatohej se ajo klimë po sillte rënien e komunizmit në disa shtete.
Në Shqipëri kjo situatë u finalizua me plenumin e famshëm të Tiranës, ku Enver Hoxha për të vijuar goditjen e pamëshirshme të kundërshtarëve brenda llojit dhe forcimin e mëtejshëm të pushtetit personal mbi partinë ka sjellë me urgjencë nga Gjirokastra një nga besnikët e tij të devotshëm, pikërisht Sekretarin e Parë të atij rrethi, Rrapo Dervishin, të cilin e emëroi me urgjencë rrufe brenda natës në vendin e bashkëshortes së njeriut të hekurt të sistemit, Mehmet Shehut.
Pas zëvendësimit të Fiqiret Shehut në gjitha strukturat e larta të Partisë, ka filluar ‘gjuetia e shtrigave’ për t’i thënë ‘ndal’ erës së kongresit sovjetik.
Jua bëra tërë këtë rezyme për të kuptuar situatën në kohë dhe në hapësirë që të kuptojmë për të gjithë atë rëndësi që i qenka dhënë kufirit, aq sa siç pohoni edhe ju, para se të merrnit detyrën e ngarkuar ku më së shumti e gjithë masa e stërmadhe e atyre djelmoshave të mobilizuar, mes të cilëve ishit dhe ju, ishit në rolin e shërbimit roje dhe patrulle, por gjithsesi i jeni nënshtruar një perfeksionimi të një programi kompleks.
Pas kësaj stërvitjeje katërmujore të bërë në atë repart aq special të kufirit, ku ju caktuan juve?

Ajo qendër stërvitore ishte vërtet një repart shumë i madh i mbipopulluar me ushtarë të porsamobilizuar, aq sa çuditeshe kur shikoje tërë ato kompani të organizuara sipas posteve që do shërbenin në sektorët e piramidave të shenjta të kufirit, siç konsideroheshin.
Kishte shumë rregull dhe disiplinë.
Gjithë ato kompani dhe batalione vepronin si një i vetëm gjatë gjithë ditës nën urdhrat që vinin të prera dhe të rrepta. Jua theksova këto detaje jo më kot, por për të plotësuar atë situatë të përgjithshme që pasqyruat ju se ndodhej shteti komunist në atë kohë.
Ndërsa në lidhje me pyetjen që bëni, se ku shkuam pas atij kursi, ju shpjegoj se menjëherë pas certifikimit që na u bë, ku duhet t’ju bëj me dije se kjo ndodhi pasi kaluam provat shumë të vështira të përgatitjes fizike dhe teorike, na zgjodhën plot 100 ushtarë për të vijuar stërvitjen dhe përgatitjen e mëtejshme.
Nuk ju kuptoj, a e mbaruat juve specializimin katërmujor? Kur ju ngelej kohë për të bërë shërbimin në postën kufitare, ku ju kishin caktuar nëse do të vijonit përgatitjen e mëtejshme?
Thamë se jemi në situatën që ju pasqyruat dhe në mobilizimin e madh ushtarak, që unë po ju shpjegoj, ndër të cilët isha dhe unë. Pikërisht në këtë situatë, veç mobilizimit të njëpasnjëshëm që bëhej për të blinduar kufirin, insistohej për specializimin e njerëzve që shkonin me shërbim në kufi. Nga zëra të ndryshëm dëgjonim tek-tuk se në atë periudhë ishin shtuar shumë arratisjet jashtë atdheut nga kufiri tokësor, gjë që më bën të besoj se është një arsye më shumë për atë blindim që i bëhej kufirit. Në këtë prizëm u vendos që pas kursit katërmujor, më të përgatiturit kryesisht edhe nga ana teorike, ku u zgjodhën 100 ushtarë, ndër të cilët isha edhe unë, të mos dërgoheshin menjëherë në repart, por të vijonin specializim për të dalë me gradën e oficerit. Kuptoni besoj se këtu synohej edhe për profesionalizëm apo si të thuash, instruktim special dhe se tërë ajo mori njerëzish që po dislokohej në kufi, kishte nevojë të drejtohej dhe komandohej, kështu që në mungesën e kuadrove, po kërkoheshin rrugë të kësaj natyre për të kompletuar organikat.
Dhe ku ju çuan juve 100 vetave që përzgjodhën?
Na çuan në shkollën e oficerëve që të përgatiteshim për zëvendëskomandant poste me gradën rreshter.
Pas nëntë muajsh kursi, konkretisht, në fund të ‘57-ës si u graduam rreshterë, na çuan në një qendër stërvitjeje në fshatin Borsh, ku do trajnoheshin ushtarët e rinj.
Një vit më mbrapa unë njihesha si një person shumë i përgatitur, pasi kisha përfituar një bagazh të madh profesional, aq sa hezitonin të më çonin në kufi, por donin të më mbanin në shkollën e instruksionit.
Ishte vetëm një rastësi që unë përfundova në kufi, ku më ishte caktuar detyra në fillim.
Cila ishte ajo rastësi?
Në këtë kohë një shoku ynë, që ishte mobilizuar bashkë me mua dhe që ishte nënoficer në repart ushtarak të zonës së Janjarit, në këtë kohë bëri një incident. Kishte të bënte me një problem disiplinor. Kjo ishte një rastësi që komandanti i kufirit të jugut të Shqipërisë, Baki Starja, një njeri me shumë autoritet dhe personalitet, urdhëroi që unë të shkoja menjëherë në detyrë në postën e Janjarit, nga ku u ndërrova me shokun që u ndëshkua me masë disiplinore.
Përshtypjet e para kur mbërritët në postën e kufirit të ndodhur në Janjar të zonës së Konispolit dhe kur patë vijën kufitare aq të përfolur dhe militarizuar për atë kohë?
Mbaj mend që kur mora urdhrin për të shkuar me detyrën konkrete në postën kufitare të fshatit Janjar edhe u gëzova, por edhe u stresova.
Si ta kuptoj?
U gëzova për faktin se ishte pozicioni ushtarak që isha caktuar që në momentin e mobilizimit një vit e gjysmë më parë, ku ekzistonte në qenien time kurioziteti dhe befasia. Mund ta kuptosh se çfarë do të thoshte për një shtetas të zakonshëm të asaj kohe të të jepej mundësia të shkoje deri në vijën kufitare, ku kishe mundësi të shikoje deri matanë kufirit, ndërkohë që të tjerët nuk mundeshin të kalonin as në fshatrat e kufirit.
Por nga ana tjetër u ngarkova me stres torturues për shkak të lajmeve të përditshme që mësoja nga buletinet informative gjatë asaj periudhe, që unë kisha qenë në qendrën stërvitore. Bëhet fjalë për ngjarjet dhe episodet për të cilat unë ju informova nga numrat e kaluar. Pra, dëgjonim për të vrarë apo për të kapur. Çdo ditë flitej për incidente dhe për masa disiplinore ndaj efektivave, që sipas gjuhës zyrtare ishin treguar syleshë dhe kishin ulur vigjilencën revolucionare në këtë apo atë piramidë ku ishin larguar shtetasit. Kishim dëgjuar edhe lajme të natyrës shumë të çuditshme, kur shoferi që kishte çuar dru zjarri në repartin kufitar kishte gjetur mundësinë dhe ishte hedhur matanë kufirit, gjë që kishte sjellë menjëherë reagimin e Sigurimit, i cili kishte vënë në pranga komandantin dhe komisarin e postës për t’i shtirë në qelitë e errëta të burgut të tmerrshëm.
Gjithsesi, u nisët për në postën, që me sa kuptoj nuk e dinit ku binte apo jo?
E dija ku binte fshati Janjar, por në të vërtetë nuk kisha shkuar asnjëherë. Pikërisht në periferi të tij, jo më larg se 500-600 metra ndodhej vija kufitare ku ishte piramida numër 71, ku unë do të kryeja shërbimin. Atë ditë jam nisur që në mëngjes dhe mbërrita aty natën vonë. Kjo për arsye se rruga bëhej pjesë-pjesë me këmbë dhe pjesë-pjesë me makinat e kooperativës, të cilat nëse do të mundeshe t’i kapje, do të hipje në karroceri. Por që nga Saranda fshati është gjashtë orë larg e lëre më nga Borshi që u nisa unë.
Po?
Mbërrita natën vonë në postën e Janjarit, e cila ishte majë malit. Madje edhe fshati ishte pothuajse buzë vijës kufitare, shumë afër postës ku u vendosa unë. Ju bëj me dije se në atë zonë, si në të gjithë Shqipërinë, siç e kuptova më vonë, nuk ishte vetëm ajo postë ushtarake, por ato ishin në rresht. Kështu ishte posta e Janjarit, Vërvës, Zminecit, Konispolit etj.
Kur mbërrita më priti vetë komandanti i postës. Këtu u njoha me ambientin, ushtarët.
Të nesërmen më mori për të më bërë instruktazhin komisari i postës. Një Prenga, Prenga quhej. Komisari më thotë fill e për pe të gjitha rregullat që duhej të ndiqeshin në atë detyrë, ku ishim në mbrojtje të vijës kufitare të piramidës 71. Kjo për faktin se edhe në fshatin Borsh kishim detyrë luftarake për vijën kufitare, por duhet të kesh parasysh se aty ishte vija kufitare detare, ndërsa këtu ishte vija kufitare tokësore, që ishte katërcipërisht ndryshe në të gjitha detyrat dhe situatat luftarake, nëse do ta quajmë të tillë. Dua t’ju theksoj edhe një diçka tjetër, që duhet të kihet parasysh në këtë subjekt, që në ato detyra nuk njihej falja për ushtarin, madje për askënd nëse gabonin. Ishin reparte tepër speciale të gatishmërisë së përhershme. Për çdo gjë, qoftë edhe për një diçka shumë të vogël, nuk duhej të merrje kurrsesi vendime vetë, por duhet të lajmëroje komandantin për të marrë mënyrën e veprimit vetëm nga ai.
Çfarë ishte tamam ky lloj reparti, që në gjuhën ushtarake dhe atë të kohës quhej postë?
Posta ishte një repart ushtarak në të cilin ishin dislokuar ushtarët e caktuar për ruajtjen dhe sigurinë e një segmenti të kufirit. Pra, një postë kishte një segment kufiri, e ndarë me piramida të posaçme orientuese. Pas atij segmenti ishte posta tjetër e kështu me radhë vijonte rrjeti i postave ushtarake në të gjithë kufirin shtetëror të Shqipërisë.
Pra, për ta kuptuar më mirë lexuesi, posta kufitare është një repart ushtarak i vogël, i ndërtuar në vijën e kufirit për të siguruar një segment të caktuar të asaj vije, apo jo?
Ashtu është. Një postë kishte 25 apo 30 ushtarë. Në të ishte fjetorja e ushtarëve, dhoma e kulturës, ku ata mblidheshin për të lexuar apo për t’u argëtuar me lojëra të tilla si shah, televizor etj. Kishte mensën e ngrënies dhe ambientet e instruktimit, mbajtjes së armëve etj.
Pra, sa ushtarë kishte një postë?
Këto posta ishin pika ku përqendroheshin ushtarët për çlodhje për të marrë shërbimin.
Një postë kishte 25 deri në 30 ushtarë.
Sa larg ishin njëra-tjetrës këto posta?
Ishte një repart në çdo 20 km. Kjo kupton se një postë kishte në administrim plot 20 kilometra kufi shtetëror. Kjo do të thoshte se posta ishte ndërtuar në mes të këtyre 20 kilometrave që kishte detyrim t’i ruante. Pas kësaj, për 20 kilometërshin tjetër ishte posta e radhës dhe kështu me radhë vijonin postat përgjatë të gjithë kufirit të Shqipërisë.
Çfarë detyre kishit në postën ushtarake që shkuat?
Isha zëvendëskomandant poste.
Te zona që keni qenë me shërbim ju, ka qenë posta e fshatit Janjar afër Konispolit. Në krah të kujt poste ishte?
Ishte posta e Vulistrës, Karroqit dhe Zminecit etj., që po të llogaritësh tërë zonën e Konispolit, pra pikërisht atë zonë që isha, të gjitha përbënin më shumë se 400 ushtarë.
Kuptova. Ju vajtët në postën e Janjarit. Çfarë numri ishte piramida e asaj pike?
Isha në piramidën 71.
Kur kam shkuar unë në atë periudhë të ‘57-ës nuk kishte as tela, as gardhe. Siç ju shpjegova, ishin vetëm piramidat kufitare të vendosura në klon, ku kishin evidentuar në krye të tyre yllin e kuq të shoqëruar me shkrimin identifikues “Republika e Shqipërisë” dhe numri i piramidës.
Në gjithë zonën e jugut të Shqipërisë kanë qenë jo më pak se 200 apo 300 piramida, të cilat ishin larg njëra-tjetrës 100 metra.
Në postën time fillonte piramida 71 dhe vijonin në drejtim të Konispolit ato me numra 72,73 etj., sipas radhës.
Ku ishte vendosur saktësisht ajo piramidë ku shërbenit juve?
Saktësisht ishte në buzë të kufirit, në lartësinë më dominuese të atij segmenti. Ndërkohë që reparti ku ishim të dislokuar ne, që u caktuam për ruajtjen e saj ishte vendosur në distancë 500-600 m larg saj, që do të thotë se ishim më në brendësi të fshatit 500–600 metra.
Që të jem i qartë zoti Muho, piramida juaj ishte vendosur edhe në tokën greke?
Ishte fare në mes të zonës neutrale, tamam në kufi.
Çfarë instruksioni dhe urdhrash kishit për mënyrën e funksionimit me ushtarët grekë të matanë kufirit. Për shembull, nëse mund të kishit provokime prej tyre, si duhej të vepronit etj. Pra, çfarë u ishte thënë?
Për të thënë të vërtetën, unë ndenja një vit me shërbim në atë postë të Janjarit, ku pothuajse çdo ditë një këmbë e kisha në tokën tonë e një këmbë në atë greke, si i thonë fjalës, por atë një vit që ndenja unë, nuk pashe asnjë ushtar grek me përjashtim të civilëve, kryesisht banorë të zonave afër kufirit, që ruanin bagëtitë nga përtej kufirit, madje deri në kufi me tokën tonë. Me këtë dua të them se gjithë ajo zhurmë dhe gjithë ai mobilizim i djemve tanë, që vetëm në zonën e Përmet-Konispolit mund të ishin deri në 400 kufitarë, ishte si të thuash vetëm për ta ruajtur kufirin nga kalimet e shtetasve tanë të pakënaqur nga sistemi se sa nga ndonjë agresion i armiqve të jashtëm, siç pretendohej.
Më dolët në një moment deçiziv zoti Muho, për të cilin nuk do të doja ta kaloja pa u interesuar më hollësisht.
Ajo që unë do të kërkoja të dija është për të vërtetuar informacionet të siguruara në rrugë thashethemnajash se, në kufi në atë kohë kanë ndodhur vrasje edhe të njerëzve të pafajshëm, madje dhe të qëllimshme.
Ju them të pafajshëm për ligjet e atëhershme, pasi me ato ligje konsideroheshin të fajshëm ata që kalonin apo tentonin të kalonin kufirin.
Por unë kam dëgjuar se janë vrarë edhe njerëz që nuk kishin ndërmend të kalonin kufirin.
Nuk e di zoti Muho nëse jam i saktë, por ajo që insistoj t’ju kërkoj është se a janë vrarë këta njerëz në të vërtetë, apo kjo është thjesht një thashethemnajë?
Për sa më sipër do t’ju kërkoja ndoshta edhe me lutje që të paktën sot, kur kanë kaluar kaq dekada nga ato ngjarje, të mund të flisnim me pak sinqeritet në mënyrë që t’i bëjmë sadopak shërbim historisë.
Pra, ka ndodhur një fenomen i tillë?
Po ka ndodhur.
Mund të ma shpjegosh se si, kur dhe pse?
Ato janë ngjarje që ashtu siç e thatë dhe juve, me të vërtetë tragjike dhe drithëruese. Dhe bëhet akoma më e tmerrshme kur ato vrasje mund të bëheshin qoftë për motive banale.
Për shembull?
Bëheshin qoftë për një dekoratë apo më e keqja, se një vrasje makabre mund të bëhej qoftë edhe për një leje shpërblyese pranë familjes.
Leje pranë familjes?
Po, po leje pranë familjes. Ajo ishte problemi më i madh për ushtarët e asaj kohe, të cilët ishin adoleshentë dhe ishin shkëputur për herë të parë nga njerëzit e dhembshur të familjeve për të cilët rrinin tërë kohës të zhytur në mall, duke kërkuar mënyra dhe rrugë se si të shpërbleheshin me ndonjë leje.
Përse ishin aq të malluar?
Me sa mbaj mend unë, gjatë tre vjetëve sa kishim kohën e shërbimit të detyruar me rregullore dhe ligj, kishim të drejtë të shkonim vetëm një herë pranë familjes ku na akordohej vetëm një muaj leje. Kjo pra ishte shumë pak për moshat tona adoleshente, që e kishim për herë të parë që largoheshim nga familja, gjë që na bënte të ishim tepër të malluar në çdo çast.
Ishim të malluar jo vetëm për faktin se nuk mund të shkonim, por nuk kishte dhe mënyra të tjera komunikimi. E ka parasysh se në atë kohë jo që telefona nuk kishte me familjet, por edhe letrat kur niseshin, mbërrinin në repart pas një muaji. Pra në këto rrethana ne njerëz ishim, edhe mërziteshim madje shumë, por ç’të bënim?! Nuk kishim asnjë lloj zgjidhjeje.
Pra, në këtë situatë është abuzuar me detyrën deri në akte kriminale?
Po, në këtë situatë kanë ndodhur edhe këto fakte kriminale, që janë të pashlyeshme nga memoria e kujtdo që i ka mësuar aq sa në vesh të kanë ardhur edhe ty, megjithëse kanë kaluar më shumë se 60 vjet.
Ju flisni për ushtarët e të gjitha postave të atij brezi?
Ne i njihnim të gjitha postat e vijës së kufirit për faktin se jo vetëm si ushtarë, por edhe si kursantë kishim pasur rast t’i shëtisnim të gjitha, kështu që i njihnim mirë edhe të tjerat tas
read more "Habib Muho: Në kufi kemi vrarë fshatarë të pafajshëm për t’u shpërblyer nga komanda"

Κυριακή 7 Ιουλίου 2013

Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinës

Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinës
Nga: FATOS VELIU
Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinësPër herë të parë vijnë dëshmitë e panjohura mbi atë që ka ndodhur në kufirin e shtetit komunist të viteve '60.
Ish-rreshteri i shërbimit të vigjilencës në piramidat e kufirit jugor të Shqipërisë, Habib Muho, sjell faktet rrënqethëse mbi atë që ndodhte në zonën e butë të kontaktit me tokën greke.
- Si është e vërteta e ndërtimit dhe funksionimit të piramidave në vijën e kufirit shtetëror, të kthyera në simbol të gatishmërisë, vigjilencës dhe kryeneçësisë së shtetit militar komunist?
- Çfarë ka ndodhur me qytetarët që guxonin të preknin tokën e punuar, ndërsa synonin kalimin e klonit për në shtetin fqinj?
- Cilat ishin urdhrat e Sigurimit të Shtetit për patrullat kufitare, në rastet kur informoheshin për arratisjet e mundshme të shtetasve të zonave kufitare?
- Ngjarjet që kanë ndodhur në repartin e Habib Muhos, kur kufitarët kërkonin për të vrarë njerëz në shkëmbim të dekoratave dhe lejeve pranë familjeve të tyre.
- A është e vërtetë dhe si ka ndodhur me shtetasit që Sigurimi mësonte vendimet e tyre për largim në vendin fqinj dhe rasti enigmatik kur kufitari Muho konstatoi transportimin e të arrestuarit misterioz me thes kokë?
- Përse patrulluesi i vijës kufitare të orëve të mesnatës, Habib Muho, krijoi bindjen se njerëzit e transportuar mistershëm me "Gazin" sovjetik të Sigurimit të Shtetit dërgoheshin për t'u zhdukur në hendeqet e greminave të padukshme?

(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Muho, ndërsa folëm për shumë detaje dhe ngjarje të jetës suaj kufitare në zonat e jugut të Shqipërisë në vitet më të nxehta të epokës komuniste siç ishin '56-'60 mësuam se paska shumë episode dhe momente që duhet domosdoshmërisht të njihen për opinionin e gjerë, për të qenë gjithashtu edhe koshientë me historinë e përjetuar. Gjithsesi, para se të shkojmë më tej në subjektin tonë të dëshmuar nga ju për situatat e krijuara në sektorin më nevralgjik të asaj periudhe, do të doja të dija për origjinën dhe jetën tuaj të fëmijërisë derisa shkuat në pozicionin më të rëndësishëm të ushtrisë së atëhershme. Pra, si arritët ju në pikën specifike?
Unë kam lindur në majin e vitit 1937 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Kam lindur në një familje të varfër, ku ishim plot shtatë fëmijë dhe unë isha i shtati.
Kur kam lindur unë, dy motrat e para kanë qenë të martuara. Në shtëpi ishin dy të voglat dhe vëllezërit. Menjëherë pas lindjes sime, familja ka kaluar në rrethin e Sarandës, sepse u vendosëm në zonën e Rrëzomës, që e përmbledh ai rreth, ndaj dhe kur u mobilizova unë nga dega ushtarake e Sarandës, kalova për të bërë detyrimin ushtarak në atë rreth, duke më caktuar në kufirin shtetëror me Greqinë. Kjo sigurisht, pas një kursi tepër të gjatë dhe intensiv trajnimi.
Pra, keni shkuar qysh në fëmijëri në rrethin e Sarandës nga i cili më pas u mobilizuat ushtar për në kufi? Kur shkuam në zonën e Rrëzomës, pikërisht në fshatin Fushvërri, atë kohë unë kam qenë aty rreth 4-5 vjeç. Për kuriozitet po të them se neve kemi qenë tre vëllezër dhe të tre e kemi bërë ushtrinë në kufi, madje në zonat më të largëta dhe më të nxehta për nga problematika.
Ku konkretisht? Vëllai i madh dhe i dyti e kanë bërë shërbimin në Vermosh, pra në kufi. Po kështu ndodhi dhe kur më erdhi radha mua, kur më thërritën ushtar menjëherë si mbusha moshën 18 vjeç. Edhe unë si u thërrita për ushtar, m'u caktua lloji i armës siç konsiderohej atëherë drejtimi ku do shërbeje, në kufi. Ju fola gjatë që ky ishte një eveniment i madh për mua dhe familjen time, madje një besim i tillë ishte më shumë se krenari. Kështu konsiderohej atëherë, ndaj edhe unë s'kish si të mos e prisja me shumë emocion një lajm të tillë.
Megjithëse ma shpjeguat nga numri i parë i kësaj intervista, do të doja të ma përsërisnit se përse ju u ndjetë aq krenar dhe aq i nderuar që ju caktuan në një front të atillë si kufiri? Mos duhet ta marr me rezerva për sa më thoni? Ishte 22 gushti i vitit 1956, kur u thërrita për të bërë ushtrinë pikërisht në zonën e kufirit jugor të Shqipërisë.
Jua theksoj se jemi në vitin 1956, kur kishte pak vite që Shqipëria kishte kaluar provokacionet e përgjakshme dhe të zhurmshme të '49-s nga ana e fqinjëve grekë. Ato histori vinin te ne fëmijët në formë legjendash dhe kufiri ishte mitizuar në atë mënyrë, saqë na dukej e pabesueshme se do të vinte një ditë që ta preknim apo të shkonim drejtpërsëdrejti pranë tij.
Unë mund t'ju kujtoj këtu faktin se në atë kohë, nëse do të të duhej të shkoje në fshatrat kufitarë, madje si në Ksamil, Butrint, Vrinë, Konispol, Shkallë, Janjar etj., që s'dua t'i përmend të gjitha, nuk mund të shkoje pa marrë leje me shkrim nga organet e Degës së Brendshme të rrethit të Sarandës. Kjo ishte edhe nëse kishe një dasmë për shembull, tek një afërm që mund të kishe në ato zona. Të gjithë miqtë që do shkonin për bujtur në dasmë, duhet të paraqiteshin në Degën e Brendshme të Sarandës dhe të dorëzonin pasaportat ku duhej të pajiseshin me leje, për shembull për në Ksamil, ku do të tregoje arsyen e vajtjes, e cila sigurisht verifikohej. Pra, ishte e pakalueshme të shkoje qoftë edhe si mik në fshatrat dhe qytezat afër kufirit dhe jo më të mendoje të shkoje deri në kufi.
Nga ana tjetër, në kohën e adoleshencës truri ynë ishte bombarduar me episodet dhe historitë që tregoheshin nën zë dhe që qarkullonin gojë më gojë, duke thënë që "kapën djalin e filanit apo të fistekut" si dhe rastet e thënieve tip lajmesh të natyrave të tilla si: "sonte natën në kufi ka pasur vrasje. U vranë dy fierakë apo dy shkodranë në kufi" etj., etj. Këtu ju siguroj se nuk jam duke vulgarizuar aspak, asnjë fije të këtyre episodeve që jam duke shtjelluar, me qëllimin për t'ju treguar për figurën e kufirit në trurin tonë.
Çfarë do të thoshte për ju bombardimi i trurit në mënyrë sistematike nga ngjarjet e kufirit të rrethit ku jetonit, ku për hir të faktit mund të them se ka qenë një zonë e sulmuar për arratisjet jashtë atdheut, siç cilësohej në atë kohë një largim përtej kufirit? Episodet dhe detajet që ju përshkrova kishin ngulitur në mendjen tonë si djelmosha adoleshentë në rritje, se në kufi ishte zona më e hekurt dhe e sigurtë e shtetit dhe se aty bëhej nami dhe çudia.
Për shembull, çfarë aluzioni kishit krijuar për kufirin deri në momentin që shkuat? Ne na ishte ngulitur fort në mendjet tona djaloshare që udhëhiqeshin nga pasioni i aventurës se aty tej në kufi bëheshin masakra dhe se aty formohej trimëria. Aty kishe mundësi të tregoje forcën dhe se vetëm aty mund të demonstroje patriotizmin. Unë nuk do të harroja t'ju kujtoja këtu se veç këtyre që përmenda, në qeniet tona të njoma nuk mund të kalonin pa lënë mbresa rastet kur të vrarët apo të kapurit në kufi i demonstronin para publikut, duke i sharë dhe fyer, madje duke i tërhequr edhe zvarrë.
Ju thërritën në degën ushtarake të…? Në degën ushtarake të Delvinës. Ishte koha që të gjithë djelmoshat që shkonin ushtarë në atë kohë, caktoheshin në kufi, i cili me sa dukej, kishte shumë nevojë. Këtë nevojë e pashë edhe vetë kur shkova në shërbimin e postave kufitare. Në atë sektor kishte shumë nevoja, për faktin se kufiri shtetëror po "blindohej" me ushtarë në mënyrë të paimagjinueshme.
Në ç'mënyrë? Gjatë të gjithë kufirit në të cilin vargonin rreshti i piramidave të posaçme orientuese kishte reparte ushtarake apo posta kufitare, siç quheshin. Ndaj edhe neve, i gjithë brezit ynë që shkuam në atë kohë ushtarë, kemi përfunduar në kufi, madje mund të them këtu se ishim tre bashkëfshatarë në atë grup, të cilët, ashtu si të gjithë, përfunduam në të njëjtin rajon, siç ishte kufiri jugor i Shqipërisë.
Kam dëgjuar zoti Muho, gjë që e pohuat edhe juve në fillim të kësaj interviste, që megjithëse kufiri kishte shumë nevojë për ushtarë, një kapacitet të jashtëzakonshëm njerëzor, shteti i atëhershëm ta dislokonte aty.
Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë pohim është se këta djelmosha të mobilizuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak para se të dërgoheshin në kufi, përgatiteshin dhe instruktoheshin në mënyrë të jashtëzakonshme në shkolla të posaçme instruktimi. Juve i ndoqët këto lloj arsimimesh para se të shkonit në detyrën efikase në kufirin shtetëror? Patjetër. Është absolutisht siç po e përshkruani ju. Para se të shkoje në repart, kërkohej një përgatitje e gjithanshme në shkollat e instruksionit, siç e thatë dhe ju. Konkretisht kur jam mobilizuar unë, ka qenë pikërisht 22 gusht i vitit 1956. Ju thashë që sa kisha mbushur të 18 vitet e jetës. Qendrën e instruksionit për ushtarët e kufirit e kishin vendosur në Tepelenë. Aty instruktonin dhe përgatisnin ushtarët e të gjitha rretheve të jugut, të cilët përgatiteshin për të kryer shërbimin ushtarak në kufirin me Greqinë, duke filluar nga zona e Përmetit e deri matanë Konispolit.
Më bën shumë përshtypje zoti Muho kjo lloj stërvitjeje tepër speciale që po u bëhej ushtarëve, të cilët dërgoheshin në kufirin grek, ndryshe nga ushtarët që dërgoheshin në sektorë të tjerë të specialiteteve të ushtrisë së atëhershme. Juve konkretisht, sa kohë stërvitje keni bërë në qendrën e instruksionit të përqendruar në Tepelenë? Kemi bërë më shumë se katër muaj stërvitje tepër intensive, ku përgatiteshim në specialitetin specifik të kufirit. Përveç përgatitjes fizike për të cilën as që bëhet fjalë që ishte e niveleve maksimale të vështirësive, ne mësonim edhe për topografinë e terrenit, për shtigjet, për sulmet, për grackat, për pritat, për kapjet e befasishme, për luftimet trup më trup në të cilat duhet të bënim të gjitha llojet e driblimeve dhe goditjeve ndaj kundërshtarit, që në rastin konkret do të ishte jo vetëm armiku matanë kufirit, por edhe shtetasi ynë, i cili mund të guxonte të kalonte kufirin, duke u konsideruar pas kësaj armik, ashtu siç ishte dhe ai i përtej kufirit fqinj.
Pra, thatë se aty në qendrën e stërvitjes speciale të Tepelenës ishin grumbulluar ushtarët e të gjitha rretheve të jugut, që ishin caktuar me shërbim sipas postave në tërë vijën kufitare me shtetin grek, apo jo? Po, po absolutisht ashtu. Ne aty bënim stërvitje për t'u specializuar në mbrojtje të kufirit jugor, i cili ndahej në Përmet.
Jemi duke folur shumë konkretisht, ndaj jam i detyruar t'ju pyes për komandantët e kufirit të asaj periudhe që po flasim. I kujtoni emrat?
Patjetër që i kujtoj, si s'i kujtoj?! Komandantët e kufirit sipas sektorëve që po ju them, ishin shumë të njohur për vetë rëndësinë që kishte kufiri, siç dhe jua shpjegova më lartë. Kështu, ju thashë që kufiri sipas sektorëve ndahej në Përmet. Për gjysmën e tij ishte komandant Baki Starja dhe për gjysmën tjetër, komandant ishte Abdyl Bizhga.
Pra, kishte dy komandantë për të gjithë kufirin e territorit të Shqipërisë? Po. Ju thashë se ruajtjen dhe mbrojtjen e gjysmës së kufirit të Shqipërisë e drejtonte komandant Baki Starja. Kjo pjesë, ku ishte komandant Starja përfshinte edhe kufirin detar që nga Vlora, vijonte më tej duke mbërritur në Shkodër e deri në Vermosh. Ndërsa repartet ushtarake të gjysmës tjetër në mbrojtje të kufirit të vendit i drejtonte komandanti Abdyl Bizhga.
Më folët në fillim të kësaj interviste për rastet që ju kishit spikatur që në moshën e adoleshencës, kur të arrestuarit në tentativë për kalim kufiri konsideroheshin armiq të atdheut dhe popullit. Ju cilësuat se kishit mësuar për njerëz të gjallë dhe të vdekur që i hiqnin zvarrë mbrapa makinës së Degës së Punëve të Brendshme, apo jo? Ndodhën këto raste kur ju ishit me shërbim në këtë sektor, që do ta quaja sa krenar aq edhe tragjik? Është shumë e vërtetë. Jua thash dhe po jua risqaroj sërish. Këto episode rrënqethëse kishin ndodhur rregullisht në rrethin e Sarandës. Kishte shumë raste kur njerëzit binin në dorë të forcave të rojeve kufitare vetëm të vdekur. Këtu kemi parasysh se këtë ta vrarë ishin jo vetëm në kufirin tokësor, por edhe në kufirin detar, i cili patrullohej në mënyrë të njëjtë si ai tokësor.
Nga kush ruhej kufiri detar? Skafet e degës e rojes kufitare, që vareshin nga Dega e Brendshme, ashtu siç varej i gjithë kufiri dhe Dega vetë që varej nga Ministria e Brendshme, ndodhte që binin shumë herë në njerëz që kalonin me not apo kamardare për në ujërat greke. Këta mund të qëlloheshin apo të kapeshin të gjallë. Kjo varej nga situata që krijohej me rojet, të cilët lundronin me prozhektorët e fuqishëm në skaf. Por këto roje mund të ishin edhe të papërgjegjshëm dhe t'i godisnin kur mund t'i shtinin në dorë të gjallë.
Po atëherë pse ndodhte kjo? Sepse duhet të kesh parasysh se urrejtja ndaj atyre që cilësoheshin armiq ishte shtrirë dhe kthyer në bindje edhe te njerëzit e zakonshëm, të cilët për t'u treguar sa më besnikë mundoheshin të ishin sa më të ashpër. Në rastet kur vrisnin, ata përshkruanin një situatë të detyruar që kishin hapur zjarr.
Meqenëse jemi në kufirin detar, për faktin se Saranda i ka të dy kufijtë si atë detar, ashtu edhe atë tokësor, le të ndalemi paksa tek ai detar, pavarësisht se ju keni qenë kufitar në zonën e piramidave të vijës tokësore Janjar - Konispol. Cilat kanë qenë pikat ku mund të arratiseshin me not njerëzit në Sarandë? Për saktësi po ju theksoj se unë kam qenë jo vetëm në shërbim në vijën e piramidave tokësore, por edhe në vijën detare, pasi më shumë se një vit kam qenë në zonën e Borshit, ku më çuan menjëherë sapo mbarova kursin, për faktin se do të vijonim përgatitjen për rreshterë dhe ndërkohë do ishim në shërbim të kufirit detar të zonës. Kështu që e njoh shumë mirë edhe situatën e atëhershme në atë zonë. Për sa i përket asaj që pyetët, po ju them se zona më e piketuar për kalim kufiri detar ka qenë ajo e fshatit Çukë, që është rrugës për në Ksamil si dhe ajo e fshatit Vrinë, e cila ndodhet pikërisht sa kalon Butrintin. Kush ka shkuar në Butrint, shikon me sy lundrën që të çon në Vrinë, por mund të shikoj edhe kodrat e shtetit grek, që duken me sy të lirë.
Ajo ishte distanca më e shkurtër që mund të hahej edhe me not, ose mjaftonte një kamardare e gomave të makinave të transportit dhe mund të arrije, nëse nuk të pikasnin prozhektorët e skafeve të kufirit, që rrëshqisnin vazhdimisht në tërë hapësirën ujore, deri matanë ujërave tona.
Madje për kuriozitet do t'ju kujtoja një tip kënge të vargëzuar, që përdorej nga të rinjtë e asaj kohe ku thoshin:
Rrugë e re ndërkombëtare,
Çukë - Korfuz me kamardare.
Meqenëse paskeni shërbyer dhe në kufirin detar, kur ndodhte që mundeshit t'i kapnit ata që tentonin kalimin e kufirit me not? Kurioziteti ishte se nuk mund të notonin gjatë kohës që do të kalonte një traget në ngushticën që ata ishin duke notuar. Këtë nuk e dinin mirë dhe ndërsa kalonte trageti, ata që nuk ishin pikasur nga rojet, rrezikonin shumë për të mos thënë se përfundonin në prangat e rojes së stërvitur.
Pse ndodhte kjo? Sepse trageti çante ujin në thellësi dhe e kthente në sipërfaqe, duke sjellë nga thellësia ujin e ftohtë të padurueshëm për organizmin e njeriut, për faktin se mund të kishte muaj apo dhe kohë më të gjatë pa kontaktin e rrezes së diellit. Në këtë moment notuesit bllokoheshin fare saqë i kapte drita e prozhektorit që përshkonte rrëmbyeshëm të gjithë hapësirën ujore.
Dhe këta njerëz, edhe kur i kapnin të vdekur i zvarritnin? Folëm për rastet kur në kufirin e Sarandës si detar, ashtu edhe tokësor kishte shumë shkelje dhe rastet që mund të kapeshin të gjallë apo të vdekur ishin po ashtu të shumta. Kjo ndodhte se në Sarandë mund të vinin njerëz nga e gjithë Shqipëria, që e kishin ndarë mendjen për t'u larguar jashtë atdheut. Me sa duket, ka qenë dhe udhëzim demaskimi dhe publikimi i tyre në popull, me qëllim terrori për të ndaluar përsëritjet me idenë se kështu do të përfundonin edhe të tjerët që do të guxonin.
Si i lidhnin të vdekur? Lidheshin me kavo mbrapa çengelit të xhipit sovjetik që kishte Dega e Punëve të Brendshme e rrethit. Pas kësaj xhipi ecte ndërsa i vdekuri zvarritej mbrapa mbi asfaltin e qytetit. Por mund të ndodhte që i vrari në kufirin detar apo në ndonjë shteg të kufirit tokësor të mund të shëtitej si kufomë edhe në karrocerinë e ndonjë makine transporti, ku spontet ishin të hapura për t'u ekspozuar para kalimtarëve të tmerruar.
Po çfarë bënte populli? Po bindja ishte se nuk duhej të arratiseshe... Në atë kohë propaganda politike besohej kollaj nga njerëzit që nuk kishin parë më tutje, kështu që e dënonin veprimin e personit të vrarë. Madje, kishte nga ata që pështynin nga larg në drejtim të kufomës, duke u shprehur me neveri:
"Ptu mallkuar qofsh! Ta paskan bërë paq more maskara. Kush të kishte njohur që paske qenë një armik kaq i egër i popullit tënd?!".
Ju kujtoj se këtyre njerëzve nuk u dihej as varri ku do të mbuloheshin, pasi nuk u jepeshin familjes. Madje familja priste persekucionin e radhës, duke filluar nga internimet.
Pra, këto skena ju i kishit parë që në adoleshencë para se të shkonit ushtar, apo jo? I kisha parë atëherë dhe më mbrapa kur shkova vetë ushtar në kufi, madje kur u gradova pas specializimeve që kreva. U bëra rreshter apo përgjegjës grupi.
Kishte ndodhur të vriteshin apo të kapeshin në repartin ku ishit juve? Po, kishte pasur edhe të vrarë, por për koincidencë në shërbimin tim nuk ka ndodhur dhe shyqyr, se do më ngelej gozhdë tërë jetën, pasi po të kalonte kush në orën që shërbenim deri në tre veta në një patrullë, detyrimisht do të vritej. Por ka pasur më shumë të vrarë në postat komshi me neve, madje në të gjithë Shqipërinë kishte pothuaj përnatë.
I mësonit juve? Na lexohej komunikata operative çdo mëngjes mbi gjithçka ndodhte në tërë kufirin shtetëror të republikës, e cila përpilohej në ministri nga informacionet e marra me telefon dhe e jepte në repartet kryesore çdo mëngjes dhe ato na i përcillnin neve. Pra, ishin kthyer në rutinë skena të tilla të pabesueshme.
read more "Habib Muho: Njerëzit e vrarë në kufi zvarriteshin të lidhur pas makinës"