Këshillat sekrete të Stalinit për Enverin
Këshillat sekrete të Stalinit për Enverin
Rusët kanë nxjerrë nga arkivat pas plotësimit të afateve
ligjore gjithçka lidhet me periudhën 1949-1953. Materialet, klasifikuar
dikur “top sekret”, i kanë botuar në tirazh tepër të vogël në dy vëllime
voluminozë. Interesant është fakti që edhe për Shqipërinë në to ka
materiale me vlerë, të cilët ne nuk i kemi.
Luan Kondi
Historianët duhet të gërmojnë në arkivat ruse, pasi kemi një histori të
paktën 20-vjeçare, të mbyllur në to. Shumë dokumente nuk mund të gjenden
te ne, sepse diplomatët e huaj, pas takimeve dhe bisedave që kanë pasur
me personalitete të qeverisë shqiptare, u kanë raportuar qeverive të
vendeve të tyre dhe nuk kanë lënë kopje të këtyre raporteve në vendin
tonë, për shkak të karakterit sekret të tyre. Kështu është edhe rasti i
ambasadorit rus D.S.Çuvakini, raportet e të cilit janë botuar nga rusët
tani pas 50 vitesh. Kjo praktikë vazhdon të ndiqet edhe sot. Nëse do të
kërkohet nëpër arkivat ruse, me siguri do të gjenden edhe materiale të
tjera, të cilat mund të hedhin dritë mbi atë periudhë të historisë së
marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Të bënë përshtyje fakti që në
një botim të Akademisë së Shkencave të ish-Bashkimit Sovjetik ishte
botuar një letër e Enver Hoxhës drejtuar udhëheqjes së lartë të sovjetit
lidhur me Kosovën. Këtë letër, jo vetëm ai, por edhe mjaft historianë,
me të cilët kishte biseduar, nuk e njihnin. Në atë letër, të cilën
Enveri e kishte dërguar qysh në shtator të vitit ‘49-të, janë dhënë disa
qëndrime, të cilat ne nuk i kemi njohur. Vëllimet që përmbanin këto
materiale ishin në jo më shumë se 1000 kopje, për t’u shitur më vonë.
Ish-ambasadori i kishte siguruar botimet nga një mik i tij librashitës.
Këto dokumente merrnin për kufi kohor vdekjen e Stalinit, kështu që
gjithçka ka ndodhur përpara kësaj kohe është përfshirë në dy vëllimet.
Janë pothuajse 2000 faqe. Megjithëse Shqipëria nuk zinte ndonjë vend të
madh në krahasim me vendet e tjera të kampit socialist, pasi ishte një
shtet i vogël, përsëri ato materiale që gjendeshin kishin vlerë. Disa
dokumente që i takojnë Shqipërisë janë në vëllimin e parë dhe disa të
tjera në vëllimin e dytë. Më të rëndësishmet janë në vëllimin e dytë, i
cili nuk ka ardhur akoma në Bibliotekën Kombëtare, megjithëse është
botuar që në vitin 1999. Dy janë dokumentet më themelor; letra dërguar
udhëheqjes së lartë ruse për Kosovën, ku jepen edhe mënyrat e zgjidhjes
së kësaj çështjeje delikate, dhe një bisedë e Stalinit me Enver Hoxhën,
në mars të vitit 1949, e regjistruar nga pala ruse. Kjo merret për bazë
si më e sakta, sepse është si një proces-verbal i atij takimi. Aty ka
gjëra shumë interesante, por më shumë bie në sy fakti që Stalini e
njihte mirë Shqipërinë në atë kohë. Ai, madje ka dhënë disa këshilla, të
cilat do të ishin shumë të dobishme nëse do të ishin zbatuar te ne. Ato
lidheshin me qëndrimin ndaj borgjezisë së vogël, intelektualëve, fesë,
mënyrës së kompensimit të qeverisë. Nuk ka lënë pa përmendur disa
rekomandime për kolektivizimin, politikën e jashtme. Këto dokumente janë
të vlefshme për faktin se shërbejnë si nxitje për studiuesit e
historisë, pasi disa gjëra mund të na bëhen më të qarta.
Biseda e Enver Hoxhës me Stalinin në takimin e dytë midis tyre në Moskë,
më 23 mars 1949, ruajtur kjo në arkivat ruse. Nga biseda, e cila ka
zgjatur më shumë se 2 orë, janë shkëputur vetëm pasazhet ku Stalini i
jep disa këshilla të vlefshme Enverit. Shënimet i ka mbajtur V.Erofejev.
…Shoku Stalin vëren: Shqiptarët më duket po krijojnë kolkoze (kooperativa)
Hoxha përgjigjet: Në kongres u muar vendim të fillohet nga krijimi i kolkozeve, por të mos nxitohet me këtë punë.
Shoku Stalin thotë: Shokët shqiptarë nuk duhet të nxitohen të krijojnë
kolkoze. Shqipëria është një vend i prapambetur malor. Madje, dhe në
Bashkimin Sovjetik, në rrethet malore, nuk ka kolkoze. Prandaj ne
Shqipëri, hë për hë, nuk duhen krijuar kolkoze. Po qe se fshatarët
s’kanë plehra, kafshë dhe makina, shteti mund t’u vijë në ndihmë. Për
këtë duhet që shteti të ketë pikat e veta të makinave dhe traktorëve, në
mënyrë që, nëse fshatarët duan të marrin ndihmë me makina, shteti t’u
lërojë tokën fshatarëve me ndihmën e këtyre makinave, ndërsa gjatë
vjeljes së drithërave t’i ndihmojë fshatarët t’i shijnë ato. Për këtë
ndihmë, shteti duhet t’u marrë fshatarëve njëfarë pagese në natyrë. Se
si do ta ndajnë fshatarët midis tyre dhe misrin, kjo s’i takon shtetit.
Shteti do të marrë pagë në natyrë. Shteti duhet të ketë një ekonomi të
vetën me traktorë, makina shirëse dhe të tjera makina për të ndihmuar
fshatarët, po qe se ata do të kërkojnë ndihmë. Këto s’janë kolkoze, por
në të njëjtën kohë kjo do t’u japë mundësi fshatarëve t’i kthejnë sytë
nga teknika dhe të vlerësojnë rëndësinë e saj. Në kohën e vet kjo te ne
quhej pikë makinash dhe traktorësh. Fshatarëve u jepeshin me qira
makinat, të cilat pastaj i ktheheshin përsëri shtetit. E njëjta gjë
duhet bërë dhe në Shqipëri. Për sa i përket shpërndarjes së të korrave,
ata fshatarë që kanë më shumë tokë do të marrin më shumë, kurse ata që
kanë më pak tokë do të marrin më pak. Kjo s’do të thotë luftë me
kulakërinë, por ama kjo do t’i mësojë fshatarët pak të kamur të veprojnë
bashkarisht.
Shoku Stalin pyet nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare kombëtare.
Hoxha përgjigjet: Në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as
fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto asaj i janë marrë.
Shoku Stalin thotë: Kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të
mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë njëfarë
tregtie, deri sa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj
borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe
pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë ndërmjet
borgjezisë duhen shfrytëzuar dhe jo larguar. Shoku Stalin thotë se ai
mund të sjellë një shembull nga praktika që ekziston në Kinën Veriore.
Ndërmjet borgjezisë kombëtare kineze, ndërmjet fabrikantëve të vegjël e
të mesëm dhe ndërmjet tregtarëve ka të tillë që i mbështesin komunistët.
Ne i këshilluam shokët kinezë të mos i largonin këta elementë. Kjo
pjesë kombëtare patriotike e borgjezisë mendon se vetëm komunistët mund
të mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e Kinës dhe se të gjitha partitë e
tjera kanë falimentuar. Prandaj ajo po vendos kontakte me komunistët.
Kjo pjesë e borgjezisë kombëtare është shkëputur nga Çan Kai Shia, sepse
e pa që partia e tij nuk është e aftë të mbrojë një Kinë të bashkuar e
të pavarur, sepse u bind që luftën për një Kinë të pavarur e bëjnë vetëm
komunistët. Dhe borgjezia me të vërtetë i ndihmon komunistët. Siç
dihet, Kina është e ndarë në dy pjesë: Veriore dhe Jugore. Disa shoqëri
tregtare në veri të saj i furnizojnë komunistët kinezë me mallra nga
jugu, duke përfshirë madje edhe mallra amerikane. Pyetjes se përse e
bëjnë ata një gjë të tillë dhe përse sakrifikojnë paratë e veta, ata
përgjigjen se nuk shohin, përveç komunistëve, askënd që mund të mbrojë
pavarësinë e Kinës kundrejt Japonisë dhe Amerikës. Lenini kurdoherë
mendonte që, po qe se revolucioni ka karakter antiimperialist për
çështjen e mbrojtjes së pavarësisë së vendit që ndodhet e kërcënuar,
komunistët mund të kenë njëfarë bashkëpunimi me borgjezinë kombëtare. Ky
bashkëpunim është i lejushëm në një etapë të caktuar në periudhën e
parë. Këtë vërejtje të Leninit duhet ta mbajnë mend shokët shqiptarë. Në
vendet e demokracisë popullore borgjezia kombëtare është bërë
skandaloze me lidhjet e veta me pushtuesit gjermanë dhe italianë.
Prandaj, kur trupat ruse hynë në këto vende, borgjezia iku me gjermanët.
Në territorin e Shqipërisë s’ka pasur as trupa jugosllave dhe as trupa
sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, nëse shokët
shqiptarë nuk i kanë masakruar të gjithë. Të largosh nga vetja një
borgjezi që është për pavarësinë kombëtare dhe mund të ndihmojë, është
një gjë që s’duhet bërë.…
Shoku Stalin vazhdon: Kjo ka të bëjë edhe me disa elementë të
inteligjencës, që nuk i simpatizojnë komunistët, por e shohin që
pavarësinë e vendit mund ta mbrojnë vetëm ata. Prandaj këta njerëz të
inteligjencës, edhe pse nuk i simpatizojnë komunistët, mund t’u japin
atyre njëfarë ndihme. Ata, gjithashtu, s’duhen larguar nga vetja.
Bolshevikët rusë nuk e kanë ndjekur një politikë të tillë. Rusinë në
çastin e revolucionit askush nuk e pati pushtuar dhe askush nuk e
kërcënonte, po të mos llogaritim luftën me Gjermaninë. Prandaj
revolucioni rus nuk kishte karakter antiimperialist. Tehu i tij ishte
drejtuar brenda vendit. Prandaj ka ndyshim midis asaj që ndodhte në Rusi
dhe asaj që ndodhi në Kinë, Kore dhe vende të tjera. Përderisa në Rusi
nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare
ruse ishte armiku i papajtueshëm i revolucionit. Lufta me të zgjati disa
vjet, borgjezia ruse nuk ishte patriote. Ajo thërriste në ndihmë
francezët dhe anglezët, i bënte thirrje ndërhyrjes. Shokët shqiptarë, në
politikën e tyre nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi ose në
vende të tjera. Ata duhet të mbajnë parasysh veçoritë e vendit. Po qe se
në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël që do të çelin
ndërmarrje, dyqane apo punishte të vogla, atyre u duhen dhënë patenta,
t’u vihet taksa, por t’u jepet mundësi të merren me veprimtari tregtare
dhe industriale, deri sa të forcohet ekonomia e Shqipërisë.…
Shoku Stalin pyet se kush është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare.
Hoxha përgjigjet se Komandant i Përgjithshëm është ai vetë.
Shoku Stalin thotë se sovjetikët, bolshevikët, kanë një parim të tillë
në ndërtimin e shtetit: nëse në vend predominojnë myslimanët, në qeveri
shumica duhet t’u përkasë po ashtu myslimanëve. Popullit s’duhet t’i
dhunohet feja. Ai s’ka për ta kuptuar pse në krye të qeverisë qëndrojnë
myslimanët, në një kohë kur në një vend shumica janë të tillë. Këto janë
gjëra elementare, por në Jugosllavi nuk e kanë kuptuar këtë. Natyrisht,
kjo s’do të thotë që në qeveri duhet të jenë vetëm myslimanët, duhen
zgjedhur edhe njerëz të aftë nga pakicat kombëtare për të ruajtur
unitetin e popullit. Pjesëmarrja në qeveri e përfaqësuesve të pakicave
kombëtare dhe fetare do t’i sigurojë stabilitet vendit.…
Shoku Stalin thotë se fjalët lidhur me copëtimin e Shqipërisë janë
sajuar për të frikësuar shqiptarët. Siç dihet, pavarësia e Shqipërisë
është siguruar me Deklaratën e tri fuqive, Amerikës, Anglisë dhe
BRSS-së. Natyrisht, Deklarata mund të shkelet, por kjo nuk është kaq e
lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi qëndrojnë në
këmbë, e jo më të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Nëse
shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do të shajnë shumë
imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen me më modesti,
Shqipërinë askush s’ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që
Shqipëria t’i përkasë Italisë, sepse kjo do të forcojë Italinë; nuk duan
që ajo t’i përkasë Greqisë, pasi kjo do ta forcojë atë; nuk duan t’i
përkasë Jugosllavisë. Për këtë shkak ata janë për ruajtjen e pavarësisë
së Shqipërisë.
Enveri në kujtimet e botuara në librin “Me Stalinin”
Shoku Stalin më pyeti: Keni krijuar shumë kooperativa të tilla? Ç’kritere ndiqni?
Unë sqarova me këtë rast se kongresi orientoi që kolektivizimi i bujqësisë të bëhet gradual, i matur dhe në baza vullnetare….
Shoku Stalin tha se: Për sa i përket kolektivizimit të bujqësisë ju nuk
dueht të shpejtoheni. Vendi juaj është malor dhe me reliev që ndryshon
nga zona në zonë. Edhe te ne në zonat malore, të ngjashme me ato të
vendit tuaj, i kemi ngritur shumë vonë kolkozet.
Shoku Stalin tha pastaj: nuk e njoh historinë e karakteristikat e
borgjezisë në vendin tuaj, dhe pyeti: Keni pasur ju borgjezi tregtare?
Enveri: Kemi pasur, një borgjezi tregtare në formim e sipër, por tani ajo nuk ka gjë në dorë.
Stalini: I keni shpronësuar krejt?
Enveri: Në përgjigje të pyetjes, unë i fola shokut Stalin mbi politikën
që kishte ndjekur partia që gjatë luftës me klasat e pasura, për
diferencimin e madh që kishte ndodhur nga qendrimi i elementeve të
këtyre klasave ndaj pushtesve të huaj. …Për sa u përket atyre
elementëve, kryesisht të borgjezisë së mesme e të vogël patriotike, që u
lidhën me popullin në luftë e iu kundërvunë pushtuesit të huaj - më tej
vazhdova - Partia i përkrahu, i mbajti afër dhe u tregoi rrugën e
vërtetë për t’i shërbyer zhvillimit të vendit e pavarësisë së atdheut… .
Stalini: Për sa u përket britmave që bëjnë armiqtë e jashtëm për ndarjen
e Shqipërisë, ato bëhen sa për t’ju futur frikën, se në këtë drejtim
unë mendoj se, aktualisht, nuk ka ndonjë rrezik. Kjo nuk ndodh nga
“dashamirësia” e armiqve, por për një sërë arsyesh. Në radhë të parë,
Shqipëria është një vend i lirë, i pavarur, populli atje ka marrë fuqinë
dhe do të dijë ta mbrojë pavarësinë e vet, ashtu siç edhe diti ta
fitonte. Së dyti, vetë armiqtë e jashtëm kanë kontradikta me
njëri-tjetrin në lidhje me Shqipërinë. Asnjëri nga armiqte nuk do që
Shqipëria të jetë vetëm e njërit ose e tjetrit.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου