Si asnjëherë tjetër, artistët të përfshirë në politikë. “Panorama”, nje speciale per VIP-at qe deklaruan voten. Më shumë se kurrë ndonjëherë, artistët dhe njerëzit e njohur të ekranit dje, më 23 qershor, kanë folur me gjuhën e numrave, në krah të të cilëve kanë vënë një kryq, që shumë prej tyre e kanë konsideruar të shenjtë.
Artistët janë shumë, dhe nëse do të flisnim me gjuhën e politikës, 1 artist-1 votë, vërtet do të përfitohej elektorat i konsiderueshëm për të gjitha kahet politike. Zakonisht zgjedhin të mos përlyhen, por krahasuar me ata që votën e tyre, për një arsye apo një tjetër, e kanë deklaruar, shumë preferojnë ta mbajnë të fshehtë. Kemi pyetur disa personazhe të njohur se si e kanë kaluar ditën dje, disa prej tyre e konsideruan një ditë si gjithë të tjerat, e shumë prej tyre vendimtare për të ardhmen e tyre
Moderatori i “Top Show”, Alban Dudushi, ka pohuar për gazetën “Panorama” se: “Patjetër që votova, dhe jam duke pritur i qetë konfirmimin e votës sime”. Ndërsa Agron Llakaj, moderator i “Al Pazar”, u shpreh: “Unë votoj gjithmonë, sepse votën e quaj institucion të shenjtë. Sot ishte dita e votimit dhe impenjimet e tjera janë të papërfillshme përpara këtij akti. Kështu që lashë gjithçka sot e votova për Shqipërinë europiane, edhe për Rilindje edhe për Përpara, ose më saktë kam votuar me logjikën e asaj që transmetoj çdo të shtunë në “Al Pazar” në “Vizion Plus”, tha ai. Natyrisht që nuk e ka neglizhuar këtë ditë sot moderatori i “Portokallisë”, Salsano Rrapi, i cili ka pohuar se ka lënë çdo angazhim tjetër për të votuar. Gjithashtu regjisori dhe drejtuesi i “Pop Channel”, Ardit Roshi, pohoi: “Sigurisht që votova! Është detyrë qytetare për të gjithë, të njohur ose jo”. Është shprehur pothuaj kështu edhe Marina Vjollca, drejtuese “Procesit Sportiv”. Ndërsa drejtuesja e “X Factor”, Alketa Vejsiu, në profilin e saj në Facebook ka dhënë mesazhin e saj: Sot nuk është ditë për plazh, është ditë historike për të votuar, për fatin e një kombi të tërë. Elvis Pupa, i cili jeton në SHBA, u kërkoi të votonin fansave në Shqipëri: “Nxitoni të votoni. Vetëm një votim masiv i nxjerr të pavlefshme manipulimet!”. Dhe mes artistëve të elitës është shprehur edhe Olen Cesari, virtuoz i violinës, i cili ka udhëtuar nga Italia për të hedhur votën e tij në qytetin e lindjes, Durrës.
VIP-AT: DJATHTAS, MAJTAS, NË MES
Shkëndije Mujaj është artistja kosovare, e cila për herë të parë ka preferuar të mbulojë linjat e saj seksi me kartonin ku shkruhet nr.44, duke shprehur bindjet e saj të djathta, si një simpatizante e flaktë e kreut të PDsë, Sali Berisha. Gjithashtu Dr. Flori ka bërë thirrje për të votuar nr.44, ndërkohë që në këtë fushatë bëri përshtypje si artisti që dikur kishte kënduar me kreun e PS-së, Edi Rama, në këto zgjedhje bëri një këngë kundër tij, si zemërthyer. Për PD-në ka votuar edhe Arkimed Lushaj, “Stresi”, i cili është shprehur optimist për rezultatin, duke thënë se: “vjen era fitore”. Për herë të parë bën publike bindjet e tij artisti i muzikës rap, Noizy, i cili u kthye dje nga një koncert në Gjermani: “Interesat e mia dhe të familjes më shumë përkojnë me PD-në”, është shprehur ai për gazetën “Panorama” dje në ditën e votimeve. Këtyre emrave do të mund t’u shtonim ata të të deklaruarve të PD-së, mes të cilëve: Rosela Gjylbegu, Greta Koçi, Çiljeta, Ermal Mamaqi, Soni Malaj, Elvana Gjata, Vedat Ademi, Eni Koçi, Renis Gjoka etj.
ARTISTËT QË VOTUAN PËR KOALICIONIN E MAJTË
Alban Skënderaj dhe Miriam Cani këtë fushatë zgjedhore janë fotografuar pranë politikanëve të majtë, duke i shoqëruar në fushatat e tyre në rrethe. Këngëtarja Rezarta Shkurta është një tjetër artiste që e deklaron votën e saj, duke pohuar se ka votuar për PS-në. Të tjerë personazhe të njohura janë Inida Gjata, Zhaku, e cila gjithmonë u është drejtuar fansave në FB me fjalët: “Votoni! Këtë herë është shansi i Edi Ramës dhe i duhet dhënë mundësia!” Ndërsa dy këngëtarët Klevis Bega (Kastro Zizo) dhe Klajdi Musabelliu, si të deklaruar në bindjet e tyre për LSI-në, kanë bërë tifo politike duke shpresuar për fitoren e Koalicionit të majtë.
Klotilda Harka/ PANORAMA
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου