Rusët kanë nxjerrë nga arkivat pas plotësimit të afateve ligjore gjithçka lidhet me periudhën 1949-1953. Materialet, klasifikuar dikur “top sekret”, i kanë botuar në tirazh tepër të vogël në dy vëllime voluminozë. Interesant është fakti që edhe për Shqipërinë në to ka materiale me vlerë, të cilët ne nuk i kemi.
Luan Kondi
Historianët duhet të gërmojnë në arkivat ruse, pasi kemi një histori të paktën 20-vjeçare, të mbyllur në to. Shumë dokumente nuk mund të gjenden te ne, sepse diplomatët e huaj, pas takimeve dhe bisedave që kanë pasur me personalitete të qeverisë shqiptare, u kanë raportuar qeverive të vendeve të tyre dhe nuk kanë lënë kopje të këtyre raporteve në vendin tonë, për shkak të karakterit sekret të tyre. Kështu është edhe rasti i ambasadorit rus D.S.Çuvakini, raportet e të cilit janë botuar nga rusët tani pas 50 vitesh. Kjo praktikë vazhdon të ndiqet edhe sot. Nëse do të kërkohet nëpër arkivat ruse, me siguri do të gjenden edhe materiale të tjera, të cilat mund të hedhin dritë mbi atë periudhë të historisë së marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Të bënë përshtyje fakti që në një botim të Akademisë së Shkencave të ish-Bashkimit Sovjetik ishte botuar një letër e Enver Hoxhës drejtuar udhëheqjes së lartë të sovjetit lidhur me Kosovën. Këtë letër, jo vetëm ai, por edhe mjaft historianë, me të cilët kishte biseduar, nuk e njihnin. Në atë letër, të cilën Enveri e kishte dërguar qysh në shtator të vitit ‘49-të, janë dhënë disa qëndrime, të cilat ne nuk i kemi njohur. Vëllimet që përmbanin këto materiale ishin në jo më shumë se 1000 kopje, për t’u shitur më vonë. Ish-ambasadori i kishte siguruar botimet nga një mik i tij librashitës. Këto dokumente merrnin për kufi kohor vdekjen e Stalinit, kështu që gjithçka ka ndodhur përpara kësaj kohe është përfshirë në dy vëllimet. Janë pothuajse 2000 faqe. Megjithëse Shqipëria nuk zinte ndonjë vend të madh në krahasim me vendet e tjera të kampit socialist, pasi ishte një shtet i vogël, përsëri ato materiale që gjendeshin kishin vlerë. Disa dokumente që i takojnë Shqipërisë janë në vëllimin e parë dhe disa të tjera në vëllimin e dytë. Më të rëndësishmet janë në vëllimin e dytë, i cili nuk ka ardhur akoma në Bibliotekën Kombëtare, megjithëse është botuar që në vitin 1999. Dy janë dokumentet më themelor; letra dërguar udhëheqjes së lartë ruse për Kosovën, ku jepen edhe mënyrat e zgjidhjes së kësaj çështjeje delikate, dhe një bisedë e Stalinit me Enver Hoxhën, në mars të vitit 1949, e regjistruar nga pala ruse. Kjo merret për bazë si më e sakta, sepse është si një proces-verbal i atij takimi. Aty ka gjëra shumë interesante, por më shumë bie në sy fakti që Stalini e njihte mirë Shqipërinë në atë kohë. Ai, madje ka dhënë disa këshilla, të cilat do të ishin shumë të dobishme nëse do të ishin zbatuar te ne. Ato lidheshin me qëndrimin ndaj borgjezisë së vogël, intelektualëve, fesë, mënyrës së kompensimit të qeverisë. Nuk ka lënë pa përmendur disa rekomandime për kolektivizimin, politikën e jashtme. Këto dokumente janë të vlefshme për faktin se shërbejnë si nxitje për studiuesit e historisë, pasi disa gjëra mund të na bëhen më të qarta.
Biseda e Enver Hoxhës me Stalinin në takimin e dytë midis tyre në Moskë, më 23 mars 1949, ruajtur kjo në arkivat ruse. Nga biseda, e cila ka zgjatur më shumë se 2 orë, janë shkëputur vetëm pasazhet ku Stalini i jep disa këshilla të vlefshme Enverit. Shënimet i ka mbajtur V.Erofejev.
…Shoku Stalin vëren: Shqiptarët më duket po krijojnë kolkoze (kooperativa)
Hoxha përgjigjet: Në kongres u muar vendim të fillohet nga krijimi i kolkozeve, por të mos nxitohet me këtë punë.
Shoku Stalin thotë: Shokët shqiptarë nuk duhet të nxitohen të krijojnë kolkoze. Shqipëria është një vend i prapambetur malor. Madje, dhe në Bashkimin Sovjetik, në rrethet malore, nuk ka kolkoze. Prandaj ne Shqipëri, hë për hë, nuk duhen krijuar kolkoze. Po qe se fshatarët s’kanë plehra, kafshë dhe makina, shteti mund t’u vijë në ndihmë. Për këtë duhet që shteti të ketë pikat e veta të makinave dhe traktorëve, në mënyrë që, nëse fshatarët duan të marrin ndihmë me makina, shteti t’u lërojë tokën fshatarëve me ndihmën e këtyre makinave, ndërsa gjatë vjeljes së drithërave t’i ndihmojë fshatarët t’i shijnë ato. Për këtë ndihmë, shteti duhet t’u marrë fshatarëve njëfarë pagese në natyrë. Se si do ta ndajnë fshatarët midis tyre dhe misrin, kjo s’i takon shtetit. Shteti do të marrë pagë në natyrë. Shteti duhet të ketë një ekonomi të vetën me traktorë, makina shirëse dhe të tjera makina për të ndihmuar fshatarët, po qe se ata do të kërkojnë ndihmë. Këto s’janë kolkoze, por në të njëjtën kohë kjo do t’u japë mundësi fshatarëve t’i kthejnë sytë nga teknika dhe të vlerësojnë rëndësinë e saj. Në kohën e vet kjo te ne quhej pikë makinash dhe traktorësh. Fshatarëve u jepeshin me qira makinat, të cilat pastaj i ktheheshin përsëri shtetit. E njëjta gjë duhet bërë dhe në Shqipëri. Për sa i përket shpërndarjes së të korrave, ata fshatarë që kanë më shumë tokë do të marrin më shumë, kurse ata që kanë më pak tokë do të marrin më pak. Kjo s’do të thotë luftë me kulakërinë, por ama kjo do t’i mësojë fshatarët pak të kamur të veprojnë bashkarisht.
Shoku Stalin pyet nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare kombëtare.
Hoxha përgjigjet: Në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto asaj i janë marrë.
Shoku Stalin thotë: Kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë njëfarë tregtie, deri sa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë ndërmjet borgjezisë duhen shfrytëzuar dhe jo larguar. Shoku Stalin thotë se ai mund të sjellë një shembull nga praktika që ekziston në Kinën Veriore. Ndërmjet borgjezisë kombëtare kineze, ndërmjet fabrikantëve të vegjël e të mesëm dhe ndërmjet tregtarëve ka të tillë që i mbështesin komunistët. Ne i këshilluam shokët kinezë të mos i largonin këta elementë. Kjo pjesë kombëtare patriotike e borgjezisë mendon se vetëm komunistët mund të mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e Kinës dhe se të gjitha partitë e tjera kanë falimentuar. Prandaj ajo po vendos kontakte me komunistët. Kjo pjesë e borgjezisë kombëtare është shkëputur nga Çan Kai Shia, sepse e pa që partia e tij nuk është e aftë të mbrojë një Kinë të bashkuar e të pavarur, sepse u bind që luftën për një Kinë të pavarur e bëjnë vetëm komunistët. Dhe borgjezia me të vërtetë i ndihmon komunistët. Siç dihet, Kina është e ndarë në dy pjesë: Veriore dhe Jugore. Disa shoqëri tregtare në veri të saj i furnizojnë komunistët kinezë me mallra nga jugu, duke përfshirë madje edhe mallra amerikane. Pyetjes se përse e bëjnë ata një gjë të tillë dhe përse sakrifikojnë paratë e veta, ata përgjigjen se nuk shohin, përveç komunistëve, askënd që mund të mbrojë pavarësinë e Kinës kundrejt Japonisë dhe Amerikës. Lenini kurdoherë mendonte që, po qe se revolucioni ka karakter antiimperialist për çështjen e mbrojtjes së pavarësisë së vendit që ndodhet e kërcënuar, komunistët mund të kenë njëfarë bashkëpunimi me borgjezinë kombëtare. Ky bashkëpunim është i lejushëm në një etapë të caktuar në periudhën e parë. Këtë vërejtje të Leninit duhet ta mbajnë mend shokët shqiptarë. Në vendet e demokracisë popullore borgjezia kombëtare është bërë skandaloze me lidhjet e veta me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj, kur trupat ruse hynë në këto vende, borgjezia iku me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë s’ka pasur as trupa jugosllave dhe as trupa sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, nëse shokët shqiptarë nuk i kanë masakruar të gjithë. Të largosh nga vetja një borgjezi që është për pavarësinë kombëtare dhe mund të ndihmojë, është një gjë që s’duhet bërë.…
Shoku Stalin vazhdon: Kjo ka të bëjë edhe me disa elementë të inteligjencës, që nuk i simpatizojnë komunistët, por e shohin që pavarësinë e vendit mund ta mbrojnë vetëm ata. Prandaj këta njerëz të inteligjencës, edhe pse nuk i simpatizojnë komunistët, mund t’u japin atyre njëfarë ndihme. Ata, gjithashtu, s’duhen larguar nga vetja. Bolshevikët rusë nuk e kanë ndjekur një politikë të tillë. Rusinë në çastin e revolucionit askush nuk e pati pushtuar dhe askush nuk e kërcënonte, po të mos llogaritim luftën me Gjermaninë. Prandaj revolucioni rus nuk kishte karakter antiimperialist. Tehu i tij ishte drejtuar brenda vendit. Prandaj ka ndyshim midis asaj që ndodhte në Rusi dhe asaj që ndodhi në Kinë, Kore dhe vende të tjera. Përderisa në Rusi nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare ruse ishte armiku i papajtueshëm i revolucionit. Lufta me të zgjati disa vjet, borgjezia ruse nuk ishte patriote. Ajo thërriste në ndihmë francezët dhe anglezët, i bënte thirrje ndërhyrjes. Shokët shqiptarë, në politikën e tyre nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi ose në vende të tjera. Ata duhet të mbajnë parasysh veçoritë e vendit. Po qe se në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël që do të çelin ndërmarrje, dyqane apo punishte të vogla, atyre u duhen dhënë patenta, t’u vihet taksa, por t’u jepet mundësi të merren me veprimtari tregtare dhe industriale, deri sa të forcohet ekonomia e Shqipërisë.…
Shoku Stalin pyet se kush është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare.
Hoxha përgjigjet se Komandant i Përgjithshëm është ai vetë.
Shoku Stalin thotë se sovjetikët, bolshevikët, kanë një parim të tillë në ndërtimin e shtetit: nëse në vend predominojnë myslimanët, në qeveri shumica duhet t’u përkasë po ashtu myslimanëve. Popullit s’duhet t’i dhunohet feja. Ai s’ka për ta kuptuar pse në krye të qeverisë qëndrojnë myslimanët, në një kohë kur në një vend shumica janë të tillë. Këto janë gjëra elementare, por në Jugosllavi nuk e kanë kuptuar këtë. Natyrisht, kjo s’do të thotë që në qeveri duhet të jenë vetëm myslimanët, duhen zgjedhur edhe njerëz të aftë nga pakicat kombëtare për të ruajtur unitetin e popullit. Pjesëmarrja në qeveri e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe fetare do t’i sigurojë stabilitet vendit.…
Shoku Stalin thotë se fjalët lidhur me copëtimin e Shqipërisë janë sajuar për të frikësuar shqiptarët. Siç dihet, pavarësia e Shqipërisë është siguruar me Deklaratën e tri fuqive, Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Natyrisht, Deklarata mund të shkelet, por kjo nuk është kaq e lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi qëndrojnë në këmbë, e jo më të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do të shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen me më modesti, Shqipërinë askush s’ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i përkasë Italisë, sepse kjo do të forcojë Italinë; nuk duan që ajo t’i përkasë Greqisë, pasi kjo do ta forcojë atë; nuk duan t’i përkasë Jugosllavisë. Për këtë shkak ata janë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.
Enveri në kujtimet e botuara në librin “Me Stalinin”
Shoku Stalin më pyeti: Keni krijuar shumë kooperativa të tilla? Ç’kritere ndiqni?
Unë sqarova me këtë rast se kongresi orientoi që kolektivizimi i bujqësisë të bëhet gradual, i matur dhe në baza vullnetare….
Shoku Stalin tha se: Për sa i përket kolektivizimit të bujqësisë ju nuk dueht të shpejtoheni. Vendi juaj është malor dhe me reliev që ndryshon nga zona në zonë. Edhe te ne në zonat malore, të ngjashme me ato të vendit tuaj, i kemi ngritur shumë vonë kolkozet.
Shoku Stalin tha pastaj: nuk e njoh historinë e karakteristikat e borgjezisë në vendin tuaj, dhe pyeti: Keni pasur ju borgjezi tregtare?
Enveri: Kemi pasur, një borgjezi tregtare në formim e sipër, por tani ajo nuk ka gjë në dorë.
Stalini: I keni shpronësuar krejt?
Enveri: Në përgjigje të pyetjes, unë i fola shokut Stalin mbi politikën që kishte ndjekur partia që gjatë luftës me klasat e pasura, për diferencimin e madh që kishte ndodhur nga qendrimi i elementeve të këtyre klasave ndaj pushtesve të huaj. …Për sa u përket atyre elementëve, kryesisht të borgjezisë së mesme e të vogël patriotike, që u lidhën me popullin në luftë e iu kundërvunë pushtuesit të huaj - më tej vazhdova - Partia i përkrahu, i mbajti afër dhe u tregoi rrugën e vërtetë për t’i shërbyer zhvillimit të vendit e pavarësisë së atdheut… .
Stalini: Për sa u përket britmave që bëjnë armiqtë e jashtëm për ndarjen e Shqipërisë, ato bëhen sa për t’ju futur frikën, se në këtë drejtim unë mendoj se, aktualisht, nuk ka ndonjë rrezik. Kjo nuk ndodh nga “dashamirësia” e armiqve, por për një sërë arsyesh. Në radhë të parë, Shqipëria është një vend i lirë, i pavarur, populli atje ka marrë fuqinë dhe do të dijë ta mbrojë pavarësinë e vet, ashtu siç edhe diti ta fitonte. Së dyti, vetë armiqtë e jashtëm kanë kontradikta me njëri-tjetrin në lidhje me Shqipërinë. Asnjëri nga armiqte nuk do që Shqipëria të jetë vetëm e njërit ose e tjetrit.
Παρασκευή 12 Μαΐου 1972
Këshillat sekrete të Stalinit për Enverin
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου