Nga Sokol Paja
“Propaganda e regjimit totalitar kapet tek strukturat primare të ndijimeve trupore, ajo kërkon ta përligjë totalitarizmin duke përdorur realitetin primar, themelor, zanafillor të çdo qenieje njerëzore: trupin e saj nga pikëpamja fizike”. Sistemi komunist që u vendos në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore i propagandonte si të padëshiruara besimet fetare, patriarkalizmin, e nacionalizmin sepse binin ndesh me ndërtimin e njeriut dhe sistemit të ri komunist. Propaganda dhe ideologjia totalitare në shtypin e shkruar komunist “përdorën disa forma të funksionimit të besimeve fetare, kulturave kanunore, të nacionalizmit, të patriarkalizmit, të zhveshura nga kuptimi i tyre i vërtetë për t’u bërë të besueshme dhe për të pasur sukses në bindjen ideologjike të popullsisë”. Edhe pse Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë e vitit 1946 e lejon lirinë e besimit fetar dhe ushtrimin e tij, veprimet, burgosjet, propagandat kundër fesë arrijnë në ekstrem. Pushteti del mbi ligjet që i ka miratuar vetë, nuk pyet për asnjë ligj dhe vepron mbi bazën e një vullneti të shfrenuar antiligjor. Propaganda në shtypin e shkruar komunist në fillimet e vendosjes së regjimit totalitar është e tipit parapërgatitës ku ngulmohet dhe jepet ideja mbi rëndësinë që kishte lufta ndaj fesë dhe përgatitja e opinionit publik se veprimet ndaj klerit ishin të drejta dhe të duhura. Sipas propagandës komuniste feja dhe sidomos kisha është përdorur me qëllim që “të propagandojë nga njëra anë idetë që i leverdisnin shfrytëzuesve dhe në dëm të punonjësve, pra idenë e nënshtrimit, të përuljes, të durimit, të vuajtjes dhe nga ana tjetër atë të dashurisë dhe te paqes midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, midis të pasurve dhe të varfërve”. Komunizmi e shihte fenë si pengesën më të madhe për ndërrimin e rendit të ri komunist pasi “parimet e faljes, dashurisë universale, mëshirës i mosrezistencës së krishterë ndaj të keqes bien drejtpërdrejtë në kundërshtim me parimin e luftës së klasave që konsiderohet si zemra e sistemit totalitar, motori i funksionimit të institucioneve të tij”. Arsyeja themelore sipas propagandës komuniste se pse duhej eliminuar feja ishte se: “Duke idealizuar dhe ngjallur shpresën për një botë qiellore, e përbuz realitetin tokësor, profan, “vulgar” dhe për pasojë i largon masat nga revolucioni që synon përmbysjen e shoqërisë së shtypjes dhe të shfrytëzimit dhe ndërtimin e shoqërisë socialiste”. Feja duhej luftuar me çdo kusht sepse sipas propagandës komuniste, e zhyste njeriun në prapambetje, skllavëri, errësirë dhe se feja ishte importuar prej pushtuesve te huaj dhe nuk kishte burimin në shpirtin e popullit tonë por në idetë dhe mendimet shtypëse e reaksionare të pushtuesve. Etiketimi i besimit fetar si fall apo bestytni shpjegohet dhe propagandohej me faktin se “mungesa e fuqisë së njeriut përpara natyrës, frika e tij nga gjërat misterioze dhe të pakuptueshme nga të cilat varej fati i tij, krijuan një terren tepër të përshtatshëm për lindjen e qoftë paragjykimeve fetare, ashtu edhe të besimit në fall”. Vendosmëria e diktatorit Hoxha dhe aparatit diktatorial për eliminimin e fesë ishte “për shkak të diversitetit fetar në Shqipëri, Hoxha e shihte atë si në faktor përçarës krejt ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit ku feja luante një rol të rëndësishëm përbashkues në rrafsh kombëtar”. Sulmi komunist mbi fenë sidomos mbi katolicizmin lidhej me origjinën e tij. “Vatikani si qendër botërore e kishës katolike ka luajtur dhe luan një rol thellësisht reaksionar. Ai gjithmonë ka qenë dhe është mbështetja e forcave reaksionare e konservatore në luftën kundër forcave progresive, revolucionare, çlirimtare”. Komunistët në shtyp propagandonin për një shoqëri të unifikuar dhe pa ndarje fetare se në këtë mënyrë ndarja dhe lufta e klasave do të ishte e dobët.
Aspekte të propagandës antifetare në shtypin e shkruar komunist 1945-66
“Pushteti shpirtëror dhe përndjekjet për shkak të dogmës, janë vetëm mjete ndihmëse për forcimin e pushtetit shtetëror…komunistët nuk janë mbështetja e sistemit, por “mishërimi trupor” i tij”. Komunistët propagandonin se feja si institucion, si besim, si ndërgjegje, si individ duhet luftuar me çdo kusht kundër asaj që mban peng ndërgjegjen e njerëzve, kundër shfaqjeve të huaja, besimeve të kota, zakoneve prapanike etj, pasi ishte një kusht themelor për shoqërinë dhe njeriun e ri socialist. “Mbeturinat fetare dhe zakonet prapanike janë një pengesë serioze në rrugën e ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste”. Propaganda e Partisë Komuniste në pushtet kundër klerit ishte shumë e fortë. Feja për komunistët shihej si shumë e dëmshme dhe i pengonte ata për ndërtimin e shoqërisë së re, ndaj lufta ndaj saj duhej bërë me çdo çmim. Feja konsiderohej si një burim i pushtetit armik në Shqipëri. Me anë të propagandës antifetare po përgatitej njeriu i ri komunist antifetar. Ideologjia fetare zëvendësohet me ideologji komuniste. Në çdo punë apo në çdo vendodhje të komunistit, “ai duhet të japë shembull organizimi, ideologjie, të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, të tregojë iniciativën, të jetë novator dhe luftëtar për një prodhimtari të lartë në punë. Komunisti është organizatori, është edukonjësi dhe prijësi politik i masave”. Në gazetën Koha e Re e viti 1946 propagandohej se në kohën e pushtimin Nazi-Fashist të Shqipërisë, priftërinjtë katolikë kanë qenë kundër Lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe madje kanë bërë propagandë nëpër Kisha kundër kësaj lëvizje. Priftërinjtë sipas shkrimit u rreshtuan në krahun e fashistëve dhe bënë përgjatë gjithë luftës një propagandë helmuese kundër Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Populli ka dëgjuar vetë këta të mallkuar se çfarë helmi kanë vjellë në kohën e okupacionit fashist, për ti heq djemtë nga L.A.N.Ç e për t’i futur në prehrin e gestapos”. Kleri anatemohej si e keqja e popullit shqiptar, si bashkëpunëtore me pushtuesit, si sabotatorë të ndërtimit të shtetit komunist në Shqipëri, shkatërrues të rendit të ri në Shqipëri, luajtës së politikës së huaj në Shqipëri, si kundërshtarë të reformave të shtetit të asaj kohe etj. Tuk Jakova më datë 20 dhjetor 1946 në Gazetën “Bashkimi” shkruan se kleri ka luajtur një rol shumë të madh armiqësor duke qenë e lidhur ngushtë me regjimin feudal të Zogut, dhe “kanë qenë vazhdimisht bashkëpunëtorë të ngushtë të okupatorëve dhe pushtuesve që kanë skllavnuen e shtypun popullin. Kanë qenë agjenta spiritualë të Italisë fashiste, kanë qenë agjentat më aktivë të Italisë fashiste që kanë punuem me të gjitha mjetet dhe mënyrat për përgatitjen e 7 prillit”. Akuza e Jakovës ndaj Klerit ishte se këto armë do furnizonin bandat kriminale në ndoj moment dobësie të pushtetit dhe qëllim kishin përmbysjen e pushetit. “Këta elementë reaksionarë të klerit katolik janë kundërshtarë të indipendencës së Shqipërisë, kundërshtarë të rrugës që po ecën populli ynë, lumturisë së popullit, ata gëzojnë kur populli vuan dhe qeshin kur populli qan”. Gazeta “Bashkimi” shprehet hapur kundër Vatikanit duke e lidhur këtë shtet dhe autoritet fetar me Nazizmin gjerman dhe Fashizmin italian. “E tillë është përmbajtja esenciale e politikës së pandryshueshme të kishës: autoritet, hierarki, pabarazi. Kjo politikë është reaksionare në parim dhe në natyrën e saj”. Në gazetën “Arësimi Popullor” e vitit 1950 thuhet se Kisha Katolike e drejtuar nga Papa i Romës është shquar gjithmonë si vatër e obskurantizmit dhe reaksionit. Sipas këtij shkrimi Vatikani përgjatë ndërrimit të pushteteve ka arritur përmes përshtatjeve artificiale të tij që të ruajë integritetin e vet reaksionar përgjatë historisë. “Papati në kohën e mesme shprehte interesat e feudalizmit, tani po mbron interesat e kapitalit monopolist. Papati pas luftës së dytë botërore fuqizon lidhjet me qendrën e sotshme të reaksionit botëror dhe kapitalit monopolist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kur diktatura tentonte të ndërtonte njeriun e ri me ide Marksiste-Leniniste dhe në ndërtimin e socializmit të ri, Vatikani dhe katolicizmi shiheshin si problem dhe për këtë duheshin çrrënjosur me çdo kusht. Pra tentohej dhe synohej që zemrën, shpirtin dhe vetëdijen e ndërgjegjen e njeriut ta zëjë komunizmi si fe, dhe jo feja në vetvete. Në këtë shkrim aludohet dhe propagandohet më të madhe se qarkulli i enciklikave nga Papati i ngjan urdhërave ushtarakë, çka reaksioni i Vatikanit në shoqëri sipas shkrimit bëhet më agresiv dhe del detyra që të luftohet sa më shpejt dhe sa më shumë, me çdo kusht dhe në çdo kohë e mënyrë. “Vatikani është ndihmës i imperialistëve. Imperialistët kanë nevojë jo vetëm për mitraloza që të shtypin popujt që janë nën sundimin e tyre por edhe për një influencë të përshtatshme ideologjike mbi ta, influencë të përforcuar me autoritetin e besimit dhe të kishës” çka për Kishën Katolike por edhe krejt klerin do të ishte shumë e vështirë mbijetesa në Shqipëri. Propaganda po bëhej gjithnjë e më e fortë dhe më e ashpër. Klima po bëhej gjithnjë e më mbytëse në këtë periudhë. Frika më e madhe që komunizmi i kohës kishte ishte se kush do të nënshtronte më shumë popullin, kisha apo shteti. Duke qenë se kisha dhe katolicizmi apo besimet fetare në përgjithësi lançojnë përvujtërinë, ndërgjegjen e pastër dhe nënshtrimin, atëherë kisha, kleri, besimet fetare duhej të eleminoheshin dhe vetëm në këtë mënyrë komunizmi do të depërtonte dhe do të kontrollonte masat e gjera të popullsisë. Regjimi totalitar në Shqipëri bëri që të kishim ateizmin si ideologji shtetërore dhe praktikimi dhe ekzistenca e institucioneve fetare ndalohej me ligj. Totalitarizmi shqiptar kishte nën zotërim gjithçka ndodhte në këtë vend. Vërehej “roli udhëheqës i Partisë së Punës në të gjithë jetën e vendit, politizimi i pushtetit Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor, parimi i unitetit të pushtetit, planifikimi i përgjithshëm i administrimit të punëve shtetërore, ideologjizimi i plotë i krejt shoqërisë etj”. Lufta e pushtetit monist kundër fesë u shoqërua me “aksione dhe nisma të nxitura dhe të organizuara qeveritare çuan në mbylljen e të gjitha kishave , xhamive, vendeve të shenjta , si dhe më pas dënimin dhe arrestimin e kuadrove fetarë e drejtuesve të tre komuniteteve. Institucionet fetare u shndërruan në objekte kulturore, salla për lojëra sporti, apo për magazina prodhimi, kurse objektet e kultit dhe pasuria e tyre e ruajtur dhe pasuar brez pas brezi, u shkatërrua totalisht”. Propaganda kishte arritur kulmin. Masat ishin karikuar mirë ideologjikisht për shpërthimin e disa muajve më pas për të arritur në pranverën apokaliptike të vitit 1967. Shqipëria shpallet vend pa zot.
Përfundime
Propaganda antifetare e Partisë Komuniste që në fillesat e ndërtimit të shtetit komunist në Shqipëri anatemoi klerin si e keqja e popullit shqiptar, si bashkëpunëtore me pushtuesit nazi-fashistë, si sabotatorët e ndërtimit të shtetit komunist në Shqipëri, shkatërrues të rendit të ri, luajtës të politikës së huaj në Shqipëri, si kundërshtarë të reformave të shtetit të asaj kohe etj. Propaganda antifetare dha një ndihmesë të jashtëzakonshme për të mos thënë ishte mjeti kryesor që përgatiti opinionin publik dhe legjitimoi sulmin, propagandimin dhe asgjësimin institucional dhe fizik te fesë në Shqipërinë komuniste. Me anë të propagandës antifetare në shtypin e shkruar, pushteti komunist përgatiti njeriun e ri komunist antifetar. Ideologjia fetare zëvendësohet me ideologji komuniste. Propaganda dhe ideologjia totalitare në shtypin e shkruar komunist përdorën forma dhe mjete të funksionimit, shpërndarjes dhe “ungjillizimit” të besimeve fetare e kulturave popullore me qëllim rrënjosjen e thellë të idealeve dhe direktivave komuniste. Vit pas viti propaganda vjen e bëhet më e fortë dhe shtypëse ndaj klerit sidomos ndaj klerit katolik të cilit pushteti ia kishte më shumë frikën për ndikim në shoqëri. Propaganda antifetare e zhvilluar në Shqipërinë komuniste shërbeu për të përgatitur një brez të tërë të rinjsh antifetar të cilët në vitin 1967 do të ndërmerrnin një superaksion kombëtar që çoi në prishjen dhe shkatërrimin fizik dhe institucional të klerit dhe institucioneve fetare në Shqipëri.
Bibliografia Fuga, Artan, “Monolog”, “Dudaj”, Tiranë 2010. Krasniqi, Afrim, “Sistemet politike në Shqipëri 1912-2008”, “UFO University Press”, Tiranë 2009. Gjilas, Milovan, “Fytyra e Totalitarizmit”, “Fan Noli” Tiranë 2006. Fischer, Bern J. “Enver Hoxha dhe diktatura staliniste në Shqipëri”, “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare” Tiranë 2010. Fuga, Artan, “Shtigje drejt guvës së gjarprit”, “Ora”, Tiranë 2004 . Gazeta “Arësimi Popullor” 1945-1966 Gazeta “Bashkimi” 1945-1966 Gazeta “Koha e Re” 1945-1966 Gazeta “Zëri i Popullit” 1945-1966 Revista “Miqësija” 1945-1966 Revista “Rruga e Partisë” 1945-1966 Revista “Vatra e Kulturës” 1945-1966 Raport, “Komiteti qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë” ,”Çështje të agjitacionit dhe propagandës. Detyrat e organizatës bazë për punën ideo-politike dhe mbi ndihmën për propagandistët”, Tiranë 1949.