Ky artikull u botua fillimisht si letër pa nënshkrim në janar 1949, në revistën “Internacionalja e 4-t”, - organ i partisë Socialiste Punëtore të SHBA-së. Autori, Sadik Premtja, bashkë me Anastas Lulon, ishin drejtues të grupit të të Rinjve, një nga tre grupet komuniste që u bashkuan nën kujdestarinë e jugosllavëve për të krijuar PKSH-në, më 1941. një organizatë e katërt, grupi “Zjarri”, që u tha se ishte trockist, nuk u ftua në mbledhjen themeluese. Kur Premtaj dhe Lula fituan mbështetjen e komitetit Qarkor të Vlorës, më 1943, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu morën pjesë personalisht në operacionin për eliminimin e të dyve. Lula u ekzekutua, ndërsa Premtja u arratis jashtë shtetit. Premtaj përfaqësoi Shqipërinë në kongresin e 3-të Botëror të Sekretariatit Ndërkombëtar të Internacionales së 4-të Komuniste, në gusht 1951 dhe mori pjesë në punimet e komisionit të Europës Qendrore të atij organi. Në tekstin që mbani në duar prezantohet me pseudonimin “Xhepi”. Nga personat protagonistë të asaj historie, Llazar (Zai) Fundo u arrestua në veri të Jugosllavisë dhe për shkak të bindjeve të veta trockiste u akuzua për lidhje me shërbimin sekret britanik; Sejfulla Malëshova që u kthye nga Moska më 1943, protestoi për spastrimin e Ymer Dishnicës në maj 1944 dhe pas çlirimit u përpoq të siguronte rehabilitimin e tij, pasi ishte përjashtuar nga udhëheqja. Kur Hoxha shfrytëzoi konfliktin Stalin-Tito për të marrë kontrollin e PKSH, gjithë projugosllavët u përjashtuan nga partia dhe qeveria, por para kësaj Nako Spiru një antijugosllav kishte “vrarë veten” ndërkaq. Madje edhe sekretari organizativ i partisë, Tuk Jakova, u përjashtua pasi i kujtoi Hoxhës më 1951 se ishin jugosllavët ata që - në esencë – kishin krijuar PKSH-në. Apologjia e Premtajt për dominimin e jugosllavëve konfirmohet nga libri i Milovan Xhilasit “Biseda me Stalinin” (që u botua në Londër më 1963). Historia e tmerrshme e evoluimit të PKSH shqyrtohet hollësisht në librin “Kultura politike në Shqipërinë e Hoxhës” të Arshi Pipës (botuar më 1984). Ky evoluim përfshin një kombinim unikal të zhvillimit të pabarabartë të konfliktit farefisnor dhe gangsterizmit stalinist. I fundit që pati trajtimin klasik nga Hoxha, ishte vetë kryeministri Mehmet Shehu, që “vrau veten” më 1981. vitet e para të udhëheqësit të mëpastajmë të Shqipërisë, Ramiz Alia, përshkruhen nga John Holiday në shkrimin e vet “Tirani i Tiranës”, botuar në gazetën ‘The Times’, më 11 janar 1990. Adhurimi ndaj Hoxhës vazhdon edhe në këtë periudhë (shih shkrimin e Peter Pophan “Duke qeverisur nga varri”, botuar në ‘Independent’, më 15 prill 1990.
Versioni stalinist i ngjarjeve, me një heshtje të bukur për fatin e kundershtarëve të ndryshëm, gjendet në ‘Historinë e PPSH’, botuar në Tiranë, më 1971. Ndërsa ka referime për politikën e grupeve që iu kundërvunë Grupit të Korçës, është e nevojshme të nënvizohet se ato nuk mund të jenë të besueshme, teksa i përkasin një partie që si metodë kryesore të dialogut politik ka revolverin”.
Al Richardson
Stalinizmi dhe komunizmi në Shqipëri
Nga Sadik Premtja
Nevojitet një libër i tërë për të dhënë pamjen e plotë të lëvizjes komuniste në Shqipëri dhe mënyrën se si kjo lëvizje u tradhëtua. Unë do të kufizohem këtu në paraqitjen e momenteve kryesore që, jam i sigurt, do të shërbejnë si një mësim për proletariatin e të gjithë vendeve, i cili ende është i painformuar për faktin se stalinizmi mund të përfaqësojë gjithçka, përpos një partie komuniste.
E konsideroj përvojën tonë një mësim të mirë, sepse e di që klasa punëtore e çdo vendi mëson jo vetëm nga eksperienca e saj, por edhe nga përvoja e hidhur e punëtorëve në vendet e tjerë. Kur dikush paralajmëron se një zjarr ka rënë diku, dikush tjetër do të ishte mendjelehtë, madje dhe i marrë, nëse përpiqej ta verifikonte këtë fakt, duke futur dorën e vet mes flakëve. Dhe tani, le të hyj në temë:
Para vitet 1941, nuk ekzistonte parti komuniste në Shqipëri. Ekzistonin vetëm tre grupe: Grupi i Shkodrës, Grupi i të Rinjve dhe grupi i Korçës; dhe ndonëse që të tre pretendonin se ishin komunistë, ndodheshin në një përplasje të vazhdueshme me njeri-tjetrin. Në kushtet e mungesës së përvojës dhe të edukatës marksiste – leniniste, këto tre grupe ishin të paaftë të arrinin në një vijë politike të drejtë. Secili vepronte sipas ideve dhe spontaneiteteve të veta, dhe pjesa më e madhe e veprimtarisë së tyre ezaurohej në polemikat kundër dy grupeve të tjerë kundërshtarë.
Nga fundi i vitit 1941, me hyrjen në luftë të BRSS, grupi i Shkodrës dhe ai i të Rinjve, e ndjenë të nevojshme të bashkojnë forcat e tyre dhe njëkohësisht i bënë thirrje për këtë edhe grupit të Korçës (grupit të udhëheqësit të mëpastajmë të Shqipërisë), por ky grup refuzoi kategorikisht t’u përgjigjej tirrjeve për bashkim. Të pafuqishëm për ta arritur ata vetë bashkimin e tre grupeve dhe duke parë se BRSS (që e konsideronin si kështjellën e komunizmit botëror) ndodhej nën kërcënimin e ushtrisë hitleriane, ata vendosën të kërkonin ndihmën e shokëve të huaj. Ata shokë të grupit të Shkodrës e të të Rinjve, që jetonin në krahinën shqiptare të Kosovës, që ishte, ashtu si dhe tani, nën okupimin jugosllav, gjetën mundësinë për të kontaktuar me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mogushën, dy stalinistë jugosllavë. Shokët nga Kosova shpjeguan gjendjen e tre grupeve dhe në marëveshje me udhëheqjet e këtyre grupeve, i ftuan jugosllavët të vinin në Tiranë, me qëllim që të ndihmonin në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, duke u dhënë njëkohësisht fund mosmarrëveshjeve të mëparshme.
Të dy stalinistët u paraqitën në Tiranë dhe, ndonëse nuk kishin asnjë autorizim zyrtar nga partia Komuniste Jugosllave, u mirëpritën dhe sugjerimet e tyre u pranuan. Propozimi i tyre i parë ishte që të mblidhje një konferencë me disa përfaqësues nga secili grup. Përpos jugosllavëve ishin edhe 16 përfaqësues nga tre grupet që morën pjesë në mbledhje, objekti i së cilës ishte themlimi i PKSH.
Mbledhja themeluese
Përfaqësuesit e secilit grup paraqitën nga një raport si dhe një vlerësim personal të punës që kishte bërë grupi i tyre dhe njëkoëhisht kritikuan punën e grupeve të tjerë. Pas çdo ndërhyrjeje, pasoi një diskutim i përgjithshëm, shumë i acaruar, që çoi në një polemikë të zgjeruar me skuza të ndërsjellta personale. Gjatë diskutimeve doli në pah fryma e vjetër e grupeve. Kah përfundimi i diskutimeve, jugosllavët, që kishin kuptuar frymën revolucionare dhe ndërgjegjjen e të Rinjve, shfrytëzuan sinqeritetin dhe modestinë e këtyre të fundit, për t’u bërë kritikat e mëposhtme:
a) Të Rinjtë nuk kanë mundur të materializojnë ndikimin e madh që kishin te masat;
b) Grupi është kufizuar kryesisht në edukimin e kuadrove dhe në përkthimin e literaturës marksiste.
Drejtuesit e grupit të të Rinjve, Anastas Lula dhe Xhepi, të mbështetur dhe nga disa pjesëtarë të grupeve të tjerë, mes të cilëve Vasil Shantoja, iu përgjigjën kësaj kritike qesharake si më poshtë:
“Nuk pretendojmë se kemi bërë gjithçka që mundnim. Mirëpo, nga ana tjetër, duhet ta dini se nuk është kaq e lehtë të bëhet ajo që propozoni. Ju nuk jeni mësuar me kushtet, rrethanat e zakonet e vendit tonë, ashtu sikurse ne nuk jemi mësuar me kushtet, rrethanat, zakonet e vendit tuaj. Në Shqipëri komunizmi është një dogmë e importuar. Nuk është produkt i zhvillimit të kushteve ekonomiko-shoqërore. Këtu lëvizja komuniste u propagandua nga intelektualët, veçanërisht nga studentët e shkollave të mesme. Shqipëria është një vend i pazhvilluar bujqësor që nuk ka aspak industri. Nuk ekziston proletariati industrial, rrjedhimisht nuk kemi asnjë organizatë proletariati që të promovojë, të paktën, objektiva ekonomike.
Gjithashtu, nuk duhet të bëni gabimin e t’i shihni kushtet e sotme dhe ato të kaluarat, nga i njëjti këndvështrim. Kushtet e reja janë një parodi e atyre të vjetrave. Së pari, në ditët e para të pushtimit pushtimit fashist të vendit tonë, ishte shumë e vështirë të bëje propagandë tek masat për dy arsye: Nga njera anë, sepse sukseset e ushtrisë nazifashiste e bënë popullin tonë të humbasë çdo besim në një fitore eventuale të forcave aleate; dhe nga ana tjetër, sepse në ditët e para të pushtimit, fashizmi, në zbatim të objektivave të veta, bëri një përmirësim provizor të kushteve ekonomike të masave, kushte që ishin shumë më të këqija nën regjimin e mbretit Zog. Megjithatë, bëmë më të mirën e mundshme për t’u afruar me masat. Nuk e kufizuam kurrë veprimtarinë tonë në edukimin e kuadrove dhe përkthimin e literaturës, siç na akuzon Grupi i Korçës, i cili në këtë mënyrë ekspozon armiqësinë e vjetër ndaj nesh. Nuk jemi kundër kritikës dashamirëse, përkundrazi, e mirëpresim, sepse kritika e veprimtarisë së mëparshme na forcën dhe rrit përvojën tonë për të ardhmen. Jemi një grup të rinjsh me entusiazëm, po për fat të keq, na mungon përvoja. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dy grupet e tjerë, të cilët, në raportet që paraqitën, kanë ekzagjeruar shumë lidhur me veprimtarinë e tyre të mëparshme. Asnjëherë nuk patëm si qëllim të vetëm edukimin e kuadrove, duke besuar se në një moment të caktuar këto kuadro do të shkrihen, me një mënyrë pompoze, me masat. Nuk ka asnjë kufi në formimin e kuadrove. Formimi i kuadrove dhe puna me masat janë dy gjëra shumë të ndërlidhura: sa më shumnë kuadro që të kemi, aq më mirë shkrihemi me masat; dhe anasjelltas: sa më shumë shkrihemi me masat, aq më i madh do të jetë numri dhe fuqia e kuadrove. Sapo përfunduam format tona të edukimit shkuam në periferi dhe organizuam kudo rrethe studimi, që po rriten përditë në numër. Dhe këtë e bëmë për t’i shërbyer qëllimit tonë, pa kurrfarë interesi personal. Sot, që kemi një situatë krejtësisht tjetër, tani që kushdo mund të shohë me sytë e tij se “ushtria e madhe e Duçes” nuk është aspak e pathyeshme, sikundër u mburrën zyrtarët fashistë shqiptarë, jemi në gjendje t’i afrojmë në një nivel më të madh masat popullore dhe njëkohësisht të fillojmë menjëherë aksionin kundër murtajës fashiste dhe shërbëtorëve të saj. Përfundimisht, çka është bërë i përket të shkuarës dhe nuk mund të ndryshojë. Dikush ka arritur më shumë, dikush më pak. Preokupimi ynë kryesor tani është të bëjmë më të mirën, si komunistë të mirë.
Përveç fjalëve, që nuk u thanë për justifikim, por thjesht për shkak të respektit ndaj të vërtetës, përfaqësuesit e të Rinjve nuk mund të kuptonin përse stalinistët jugosllavë vazhduan t’i trajtonin kaq keq. Më tej, kur u kërkuan sqarime për urdhërat dhe propozimet, stalinistët u zemëruan dhe i kritikuan ashpër, duke i quajtur “intelektualistë”. Kur u kërkohej një shpjegim, stalinistët përdornin temrin “intelektualist”, si argumentin më të fuqishëm. Shokët shqiptarë kërkuan shpjegime me sinqeritet dhe dashamirësi. Donin shpjegime për të mësuar me saktësi se çfarë duhej të bënin për të plotësuar detyrat e tyre në mënyrë sa më të kënaqshme. Sigurisht, ka raste kur kjo kërkon më shumë kohë nga udhëheqësit, por vendimet dhe çështjet që nuk kërkojnë asnjë shpjegim janë përjashtime, ato nuk përbëjnë rregullin. Megjithatë, shokët që kishin mendim të kundërt, i pranuan pikëpamjet e shumicës, edhe pse nuk u bindën asnjëherë për drejtësinë e tyre.
Në mbyllje të diskutimeve, Miladini kërkoi nga shokët shqiptarë ta autorizojnë për të emëruar Komitetin Qendror të Partisë. Kjo u miratua vullnetarisht dhe në mirëbesim nga të gjithë, në kushtet e mosnjohjes totale të manovrimeve staliniste. Pastaj Miladini lexoi emrat e dy-tre kandidatëve nga çdo grup, nga të cilët do të zgjidheshin anëtarët e Komitetit Qendror. Mirëpo, vuri si kusht që ndër kandidatët nuk duhet të jenë drejtuesit e grupeve, pasi mosmarrëveshjet e mëparshme të tyre do të rrezikonin punën e partisë, veçanërisht nëse KQ rezultonin dhe mosmarrëveshje të reja. Ky argumnent gjithashtu u konsiderua i drejtë nga shokët shqiptarë.
Disa ditë më vonë, drejtuesit e grupit të të Rinjve mësuan se Komiteti Qendror përbëhej nga drejtuesit e dy grupeve të tjerë, plus një pjesëtar të të Rinjve. Ndonëse u zhgënjyen nga ky fakt, si dhe nga mosbesimi dhe djallëzia e Miladinit, nuk bënë asnjë kundërshtim. Të Rinjtë mendonin vërtet se Miladini, - që si shok me përvojë gëzonte besimin e pakufishëm -, vepronte në dobi të partisë. Veç kësaj, nuk donin të kujtonte Miladini se ata donin të bëheshin me çdo kusht anëtarë të KQ. Drejtuesit e grupti të të Rinjve nuk u interesuan aspak që t’i merrnin vetë vendet në KQ. I vetmi qëllim i tyre ishte interesi i partisë. Mirëpo, veprimet e Miladinit u përcaktuan nga karakteri i tij. Si një burokrat stalinist, ai nuk do të mund të vepronte ndryshe. Urdhërat që kishte marrë nga eprorët e vet kërkonin krijimin e një klike agjentësh që do të ishin totalisht në dispozicion të Kremlinit. Miladini e kuptoi shumë shpejt se drejtuesit e grupit të të Rinjve, ngase ishin marksistë-leninistë të vendosur, të ndërgjegjshëm për misionin e tyre dhe revolucionarë në kuptimin e vërtetë të fjalës, përbënin pengesë për realizimin e planeve të tij.
Krijohet një klikë
Sapo listat e pjesëtarëve të tre grupeve iu dhanë Komitetit Qendror bashkë me gjithë bazën materiale (botime, makina shkrimi, kapitale financiare), Dushan Mogusha dhe një anëtar i KQ që ishte ai adjutant i tij, filluan të krijonin celula të ndryshme, duke përzier gjithë pjesëtarët e të tre grupeve. Meqenëse frikeshin nga pjesëtarët e të Rinjve, caktuan në ato celula numrin më të madh të mundshëm nga dy grupet e tjerë, me qëllim që të fitonte shumicën në zgjedhjet për komitetet qarkore. Këtë përzgjedhje e bënë me pretekstin se në fazën aktuale pak nga shokët dispononin vetitë e domosdoshme për të qenë anëtarë të partisë.
Paralelisht, për të siguruar shumicën, nuk ngurruan të afronin njezër me karakter veçanërisht të dyshimtë. Nuk ua kishin fare frikën njerëzve me dobësi në karakter apo në formimin edukativ. Ata prej të cilëve kishin frikë, ishin komunistët. Frika e tyre ishte pa bazë, mirëpo, njerëz me ndërgjegjje të trazuar janë të prirur të dyshojnë për gjithë botën. Nëse drejtuesit e grupit të të Rinjve synonin të merrnin poste dhe ofiqe në parti, do ta bënin qysh në fillim, duke mos ua besuar jugosllavëve emërimin e KQ dhe të këmbëngulnin që vendet në KQ të caktoheshin sipas dëshirës së tyre.
Gjatë mbledhjes së përfaqësuesve (1941) për zgjedhjen e komitetit qarkor të Tiranës, një pjesëtar i grupit të të Rinjve protestoi kundër metodës së zgjedhjes, që e cilësoi si “fashiste”. Ai u detyrua për këtë nga sjellja e jugosllavëve, të cilët bënë marifete të ndryshme për të zgjedhur kandidatët që dëshironin. Ky fakt, dhe të tjerë, më pak të rëndësishëm, ndikuan në lindjen dhe zhvillimin e një pakënaqësie në radhët e luftëtarëve të të Rinjve. Shokët e pakënaqur iu drejtuan udhëheqësve të tyre të mëparshëm, Anastasit dhe Xhepit. Ata i këshilluan të mos merren në mënyrë individuale me çështje që vetëm partia do të mund t’i zgjidhte. I këshilluan që çdo gjë ta diskutojnë me drejtuesit e celulave të tyre. I këshilluan gjithashtu, që të mos revoltoheshin, pse partia ishte e re dhe gabimet ishin të pashmangshme. Megjithë përpjekjet e Anastasit e të Xhepit për t’i qetësuar shokët e pakënaqur, ata u akuzuan nga Miladini dhe KQ për mbjellje të frymës së pakënaqësisë. Kjo i lëndoi thellë ata. Kishin treguar guxim të madh politik dhe qenë përballur me vështirëtë mnë të mëdha, si gjatë pushtimit fashist, edhe gjatë regjimit diktatorial të mbretit Zog. Po të donin, sigurisht, kishin kurajë të madhe t’i kundërviheshin hapur Miladinit, atij Miladini që vetë ata e kishin çliruar nga një kamp përqendrimi dhe e kishin sjellë në Tiranë duke e lënë - me dëshirën e tyre – çdo gjë në dorë të tij.
Kontradiktat e para
Porsa Miladini konsolidoi pozitën e tij në Shqipëri dhe krijoi klikën e vet, thirri një mbledhje, qëllimi i të cilës ishte të gjykoheshin Anastasi e Xhepi, me akuzën e fraksionizmit.
Vijon teksti i vendimit:
“Eshtë bërë e qartë se që të dy ju nuk jeni çliruar akoma nga fryma e sektarizmit, dhe më seriozja, ju jeni përçuesit kryesorë të kësaj fryme tek shokët e tjerë të grupit tuaj të mëparshëm. Duhet ta pranoni se kjo është një pengesë për partinë. Mbledhja ju këshillon të pranini gabimet tuaja dhe të bëni autokritikë”.
Përveç Miladinit dhe agjentëve të vet, në mbledhje merrte pjesë dhe një person, i cili vetëm tre muaj më parë ishte akuzuar nga Miladini si agjent i shërbimeve sekrete. Megjithatë, Anastasi dhe Xhepi nuk bënë asnjë protestë dhe e lanë mbledhjen të vazhdonte. Përgjigja e tyre (Anastasit dhe Xhepit) ishte si më poshtë:
“Është e qartë se kur disa gjëra në parti nuk shkojnë mirë, kjo përbën pengesë për mbarëvajtjen e saj. Dhe jemi dakord se është pengesë fryma e vjetër e grupeve. Por nuk duhet që këtë ta shqyrtoni në mënyrë të njëanshme. Si marksistë duhet gjithmonë të përpiqemi të zgjidhim problemet tona me ndihmën e materializmit dialektik. E dini se nuk ka pasojë pa shkak. Fryma e grupazhit që shfaqet ndërmjet shokëve tanë është produkt i frymës që doninon në masë shumë më të madhe ndërmjet dy grupeve të tjerë që janë në udhëheqje të partisë. Eliminimi i frymës së grupazhit në radhët e udhëheqjes, do të bënte që të eliminohej shpçejtësisht edhe ndërmjet shokëve të tjerë. Mirëpo, përderisa keni të drejtën të na nxirrni para gjyqit dhe për këtë arsye të mos na lejoni të shqyrtojmë të metat tuaja, nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër, pos të mbyllim sytë për të mirën e partisë. E përsërisim se fryma e grupazhit do të eliminohet vetëm atëherë kur ju të dëshmoni drejtësinë dhe paanshmërinë tuaj”.
Mbledhja u mbyll me deklaratën e mëposhtme të shokut Miladin:
“Në rast se KQ vendos t’ju përjashtojë nga partia dhe nga ana tjetër – duke pasur parasysh se jeni revolucionarë të vjetër – vendos të mbajë kontakte me ju, ju jeni të gatshëm ta respektoni këtë vendim? Sepse, duhet t’ju paralajmërojmë që, nëse nuk pranoni atëherë partia do të marrë masa më drastike kundër jush”.
Madje dhe një fëmijë do të mundte të kuptonte se KQ i Partisë Komuniste Shqiptare kishte vetëm emrin të tillë, pse Komiteti Qendror i vërtetë përbëhej vetëm nga Miladini dhe Dushani. Kushdo e dinte se anëtarët e KQ ishin agjentë të Miladinit dhe ekzekutorë të urdhrave të tij.
Anastasi dhe Xhepi që e donin partinë më shumë se jetën e tyre dhe që shpresonin se gjendja do të rregullohej, jo vetëm që nuk mund të pozicionoheshin në mënyrë armiqësore ndaj partisë, por përkundrazi, ishin të gatshëm të qëndronin gjithmonë në dispozicion të saj. Duke pranuar bashkëpunimin që u propozoi Miladini, filluan të dyshonin se sulmet sistematike nuk do t’u dilnin për mirë. Miladini me sjelljen e tij tregoi se nuk ishte një komunist i vërtetë. Filluan ta konsideronin si një shovinist serb dhe intrigant, i cili nën maskën e komunizmit donte të krijonte një klikë për t’iu shërbyer më mirë interesave të vendit të tij.
Megjithatë, drejtuesit e grupit të të Rinjve menduan se ishte më mirë që përgjegjësinë për pasojat e kësaj situate t’ia linin Komitetit Qendror. Që të mos shkaktonin një përçarje në parti, preferuan të japin dorëheqjen. Ndonëse të përjashtuar nga partia, plotësuan gjithë objektivat, me përpikmëri dhe vullnet të mirë. Për fat të keq, ndershmëria dhe ndërgjegjja e tyre revolucionare kishin acaruar klikën burokratike.
Shokë të ndershëm dhe revolucionarë të mirë, që ishin veçanërisht të dadhur tek masat, duhej të hiqeshin qafe. Për këtë arsye, udhëheqja urdhëroi agjentët e vet që të organizonin një kontroll për veprimtarinë e gjithë komunistëve të vërtetë dhe posaçërisht të dy shokëve, Anastasit e Xhepit. Anasatasi dhe Xhepi, ndonëse e dinin këtë, nuk protestuan, sepse e dinin që partia e kishte të nevojshme të kontrollonte veprimtarinë e anëtarëve të saj. Por ajo që i revoltoi ishte fakti se ata që u caktuan si përgjegjës për kontrollin ishin njerëz pa as edkumin elementar marksist dhe rrjeshimisht jo kompetentë për një gjë të tillë. Sepse kjo ishte një punë me të vërtetë e vështirë dhe delikate. Një shok i paedukuar është realisht i paaftë të gjykojë drejt për çështjet dhe raportet e tij do të jenë të pasakta.
Por ç’ishte më e keqja, këta agjentë kishin udhëzime nga KQ që të hartonin raporte negative për shokët që kishin nën mbikqyrje. Raporte të tëra u shkruajtën, përmbajtja e të cilave deri më tani mbetet e panjohur për shokët që u referoheshin. Shokët e dinin se parimi komunist i kontrollit të anëtarëve bazohet në prirjen për të zbuluar gabimet. Mirëpo, në asnjë rast nuk është e ndershme që kontrolli të shfrytëzohet me qëllim futjen në grackë të shokëve. Për fat të keq, në Partinë Komuniste Shqiptare fryma e futjes së dikujt në kurth dominoi mbi frymën e korrigjimit të gabimeve.
Në Partinë Komuniste Shqiptare nuk ekzistonte as minimumi i prirjes për një kontroll të hollësishëm, nga maja e flokëve deri në fund të këmbëve, siç e donte dhe vetë Lenini. Pati vetëm e vetëm një kontroll tepër të rreptë nga lart, ndërsa leninizmi na mëson se kontrolli duhet të jetë shumë më i fortë nga poshtë, sepse gabimet eventuale që mund të bëjë udhëheqja mund të jenë katastrofale, ndërsa gabimet që bëjnë anëtarët e thjeshtë nuk mund ta dëmtojnë kurrë seriozisht partinë. Nëse një shok përpiqej të bënte kritikë për gabimet e një udhëheqësi, atëherë jo vetëm që kjo e drejtë e tij nuk merrej parasysh, por ai mund edhe të sulmohej nga drejtuesi i celulës së tij, me epitetin përçmues Xhepist, trockist, sabotator. Për t’iu shmangur kësaj situate të padëshirueshme, shokët nuk guxonin më të kritikonin gabimet që vërenin. Këtu është shembulli i një kritike që një anëtar dege ia drejtoi një anëtari të Komitetit Qarkor të Vlorës, në lidhje me një udhëheqës tjetër. Shoku në fjalë, kthehej një natë nga një fshat e shkonte në një tjetër, i shoqëruar nga një grup guerrilasish të armatosur. Rrugës u ndeshën me një skuadër të milicisë fashiste. Aty, në vend që ai që sillej me dinjitetin që i jepte posti, veproi si një frikacak, braktisi jo vetëm shokët, por la edhe pallton e vet.
Në një rast tjetër, gjatë një beteje të mundimshme kundër fashistëve që ishin dërguar për të goditur fshatin, (betejë që më pas u bë epike prej popullit shqiptar), Gjormi, i njëjti person, e braktisi frontin me pretekstin se i dhimbte stomaku. Në të vërtetë, e braktisi betejën që të shkonte për të ngrënë pulë të pjekur në një fshat tjetër, ku ishte i sigurt se nuk dëgjohej zhurma e betejës. Pati dhe shumë raste të ngjashme.
Persekutimi i opozitës
E shqetësuar nga kritikat konstante dhe duke parë se po dita-ditës po humbte terren, klika burokratike vendosi të gjejë një rrugëdalje nga qorrsokaku. E vetmja mënyrë për të mbrojtur pozitat e saj ishte të hiqte qafe opozitës revolucionare sa më shpejt që të ishte e mundur, tani që ndodhej në stadin fillestar. Për ta dërrmuar atë, klika i dha rrugë të eliminonte gjithë revolucionarët e pakompromis, nëpërmjet vrasjeve sekrete.
Sapo u muar vendimi, u realizua menjëherë. Anastas Lula, marksist-leninisti më i njohur në Shqipëri, u vra brutalisht. Sapo u mësua ky lajm i tmerrshëm, shoku Difi, komisar i batalionit të Mallakastrës, (në atë kohë ishte njësia më e madhe ushtarake partizane), ky pjesëtar i devotshëm i opozitës revolucionare, erdhi të takojë shokun Xhepi, me qëllim që të bisedonte për këtë dhe të bien dakord për një plan veprimi. Difi tha:
Unë sapo mësova diçka që është revoltuese jo vetëm për ju, po për çdo komunist të ndërgjegjshëm. Para disa ditësh, Komiteti Qendror ka zhvilluar një mbledhje, ku është vendosur të dënoheni me vdekje ju, Anastasi dhe disa të tjerë. Anastasi u arrestua nga një skuadër e batalionit që i takonte dhe e çuan larg në një fshat ku nuk e njihte kush dhe aty e akuzuan si trockist, tradhëtar, spiun, e të tjera si këto. Kur ai tentoi të fliste për të heshur poshtë akuzat, skuadra e largoi dhe e ekzekutoi brutalisht. Për ju ata kanë vendosur një mënyrë tjetër ekzekutimi. Duke ditur se ju gëzoni popullaritet të madh në radhët e partisë dhe në banorët e Vlorës, do t’ju vrasin në fshehtësi gjatë natës dhe të nesërmen do të organizojnë një funeral madhështor, me lule, kurora dhe fjalime ku do të ngrihet në qiell herozimi dhe virtytet tuaja. Problemi ynë është të vendosim se çfarë do të bëjmë për t’i dhënë fund këtij terrorizmi individual të frikshëm. Unë e di se kjo që po bëj, përbën shkelje të disiplinës së partisë, por kjo shkelje është absolutisht e domosdoshme, e bëj për hir të shpëtimit të partisë dhe parandalimin e gabimeve që mund të sjellin vetëm katastrofën. Veç kësaj, për një shok si ju, unë e di shumë mirë se akuzat kundër jush janë thjesht të fabrikuara. Nëse ju keni ndonjë synim për të dëmtuar partinë dhe për të marrë udhëheqjen, siç thonë ata, unë e di se ju do të ma thoshnit më së pari mua, shokut tuaj më të ngushtë. Është krejtësisht e kundërta. Çdo herë që kam shprehur pakënaqësinë për Qarkorin e Vlorës, jeni përpjekur të më bindni se ishte e domosdoshme të kem besim tek partia. Unë nuk mund ta kuptoj se si mund t’ju akuzojnë për një gjë të tillë. Për mua është një klikë që, nën maskën e komunizmit kërkojnë të sigurojnë një monopol të përhershëm mbiudhëheqjen e partisë dhe në shërbim të këtij qëllimi, kanë vendosur të eliminojnë gjithë revolucionarët me vlerë. Si mund të justifikohet vrasja e shokëve, pa asnjë gjyq dhe pa u dhënë mundësinë të mbrojnë vetveten? Unë besoj se kjo është tradhëti e hapur ndaj lëvizjes sonë revolucionare, mirpo ju kërkoj juve, si një komunist me përvojë, të na tregoni një rrugë normale se si mund t’i ndalojmë këto procese gjyqësore.
Për mendimin e Xhepit, mënyra më e mirë komuniste do të ishte thirrja e një konference, me pjesëmarrjen e të paktën dy delegatëve nga çdo degë, gjithë anëtarët e Qarkorit të Vlorës dhe një ose dy anëtarë të Komitetit Qendror. (Vlora ishte një nga qendrat më revolucionare dhe vendi më i mirë për t’u aplikuar parimet leniniste të centralizmit demokratik). Objekti i konferencës do të ishte shqyrtimi i fajeve dhe i gabimeve, dhe ndëshkimi i përgjegjësve. Nëse procesi tregonte se Qarkori i Vlorës nuk gëzonte më besimin e shumicës së shokëve, duhej të zgjidhej në mënyrë demokratike një komitet i ri i Qarkut.
Mirëpo, ndonëse 80 për qind e anëtarëve e donin thirrjen e kësaj konference, Qarkori i Vlorës, bashkë me Komitetin Qendror e kundërshtuan kategorikisht atë. Fillimisht ata u shtirën në favor të idesë për një konferencë të tillë, por këtë e bënë thjesht për të fituar kohë me qëllim që të përgatitnin planin për eliminimin e shokëve më aktivë e më të ndërgjegjshëm. Sapo plani i tyre terrorist u hartua, ata arrestuan në fshehtësi komisarin politik të komunës së Dukatit. Pastaj organizuan një pritë për vrasjen e shokut Xhepi, por ai mundi të shmangej, falë shokëve të tij që e paralajmëruan në kohën e dukur. Ata arrestuan në mënyrë të ulët Xhemil Çakërrin – komisar politik dhe Vangjon – komandant i batalionit të Vlorës. I çuan në një mulli, ku do t’i ekzekutonin. Komisari politik u vra brutalisht, por komandanti arriti të shpëtonte vetëm me plagë në duar dhe gjeti strehë në një fshat, ku banorët i ofruan një pritje miqësore.
Mehmet Shehu (sot gjeneral i plotfuqishëm stalinist), krimineli më i famshëm në Shqipëri, shkoi në atë fshat dhe e arrestoi prapë Vangjon, u tha banorëve se tentativa për ta vrarë ishte një akt aksidental i grupit të shoqërimit dhe se Vangjo tani do të dilte para gjyqit të partisë.
Vangjo u çua në një shtëpi në mes të pyllit dhe aty, nën kanosjen e një arme, e detyruan të shkruante një urdhër për batalionin, sipas të cilit urdhër ia kalonte komandën gjeneralit në fjalë. Vangjo qëndroi i burgosur për tre muaj, pastaj mundi të arratisej dhe t’u bashkohej shokëve të opozitës.
Ndërkaq, vrasjet e revolucionarëve opozitarë u bënë përherë e më të shpeshta. Nëpërmjet shtypit e propagandës udhëheqja u përpoq të krijonte përshtypjen se kërkesa për thirrjen e konferencës kishte si qëllim të vetin shkatërrimin e partisë dhe se ishte një komplot i thurrur nën drejtimin e Xhepit.
Nëse opozita revolucionare përfshihej në një komplot, siç pretendonin stalinistët, rrëzimi i klikës do të ishte i pashmangshëm dhe pa vështirësi, sepse klika ishte një minorancë në Vlorë. Por shokët e opozitës revolucionare, që nuk i njihnin metodat staliniste, përkundrazi, synonin të vepronin në mënyrën më legale të mundshme brenda partisë. Nuk ishin dhe nuk do të mund të ishin armiq të partisë. Por klika udhëheqëse kishte vendosur t’i godiste me çdo mjet e mënyrë. Revolucionarët e ndërgjegjshëm të opozitës e kishin të pamundur të përdornin armët kundër shokëve të tyre. klika staliniste nga ana tjetër, nuk kishte asnjë hezitim t’i zyhste duart në gjakun e militantëve revolucionare, të sprovuar në betejat kundër fashizmit dhe forcave okupatore.
Vetëkuptohet, se opozita revolucionare në Shqipëri ra viktimë e pavendosmërisë së vet dhe kjo lejoi eliminimin e gjithë atyre që u shprehën në favor të thirrjes së konferencës. Duhet të kuptohet edhe nga një fëmijë, se klika burokratike e refuzoi thirrjen e konferencës, jo pse e konsideroi si një rrezik për partinë, por sepse e kishte të pamundur të justifikonte veprimet e veta dhe mbi të gjitha, e kishte të pamundur të shpjegonte devijimin nga vija e pastër komuniste. Rrjedhimisht, rruga më e lehtë ishte të fitohej kohë nëpërmjet terrorit. Nëse udhëheqësit stalinistë ishin revolucionarë të vërtetë, ata nuk kishin asnjë arsye të trembeshin nga mbajtja e konferencës, qëllimi i vetëm i së cilës ishte të korrigjonte gabimet e të kaluarës dhe të zgjidhte organet drejtuese në mënyrë demokratike.
Ishte e pamundur për komunistët që kishin bërë kaq sakrifica për themelimin e partisë, të shkatërronin me duart e tyre frytet e një pune kaq të madhe. Stalinistët e dinin shumë mirë këtë. Jo, arsyeja kryesore e dredhisë së tyre lidhej me frikën se mos humbisnin udhëheqjen e partisë. Edhe nëse ata dëshironin ta pranonin propozimin krejtësisht të përligjur të opozitës, megjithatë ishin të paaftë ta bënin këtë, pse ata luanin një rol jo të pavarur. Jo ata, por dikush tjetër komandonte në Shqipëri: gjeneralismi Stalin.
Gjithsesi, ky është mendimi i autorit, se gjendja tragjike e partisë sonë përbën një provë të mjaftueshme se stalinizmi, jo vetëm u vetëzëvendësua prej fashizmit, por e tejkaloi fashizmin në metodat dhe politikat që ndoqi.
Klika
Është e qartë se nuk mund të priteshin shumë gjëra nga Partia Komuniste Shqiptare. Por ka edhe parti të tjera komuniste, parti të vjetra me tradita të mira revolucionare, - siç është PK Franceze- udhëheqja e të cilës prej shumë kohësh është bërë instrument i klikës burokratike të Kremlinit. Lëvizja komuniste ishte ende në stadin embrionial kur u infektua nga stalinizmi. Pak prej shokëve kishin një koncept të turbullt për marksizëm – leninizmin. Pjesa tjetër ishin simpatizantë që u bindën për drejtësinë e komunizmit më tepër për arsye emocionale, se sa anëtarë me edukatë revolucionare. Është vërtetë e vështirë të bëhesh komunist vetëm me një urdhër, si në rastin e Shqipërisë. Komunizmi është produkt i kushteve specifike ekonomiko-sociale (lufta e klasave), dhe këto nuk kishin arritur një stad të kënaqshëm pjekurie në Shqipërinë e asaj kohe. Partia ekzistonte prej vetëm 18 muajsh dhe komunistëve shqiptarë u nevojitej koha e domosdoshme për të edukuar veten dhe për t’u zhvilluar.
Atje nuk kishte proletariat industrial dhe, rrjedhimisht, lufta e klasave e organizuar nuk ekzistonte. Ajo që vlen të theksohet është se populli shqiptar, përkundër betejave të ashpra për ekzistencë dhe shtypjes nga regjimet e huaja, kanë treguar një shpirt revolucionar të pakrahasueshëm.
Për shkak se udhëheqësit e lëvizjes komuniste shqiptare nuk kishin përvetësuar as parimet elementare të komunizmit, stalinistët jugosllavë mundën natyrisht të krijonin pas asnjë pengesë një klikë që u bindej verbërisht urdhërave të tyre. Është e tepërt të themi se direktivat e para qenë të eliminoheshin me anë të vrasjeve revolucionarët e vërtetë marksistë-leninistë. Për ata, komunistët e veçuar përfaqësonin një rrezik. Fashistët dhe reaksionarët, në sytë e tyre, kishin rëndësi sekondare.
Rrjedhimisht, e bindur ndaj “ustallarëve” të huaj që u premtoi poste dhe ofiqe, kjo klikë avancoi në vrasjen e militantëve të shquar revolucionarë, të cilët në të vërtetë e kishin krijuar lëvizjen komuniste në Shqipëri.
Pas refuzimit të udhëheqjes për thirrjen e konferencës, dhe pasi ata filluan metodat terroriste kundër opozitës revolucionare, këta të fundit publikuan një broshurë me titull “Përse u prishëm me të vetëquajturën Parti Komuniste”. Dokumenti ishte nënshkruar nga “Organizata e Komunistëve të Vërtetë”. Qëllimi i kësaj broshure ishte të informoheshin anëtarët e partisë dhe opinioni për gjithë tradhëtitë që ata kishin kryer.
Pas publikimit të buletinit, lëvizja revolucionare e Vlorës u pasua nga disa lëvizje të ngjashme, sidomos në qendra si Berati, nën udhëheqjen e militantëve revolucionarë, si Resuli, Namiku dhe Fatbardhi.
Për fat të keq, këtu lëvizje u dënuan me izolim, sepse ato filluan në periudhën kur klika burokratike i kishte konsoliduar ndërkaq pozitat e veta nëpërmjet metodave terroriste dhe demagoge.
Stalinistët filluan të akuzonin opozitën revolucionare se punonte në krahun e reaksionit. Por revolucionarët ishin në gjendje të provonin me fakte të shumta se qenë stalinistët ata që kishin zhgënjyer masat nëpërmjet aktivizimit të metodave terroriste kundër shokëve, të cilët kushdo i njihte si militantë revolucionarë qysh kaherë. Çfarë tjetër mund të bënte populli, veç t’i largohej partisë, kurmësonte se cilët qenë vrasësit e revolucionarëve të njohur si Anastas Lula, Neki Hoxha (Vangjo), Xhemil Çakërri, Llazar Fundo, Resul Tozhari, Namik Mehqemeja, Xhafer Dalami, Xhelal Hoxha, Nimet Mita, Haki Xhelo, Duro Kanina, Idajet Bolena, Zef Noja, e qindra të tjerë, që ishin shquar për punën e tyre revolucionare.
Humbja
Si ishte e mundur që populli të mos humbiste besimin në atë parti, kur mësoi se një kolonel fashist i ushtrisë italiane e festoi me tri të shtëna vrasjen e këtyre heronjve revolucionarë, që kishin qenë tmerri i fashistëve në Shqipëri?
Dhe si do të mundte që populli të mos shokohej kur armiqtë më të vendosur të fashizmit në Shqipëri ishin vrarë nga vetë partia e tyre dhe dëshirat e fashistëve ishin bërë realitet nga rivalët e denjë të tyre, stalinistët?
Për ta mbyllur, lëvizja komuniste shqiptare degjeneroi për shkak të ndërhyrjes së agjentëve stalinistë, të cilët ne tashmë i keni specifikuar.
Rrjedhojë e kësaj ndërhyrjeje ishte që sinqeriteti i të kaluar të zëvendësohej nga hipokrizia dhe shpifjet monstruoze; besnikëria në idealet komuniste u zëvendësua me karrierizmin dhe kultin e udhëheqjses; vetëdisiplina me disiplinën e hekurt të vendosur nga lart; kritika u shndrrua krejtësisht në autokritikë; liria e mendimit ia la vendin besimit të verbër. Respekti i mëparshëm, që frymëzohej prej shkokëve që kishin dhënë prova të përsëritura të përkushtimit të tyre ndaj lëvizjes, u zëvendësuan nga idololatria e detyruar ndaj njerëzve të paaftë, injorantë dhe mikroborgjezë, si kolonel Enver Hoxha e kompani.
Shumica e anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë, bashkë me popullin shqiptar, përditë e më tepër po njihen me degjenerimin në rritje të komunizmit nga klika burokratike staliniste. Të ashtuquajturat “gjyqe popullore” po ofrojnë një shërbim të madh për të nxjerrë në shesh fytyrën e vërtetë të udhëheqësve të “demokracisë së re popullore”. Vrasjet burracake të qindra revolucionarëve marksistë-leninistë, dënimi me vdekje para pak kohësh i njerit prej revulocionarëve më të vjetër e më të njohur, Hasan Reçi (ky është dënuar tri herë me vdekje si komunist: një herë nga mbreti Zog, një herë nga okupatori fashist dhe për herë të tretë nga stalinistët); burgimi i revolucionarit Kadri Hoxha njërit prej revolucionarëve më të devotshëm, që ka dhënë një kontribut të shquar për çështjen komunizmit; spastrimi i revolucionarit të vjetër Sejfulla Malëshova, një nga pionierët e komunizmit në Shqipëri, që e kaloi pjesën më të madhe të jetës jashtë, për të koordinuar lëvizjen komuniste shqiptare me ato të vendeve të tjera dhe që për një kohë të gjatë ishte pegdagog i filozofisë materialiste në universitetin e Moskës; privilegjet shoqërore dhe ekonomike për kastën burokratike dhe, mbi të gjitha, shtypja e popullit nga një klikë e vogël diktatoriale, këto janë disa nga karakteristikat më të spikatura të tradhëtisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri.
Sot pyetja që shtrohet është: Populli shqiptar, do të qëndrojë gjithmonë pasiv, duke e pranuar këtë gjendje si një sëmundje të pashërueshme? Populli shqiptar mbetet revolucionar. Ai do të jetë i aftë, nën udhëheqjen e marksistë-leninistëve më të devotshëm (të pafuqishëm për momentin, por gjithmonë të gatshëm për të rifilluar luftën), të heqë qafe këtë mikrob vdekjeprurës për shoqërinë njerëzore. Ishte populli që besoi në premtimet e stalinistëve dhe u dha pushtetin. Dhe do të jetë populli ai që, duke parë me sytë e veta se si stalinistët kanë tradhëtuar idealet e popullit dhe të mijëra shokëve që ranë në emër të idealit, populli pra, do t’u japë fund krimeve të tyre. Nën flamurin e Internacionales së 4-t, populli shqiptar do të rifillojë marshimin e tij drejt çlirimit të shoqërisë njerëzve dhe drejt socializmit.
FUND
Botuar së pari në revistën “Internacionalja e 4-t”, janar 1949 dhe ribotuar në revistën “Revolutionary History”, 1990.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου