Παρασκευή 12 Μαΐου 1972

Viti 1956 Vuajtjet e popullit shqiptar në diktaturën komuniste Sistemi i triskëtimit dhe propaganda


by The Albanian (Σημειώσεις) on Τετάρτη, 7 Σεπτεμβρίου 2011 στις 7:10 μ.μ.
Nga: Kastriot Dervishi
http://www.thealbanian.co.uk/
Pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 1956 se SHBA ishte e gatshme të ndihmonte popullin shqiptar me ushqime, qeveria komuniste e Tiranës, me rekomandim të Moskës, hoqi në vitin 1957 sa për sy e faqe sistemin e triskëtimit.





Në dhjetorin e vitit 1956, burimet zyrtare komuniste në Shqipëri, njoftonin se gjatë hedhjes së trakteve nëpërmjet avionëve, Komiteti “Shqipëria e lirë” (që vepronte si një qeveri shqiptare në mërgim), i bënte të njohur popullit shqiptar se kishte kërkuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndihmë jo vetëm politike, por edhe ushqimore për popullin e vuajtur shqiptar. Ishte viti 1956, koha kur në Lindjen komuniste kishin ndodhur ndryshime. Regjimet staliniste kishin ndryshuar brenda frymës hrushovianiste, stalinizmi kishte marrë goditje të fortë në Bashkimin Sovjetik. Ndërkaq populli shqiptar vuante prej vitesh një uri ekstreme të shkaktuar nga represioni i një regjimi thellësisht antipopullor. Prej vitesh vepronte një sistem triskëtimi që përveç të tjerash mbante shumë lart nivelin e varfërisë dhe skamjes. Kjo i takonte asaj që prodhonte një regjim i tillë.


Në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist u ngritën marrëdhëniet e reja socialiste. Sistemi i grumbullimit u merrte bujqve sasinë e tepërt të prodhimit dhe u linte atë që konsumohej. Në qytet vepronte sistemi i marrjes së ushqimeve dhe veshmbathjes me anë të triskëtimit. Fshatarësia triskëtohej nga shteti edhe për prodhime industriale. Pas prishjes me Jugosllavinë, në vend u përdor një sistem i ri grumbullimi e i furnizimit të popullsisë. Në fillim të janarit 1949, sipas një vendimi të KQ të PPSH-së dhe të qeverisë u vu në përdorim një sistem i ri grumbullimi, në bazë të të cilit bujku i shiste shtetit një sasi të caktuar drithi e prodhimesh të tjera, ndërsa tepricat i përdorte vetë. Në këtë mënyrë kishte filluar planizimi i detyrimeve. Në vend u krijuan tre lloj tregjesh:


-Tregu i garantuar, i cili siguronte ushqim e veshmbathje për të gjithë punonjësit në marrëdhënie pune, të pajisur me triska. “Garantimi” ishte në fakt formal se kurrë nuk garantohej gjë.


-Tregu reciprok, i cili furnizonte fshatarësinë prodhuese, nëpërmjet shkëmbimit të tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale me prodhimet industriale të racionuara.


-Tregu i lirë, ku shiteshin artikujt e ndryshëm me çmime të larta.


Me këtë sistem, tregu i zi, zhvillohej natyrshëm, pavarësisht se në kushte klandestine.


Heqja e pjesshme e sistemit të triskëtimit, u bë vetëm më 28 dhjetor 1955.


Përfundimisht sistemi i triskëtimi u hoq për efekte propagandistike në vitin 1957. Ky sistem do rikthehej në fundin e regjimit, në vitet ‘80. Ashtu siç e hapi qeverimin e tij, me triska, ashtu edhe e mbylli. Ndryshimi ishte se doli fjala “tollona” në vend të fjalës “triska”.





Në fjalimet e drejtuesve



Gjendja e vështirë ekonomike dhe përdorja e sistemit të triskëtimit, arriti deri në një pikë që u prodhuan edhe triska false. Në vitet ’50 organet e policisë zbuluan një grup të vogël për të cilin u tha se shpërndante triska. Në një treg të vogël si Shqipëria, futja e letrave të tilla dilte menjëherë.


Në kongresin e 3-të të PPSH-së kryeministri Mehmet Shehu foli për Planin e Parë 5-vjeçar dhe për atë pasardhës. Ai theksonte se sistemi i triskëtimit që vazhdonte në vend, nuk mund të ishte një sistem normal dhe, nëse nuk ishte hequr deri atë çast, kjo ndodhte, sepse nuk lejonin “mundësitë materiale për ta hequr këtë sistem”. Në lidhje me Planin e Dytë 5-vjeçar, Shehu tha se vërehej një mosbarazi në ritmet e rritjes midis industrisë dhe bujqësisë. Kjo e fundit cilësohej si e prapambetur dhe për këtë, si rrugëzgjidhje, këshillohej shtim i ritmeve të kolektivizimit.


Dy vjen më pas, në fushatën për zgjedhjet në Kuvendin Popullor, në fjalimin përpara zgjedhësve E. Hoxha tha se brenda 14 viteve Shqipëria kishte bërë ndryshime të mëdha të cilat, sipas tij, ishin realizuar nga uniteti i çeliktë i popullit me PPSH-së. Pasi përmendte ndihmën e madhe të BS-së dhe demokracive të tjera popullore, Hoxha theksonte se ishte rritur niveli i kolektivizimeve në vend dhe numri i kooperativave bujqësore nga 129, që kishin qenë në vitin 1953, në 1912, ose rreth 70% të sipërfaqes së përgjithshme të tokës. Udhëheqësi komunist e quante kolektivizimin të vetmen rrugë të drejtë për bujqësinë shqiptare si e dhe vlerësonte ndihmën “jashtëzakonisht të madhe”, që kishte dhënë BS për Shqipërinë, si faljen e kredisë prej 422 milionë rubla, të dhënë deri më 1955, 31 milionë për zhdukjen e triskëtimit dhe 161 milionë për bujqësinë e kuadrot. Hoxha mbrojti me të madhe BS-në, qëllimet e të cilit i quajti “fisnike”, ndërsa përmendi ndihmën e madhe që i jepnin çështjes arabe sovjetikët, duke përmendur me këtë rast presidentin e Republikës së Bashkuar Arabe, Gamel Abdel Naser-in.


Çështja arabe, ka zënë një vend të konsiderueshëm në fjalimin e Hoxhës, ndërsa nuk janë lënë jashtë vëmendjes, sukseset e Kinës, vendeve të tjera socialiste dhe “shpëtimtari i lavdishëm Bashkimi Sovjetik”, ndërsa u qortuan “revizionistët jugosllavë”.


Kryeministri Mehmet Shehu, në fjalën e tij tha se qeveria e re do të ecte në të njëjtën rrugë që kishte ecur ajo paraardhësja. Sipas tij, “ajo do të udhëhiqej nga vija e Partisë së Punës”.


Në politikën e brendshme përmendej “përmirësimi i vazhdueshëm i gjendjes materiale dhe kulturale të popullit” ndërsa, në atë të jashtmen,s “sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të atdheut, sigurimi i paqes, duke u bazuar në miqësinë e pathyeshme të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të kampit socialist”. Kryeministri bëri një krahasim të përfundimeve të zgjedhjeve kuvendore në vend, duke nxjerrë se gjatë viteve 1945 – 1958, “janë bërë ndryshime të mëdha kualitative në përbërjen e klasave” si dhe në raportin e tyre. Sipas tij, volumi i përgjithshëm industrial ishte 64.2% më i lartë se në vitin 1953 dhe ai bujqësor 119.2% më shumë. Ai përmendte se tani vendi kishte 2700 traktorë, se ishte hequr sistemi i triskëtimit, ishte rritur volumi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave, ishte hapur Universiteti i Tiranës, etj.





“Heqja” e triskave dhe propaganda





Komunistët kishin refuzuar disa herë ndihmën bujare të SHBA-së. Ky refuzim ishte bërë qysh me UNRRA-n, planin “Marshall” e më raste të tjera. Si regjim i lidhur me Bashkimin Sovjetik, ata e kishin të vështirë të pranon se shteti më i fuqishëm i botës ishte SHBA-ja. Deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit e vitit 1956 dhe hedhja e trakteve ku thuhej kjo e vërtetë, e detyroi regjimin e Tiranës të kërkonte ndihmën e Moskës për të hequr triskëtimin. Heqja e sistemit të triskëtimit më 1957, më së shumti i dedikohet deklaratës në fundit të vitit 1956.





Amerika dhuron përsëri ushqim popullit shqiptar





Në 28 Nëntor, Ditën e flamurit, në përgjigje të letrë – ftesës që z.Hasan Dosti, kryetar i KKSHL (Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”), i drejtoi Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Departamenti Amerikan në një deklaratë shtypi, njoftoi botërisht:


“Populli amerikan është thellësisht i interesuar mbi fatin dhe vuajtjet e popullit shqiptar, pasi Amerika ka luajtur një rol me rëndësi në rivendosjen e independencës shqiptare pas Luftës së Parë Botërore.


Amerika beson se regjimi komunist në Shqipëri, mbajtur në këmbë nga sovjetët, nuk mund të ndryshojë rrugën e historisë. Ndërkaq Amerika, bën ç’është e mundur për të lehtësuar vuajtjet e popullit shqiptar, prandaj përsërit dhuratën ushqimore.


Shqiptarë! Vëllezër e motra. Dhurata ushqimore amerikane me 1 milion dollarë, është gjithnjë në dispozicionin tuaj. Pritet pranimi.


Përse në të kaluarën, regjimi i Tiranës, nuk pranoi këtë dhuratë dhe nuk lejoi organizatën asnjanëse të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ta shpërndante ndër fëmijët e uritur? Përse Kremlini lejoi Gjermaninë Lindore, Çekosllovakinë, Hungarinë të pranojnë kësi dhuratash dhe Shqipërinë jo. Përse qeveritarët e Tiranës nuk lejojnë popullin të përfitojë nga dhurata, kurse ata vetë, përpiqen të mbledhin dollarë amerikanë? Nëse hambarët i kanë plot, sikurse pretendojnë, përse nuk zhdukin triskat ushqimore dhe nuk ulin çmimet?


Popull shqiptar! Ke të drejtë dhe detyrë të kërkosh përgjigjen e këtyre pyetjeve. Të drejtat fitohen, nuk dhurohen.


Asgjë nuk mund t’i qëndrojë presionit dhe veprimtarisë së përbashkët të një populli të vendosur!”.





Trakti i hedhur në emër të Komitetit “Shqipëria e Lirë”.





Rruga e pushtetit të Ramiz Alisë





Mbi 20 vjet më parë, në mesnatën e 17 dhe 18 dhjetorit 1981, në shtëpinë e kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, ndodhi një diçka e pazakontë që u quajt nga zyrtarët komunistë si “vetëvrasje e Mehmet Shehut”. Si pasojë e kësaj mëngjezi i 18 dhjetori 1981, e gjeti Shqipërinë me kryeministër të vrarë. Dhe në mënyrë të kuptueshme që nga ajo kohë e deri sot nuk kanë munguar pyetjet dhe enigmat në lidhje me këtë vrasje. Ç`farë ishte ajo? A ishte vërtet “vetëvrasje”? Pse pikërisht në fund të vitit 1981, dmth në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës.  Çfarë ndodhi në të vërtëtë në mbrëmjen e asaj nate në shtëpinë e kryeministrit Shehu? Si dhe përse u eliminua figura nr 2 e hierarkisë komuniste? A mund të ishte pa qëllim politik vrasja e Mehmet Shehut. Ç`farë ndodhi pra me një ndër njerëzit kryesorë të diktaturës komuniste në Shqipëri? Kush i kontrolloi depozitat financiare të Mehmet Shehut në Perëndim pas vdekjes së tij.


Pikërisht për këto dhe enigma të tjera, tentojmë të zbardhim të vërtetën me anë të këtij dossier-i, pa marrë absolutisht anën e ndonjë personazhi të këtyre ngjarjeve, efektet e së cilave janë reflektuar thellë skematikisht edhe në politikën e sotme shqiptare në kahun politik të majtë. Për më tepër vetë ngjitja e Ramiz Alisë në majën e pushtetit komunist në Shqipëri është një fenomen që fatkeqësisht kurrë nuk ka pasur analizën dhe vëmendjen e duhur qoftë në shtyp apo në botime të veçanta.


- KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME


Çështja e pushtetit komunist në Shqipëri në 50 vitet e fundit është më shumë se një histori më vete. Ajo i ka fillesat e veta qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore kur dy jugosllavët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha formuan më 8 nëntor 1941, shtojcën e agjenturës jugosllave në Shqipëri të quajtur Partia Komuniste e Shqipërisë. Qysh në këtë kohë ata piketuan edhe udhëheqësin që do të drejtonte Partinë Komuniste të Shqipërisë e për rrjedhim edhe shtetin shqiptar në vitet pas mbarimit të luftës.


Në historinë aspak të lavdishme të PPSH-së, ka pasur tre momente projektimi të pushteteve.


Momenti i parë ka qenë ngritja e Enver Hoxhës në krye të PKSH-së nga jugosllavët. Momenti i dytë ka qenë përgatija e terrenit dhe ngritja në pushtet e Ramiz Aliasë nga Enver Hoxha dhe momenti i tretë është ai që shënon fundin e vitit 1990 dhe fillimin e vitit 1991 kur Ramiz Alia përgatiti dhe la në pushtet pasardhësin të tij Fatos Nano, të cilit i dorëzoi çelësat e Partisë e Punës.


Vetë politika e këtij të fundit ka ecur në ato piketa që pat përcaktuar Enver Hoxha dhe ka vijuar Ramiz Alia si në partneritetin e fshehtë me jugosllavët ashtu edhe në doktrinën e “Dy popuj miq” që doli pas vdekjes së Hoxhës.


Historia që zyrtarizon lidhjet e komunistëve të Shqipërisë siç e thamë edhe më lart fillon qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Njeriu i jugosllavëve Enver Hoxha, që gjithsesi është e vështirë të besohet se nuk ka qenë shërbëtor i bindur i ndonjë agjenture historikisht antishqiptare, u bë drejtues i PKSH-së në mars të vitit 1943 në konferencën e Labinotit. Për shkak të kësaj ngritje Hoxha kishte detyrime ndaj armiqtë shekullorë të shqiptarëve që ishin serbët.


Sa për kujtesë po kujtojmë nga ajo kohë një ndër direktivat më të rëndësishme e më të njohura të  Enver Hoxhës, atë të datës 3 nëntor 1943, dërguar  në emër të KQ të PKSH-së, komiteteve qarkore, ku ndër të tjera thuhet:


“Duhet të popullarizojmë luftën nacional-çlirimtare dhe veçanërisht të jugosllavëve dhe grekëve. Duhet të shtrojmë haptazi dhe pa ndrojtje problemin e vëllazërimit tonë me popujt jugosllavë dhe grek. Të demaskojmë pa mëshirë reaksionin dhe shovinizmin që mundohet të na vërë në luftë me fqinjët, ta bindim popullin se interesi i lartë i atdheut kërkon që të jemi të vëllazëruar me popujt grek e jugosllavë, t`ia heqim maskën shovinizmit që mundohet të dalë si mbrojtës i Shqipërisë nga të huajt dhe t`i tregojmë botës se ne dhe vetëm ne e mbrojmë Shqipërinë nga okupatorët dhe nga imperializmat e huaja. Duhet ta bindim popullin se lëvizja nacional-çlirimtare greke dhe jugosllave jo vetëm që nuk cënon indipendencën tonë, por ndihmon për ta fituar”( shih “PPSH Dokumenta kryesore”, vëllimi I, faqe221, Tiranë 1971).


Një model tipik jugosllav ishte edhe Kongresi komunist i Përmetit (24-28 maj 1944) , si kopje e pastër e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it (29 nëntor 1943) të mbajtur në Jajce të Jugosllavisë. Të gjitha organet që dolën nga “kongresi” i mbajtur në Përmet si KANÇ-i (Komiteti Anifashist Nacional-Çlirimtar) dhe Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar që ishte një lloj qeverie, ishin të njejtat gjëra që dolën nga mbledhja e Jajces. Nuk po zgjatemi në të tjerat por po kujtojmë se në deklaratën e “kongresit” ju kushtua rëndësi e madhe “vëllazërimit me popujt e ballkanit” dhe domosdoshmërisë se “krijimit të një federate ballkanike”.


Pas Luftës së Dytë Botërore pushteti që u ndërtua në Shqipëri u vu plotësisht në shërbim të jugosllavëve. Kjo u pa edhe në vizitën e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi më 23 qershor-2 korrik 1946 dhe në traktatet që nënshkroi Shqipëria me Jugosllavinë. Veçojmë nga fjala e Enver Hoxhës në aeroportin e Beogradit:


“...Ju siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret për popujt e Jugosllavisë. .......U çelnikos miqësia dhe vëllazërimi do të jetë i përjetshëm pse prej këtej varet e ardhmja e lumtur e popullit tonë, pse ky vëllazërim dhe kjo miqësi është e ngushtë është një nga faktorët më kryesorë të vëllazërimit të Ballkanit dhe është një faktor për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë....(gazeta “Bashkimi” 25 qershor 1946).


Enver Hoxha në përshëndetjen e tij në Beograd ndër të tjera ka theksuar:


“...Në të kaluarën populli shqiptar ishte ndarë nga Jugosllavia për shkak të veprimtarisë së kombinuar të klikave të vendit dhe të jashtme, që kishin qëllim të përçanin dy popujt vëllezër. Me gjithë këtë populli shqiptar tregoi gjatë luftës dëshirën e fortë që t`ia presë rrugën kësaj politike antipopullore. Më në fund populli shqiptar e gjeti rrugën e drejtë dhe sot ai sheh tek Jugosllavia jo vetëm popullin vëlla e aleat por edhe mikun e tij, popullin që i ka dhënë një përkrahje të fortë si gjatë luftës ashtu edhe tani në paqe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.....”(gazeta “Bashkim” 26 qershor 1946).


Gjatë vizitës së tij në Jugosllavi Enver Hoxha shkoi kudo përveçse në Kososë. Ai u takua edhe më udhëheqësin komunist Josip Broz-Tito. Kur u kthye në Tiranë më 2 korrik 1946 Enver Hoxha do të deklaronte në aeroportin e Tiranës:


“..Ne, popujt vëllezër të Jugosllavisë i kemi miq të mëdhenj dhe nga më të sinqertit, dhe këtë miqësi do ta ruajmë si sytë e ballit, ta forcojmë dita-ditës pse ajo është garancia shumë e madhe e mbrojtjes së indipendencës dhe sovranitetit të vendit tonë, është një nga faktorët kryesorë të përparimit të vendit tonë......Prandaj të vemë të gjitha forcat tona që vëllazërimi mes popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë të forcohet shumë e shumë për të ardhmen e popullit tonë....”(gazeta “Bashkim” 3 korrik 1946).


Pjesë e politikës së gabuar të ndjekur ndaj Jugosllavisë ishin edhe traktatet skllavëruese të nënshkruara me këtë shtet. Kështu më 9 korrik 1946 u nënshkrua në Tiranë “Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke”, ku parashikohej edhe ngritja e ndërmarrjeve të përbashkëta shqiptaro-jugosllave dhe më 27 nëntor 1946 u nënshkrua në Beograd “Marrëveshja e Madhe Ekonomike” midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.


Për palën shqiptare nënshkroi ministri Nako Spiru dhe për palën jugosllave nga presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministër i Industrisë Boris Kidriç. Në bazë të kësaj marrëveshje u hoqën barrierat doganore dhe tregu shqiptar në një periudhë tre vjeçare u boshatis krejt.


Këto traktate dhe goditja e elementit nacionalist shqiptar apo i elitës shqiptare ishin shërbimet më të çmuara që Enver Hoxha mundi t‘i bënte Jugosllavisë. I përmendëm këto fakte edhe sepse në to gjejmë disa nga parimet e hapta dhe të fshehta që ndiqte Hoxha në raport me Jugosllavinë pavarësisht nga deklarimet shpeshherë të hedhura për konsumim popullor pas së ashtuquajturës “prishje të madhe” të vitit 1948.


Enveri Hoxha në të vërtetë e mbajti pushtetin e duke ruajtur Shqipërinë si pjesë të Jugosllavisë. Në këtë pikë atë e favorizonte karta e Jaltës, e cila ashtu e parashikonte. Për ta zbatuar këtë gjë, pas vitit 1948 nuk u zgjodh më një lidhje e hapur e miqësisë serbo-shqiptare, sepse kjo nuk mund të jetonte gjatë dhe nuk favorizohej nga konflikti që nisi mes Stalinit dhe Titos.


Atëherë si zgjidhje u zgjodh një linjë diabolike. Shqiptarët furnizoheshin me patriotizëm folklorik antijugosllav nga njera anë, dhe nga ana tjetër i pritej rruga një organizimi nacionalist dhe sabotohej kjo lëvizje edhe në Kosovë përmes orientimit ideologjik marksist-leninist në vend të frymës kombëtare. Në këtë mënyrë në Kosovë dhe në emigracion vepronin mjaft grupime politike me orientim komunist si Partia Komuniste Marksiste -Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, Fronti i Kuq Popullor, Lëvizja Popullore e Kosovës etj. Po ashtu Sigurimi i Shtetit kishte shtrirë ndikimin e tij tek këto formacione politike dhe tek emigracioni kosovar. Në mjaft raste Sigurimi ka pasur bashkëpunime me UDB-në dhe ka shitur shumë nga ish bashkëpunëtorët e tij shqiptarë nga Kosova,të cilët mendonin se i shërbenin Shqipërisë së përfytyruar prej tyre si shtet solid me parametra ndërkombëtare. Këtu mund të kujtojmë sërish se në vitin 1945 i gjithë arkivi sekret i Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, u nis në Beograd ku gjendet edhe sot e kësaj dite. Jugosllavët pas shtënies në dorë të këtij arkivi, ndër sekretet e shumta gjetën edhe listën e agjentëve shqiptarë në Jugosllavi, të cilët u vranë të gjithë.


Lidhur me orientimin komunisto-lindor të Shqipërisë, ish udhëheqësi komunist Ramiz Alia në librin e tij “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, në lidhje me pozicionimin politik të Shqipërisë thotë:


“Orientimi politik i Shqipërisë nga Lindja nuk është një fat që e kemi zgjedhur ne shqiptarët”(faqe 45).


Mirëpo Alia përveç disfatizmit politik që ai reklamon, nuk thotë asgjë më tepër se kaq, çka e bën edhe më enigmatike këtë thënie të tij.


Ndërsa Enver Hoxha në librin e tij “Titistët” (Tiranë 1982), në të vërtetat e këtij libri ndër të tjera thotë:


“Më 1946 u krijua Byroja Informative e partive komuniste të Evropës ku morën pjesë 9 parti duke përfshirë të gjitha partitë e vendeve të atëhershme socialiste si dhe të partitë komuniste të Francës dhe të Italisë. Jashtë mbeti vetëm një parti e një vendi socialist të Evropës: Partia Komuniste e Shqipërisë! Nuk dua të shpreh asnjëfarë pakënaqësie se pse nuk u përfshi në këtë forum të rëndësishmë edhe partia jonë, por fakti që mbeti vetëm një parti komuniste e një vendi socialist, të bën të dyshosh e të mendosh se në këtë mes diçka nuk shkonte. Vinte kjo nga mosnjohja apo nga keqinformimi i të tjerëve-këtë problem do ta vërtetojë koha. Bindja jonë është se këtu fshihet dora e agjenturës titiste..” (faqe 466).


Edhe në vitet e mëpasme, dmth pas prishjes simbolike të 1948-s (e ndodhur nën efektin sovjetik për shkak të konfliktit Stalin Tito), Shqipëria nuk doli dot nga kuadrati jugosllav. Në Jugosllavi eksiztonin dokumeta të shumta që vërtetonin se si udhëheqësit e Shqipërisë kishin qenë në shërbim të Jugosllavisë. Nisur nga kjo, jugosllavët nuk e kishin të vështirë t‘i bënin presion udhëheqjes komuniste të Shqipërisë që të paktën kjo e fundit të mos e hapte kurrë gojën për Kosovën.


Dhe realisht ky presion ka ndodhur dhe si pasojë e tij kuadrati bashkëpunues jugosllavo-shqiptar nuk u deformua kurrë.


Natyrisht që të ruhej ky kuadrat bashkëpunues me jugosllavët në vazhdimësi dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, duhej gjetur ustai që do të vazhdonte politikën e vetëlavdërimit folklorik dhe të vasalitetit real.


Me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare në parathënien e librit “Vjeshta e ankthit” thotë:


“Kur Enver Hoxha me lehtësinë më të madhe i akuzon bashkëpunëtorët e vet si agjentë të Jugosllavisë, është ndoshta një nga çastet e rralla kur nuk gënjen. Në të vërtetë, në një mënyrë a një tjetër, ata ashtu ishin, agjentë të jugosllavëve (Kominternit). E vetmja pasaktësi e Hoxhës në këtë rast është se në krye të listës mundon emri i atj vetë”.


Kështu vazhdoi historia e regjimit kriminal në Shqipëri për vite e vite me radhë. Mirëpo në fund të jetës së Enver Hoxhës, në kohën kur ky i fundit kishte dhënë shenja për një gjë të tillë, filloi të dilte në plan çështja se kush do të ishte pasardhës i tij.


Shumëkush nga anëtarët e Byrosë Politike në bazë të lojës teatrale të Hoxhës besonte në vitet e fundit të jetës së këtij të fundit se mund të ishte trashëgimtar i tij. Si kritere disa përfytyronin vjetërsinë në parti dhe detyra shtetërore, besnikërinë ndaj partisë, rrethin favorizues farefisnor dhe parametra të tjera të njohura dhe të panjohura.


KASTRIOT DERVISHI

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου