Habib Muho: Në '56-ën shkova në shërbimin sekret të kufirit me Greqinë |
Nga: FATOS VELIU |
Dritëhija
jonë do përqendrohet në atë që ndodhte në kufirin e shtetit komunist.
Shumë thashethemnaja, shumë episode, shumë legjenda kanë ardhur deri sot
në lidhje me atë që ndodhte në kufirin shqiptar të asaj periudhe. Dihet
që kufiri i shtetit komunist ka qenë i ndërthurur me tela, por ndërkohë
ka qenë edhe i super i siguruar nga një masë e madhe njerëzish dhe nga një pafundësi repartesh, të cilët kishin një gatishmëri të jashtëzakonshme për t'iu përgjigjur me forcë propagandës së kuqe për t'u ruajtur nga armiqtë e jashtëm, gjë që mbante të mobilizuara fuqishëm jo vetëm forcat e armatosura, por edhe mbarë popullin, të cilët ishin përkushtuar për ta ruajtur vërtetë këtë kufi, me besimin absolut se duke mbrojtur kufirin me një vigjilencë të atillë, mbronin shtetin e tyre dhe fitoret e arritura, siç cilësohej në zhargonin politik. Mirëpo çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Më së shumti ai kufi ka shërbyer për ta mbrojtur që të mos dilnin shtetasit tanë jashtë territorit shqiptar për në vendet e cilësuara borgjezo-revizioniste, për të mos intriguar politikën komuniste që ndodhte në vend. Pra, me sa shikojmë, ajo mbrojtje kufitare e shndërruar në barrierë të fuqishme dhe të pakalueshme, ka shërbyer jo më shumë se për të pritur armiqtë e jashtëm apo koalicionet e armiqve, siç propagandohej, se sa për të ndaluar elementët e brendshëm të pakënaqur apo njerëzit e guximshëm që u kishte humbur durimi brenda shtetit të tyre. Pra, si përfundim i kësaj rezymeje është se kufiri shqiptar i shtetit komunist më së shumti ka shërbyer për të izoluar shtetin dhe popullin e vet. Për të vijuar më tej se çfarë ka ndodhur le të marrim një segment, pikërisht kufirin e jugut të Shqipërisë, që është kufiri shqiptaro-grek. Pikërisht për këtë çështje, në intervistën tonë të sotme kemi një nga ish-ushtarakët e viteve të para pas çlirimit, që ka shërbyer pikërisht në piramidat e kufirit shtetëror të zonës së Konispolit, të quajtur Habib Muho. Habib Muho ka një histori shumë të gjatë në detyrën e tij si rreshter patrulle në ruajtjen e atij kufiri, gjë që na mundëson episode të panumërta, madje edhe ngjarje rrënqethëse që hedhin dritë mbi disa fakte të vërteta, ndoshta edhe të panjohura për shumë e shumë grupe shoqërore të periudhës së sotme dhe sidomos të brezit të ri. Zoti Muho do të zbardhë enigma të pyetjeve të tilla si: - Cila ishte siguria e kufirit shqiptar në periudhën e viteve '60? - Funksionimi i piramidave dhe mënyra e ruajtjes së tyre. - Patrullat e lëvizshme, që ishin organizuar përgjatë vijës kufitare dhe incidentet që mund të krijonte kontakti me njerëzit e përtej gardhit me tela. - Çfarë ndodhte në në shtigjet e kalimit kufitar, kur Sigurimi sekret merrte informacion për planet e kalimit të shtetasve për matanë territorit shqiptar? - Çfarë ndodhte me personat që kapeshin në vijën e kufirit, të cilët ligji i kohës i cilësonte tradhtarë të atdheut dhe popullit të tyre? - Kur urdhërohej sharrimi me breshëri automatike i njerëzve që guxonin të merrnin drejtimin e në zonën e tmerrit? - E vërteta e veprimit mbi personat që ishte mësuar për vendimet e tyre të fshehta se po përgatiteshin për kapërcimin e kufirit të shenjtë. - Çfarë ka ndodhur me kufitarët e pandërgjegjshëm, të cilët kërkonin vrasje për të marrë shpërblimet dhe gradimet në detyrë? - Historia e panjohur mbi përçudnimin e karaktereve të një rasti të kufitarëve kolegë të Habib Muhos, në shpërblim të lejeve për të shkuar në familjet e tyre, etj. Përshëndetje Zoti Muho! Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën që më keni bërë! Para se të shkojmë në subjektin interesant të kësaj interviste do të doja të shuanim paksa kuriozitetin duke ju kërkuar të më përshkruanit situatën që keni përjetuar atë gusht të '56-ës, kur nga Dega Ushtarake e Delvinës jeni mobilizuar për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak pikërisht në kufirin shtetëror me Greqinë? Nuk do të dëshiroja pyetje tjetër në këtë moment të fillimit të kësaj interviste që më keni kërkuar, pasi me të vërtetë dua t'ju përcjell sadopak atë situatë që është krijuar në qenien time djaloshare, kur sa kisha mbushur të 18 vitet. Ishte 22 gushti i vitit 1956, kur u thërrita për të bërë ushtrinë pikërisht në zonën e kufirit jugor të Shqipërisë. Çfarë ishte ajo situatë? Jua theksoj se jemi në vitin 1956, kur kishte pak vite që Shqipëria kishte kaluar provokacionet e përgjakshme dhe të zhurmshme të '49-s nga ana e fqinjëve grekë. Ato histori vinin te ne fëmijët në formë legjendash dhe kufiri ishte mitizuar në atë mënyrë saqë na dukej e pabesueshme se do të vinte një ditë që ta preknim apo të shkonim drejtpërsëdrejti pranë tij. Si mund ta kuptoj këtë? Këtë ta kuptoni që në atë kohë ishte militarizuar jo vetëm vija kufitare, por e gjithë zona rreth tij. Unë mund t'ju kujtoj këtu faktin se në atë kohë, nëse do të të duhej të shkoje në fshatrat kufitarë, madje si në Ksamil, Butrint, Vrinë, Konispol, Shkallë, Janjar etj., që s'dua t'i përmend të gjitha, nuk mund të shkoje pa marrë leje me shkrim nga organet e Degës së Brendshme të rrethit të Sarandës. Kjo ishte edhe nëse kishe një dasmë për shembull, tek një afërm që mund të kishe në ato zona. Të gjithë miqtë që do shkonin për bujtur në dasmë, duhet të paraqiteshin në Degën e Brendshme të Sarandës dhe të dorëzonin pasaportat ku duhej të pajiseshin me leje, për shembull për në Ksamil, ku do të tregoje arsyen e vajtjes, e cila sigurisht verifikohej. Pra, ishte e pakalueshme të shkoje qoftë edhe si mik në fshatrat dhe qytezat afër kufirit dhe jo më të mendoje të shkoje deri në kufi. Mos jeni duke e vulgarizuar disi zoti Muho? Juve ashtu mund t'ju tingëllojë, por mitizimi i kufirit në atë kohë që po të flas unë, ka qenë i shkallës së pakonceptueshme për logjikën e sotme, aq sa ngjarjet dhe hamendësimet për ato që mund të ndodhnin aty tregoheshin gojë më gojë si legjenda. Pastaj unë do të ndalesha edhe te një element tjetër, që kishte të bënte me atë mitizim në mendjen e njerëzve, por kryesisht tek ne adoleshentët, që ka të bëjë me kapjet dhe ekzekutimet që ndodhnin ndaj njerëzve që guxonin ta kalonin atë. Çfarë ishin këto detaje? Ishin të njohura episodet dhe historitë që tregoheshin nën zë dhe që qarkullonin gojë më gojë, duke thënë që "kapën djalin e filanit apo të fistekut" si dhe rastet e thënieve tip lajmesh të natyrave të tilla si: "sonte natën në kufi ka pasur vrasje. U vranë dy fierakë apo dy shkodranë në kufi" etj., etj. Këtu ju siguroj se nuk jam duke vulgarizuar aspak, asnjë fije të këtyre episodeve që jam duke shtjelluar me qëllimin për t'ju treguar për figurën e kufirit në trurin tonë. Episodet dhe detajet që ju përshkrova kishin ngulitur në mendjen tonë si djelmosha adoleshentë në rritje, se në kufi ishte zona më e hekurt dhe e sigurtë e shtetit dhe se aty bëhej nami dhe çudia. Aty bëhej masakra dhe aty formohej trimëria. Aty tregohej forca dhe aty demonstrohej patriotizmi. Unë nuk do të harroja t'ju kujtoja këtu se veç këtyre që përmenda, në qeniet tona të njoma nuk mund të kalonin pa lënë mbresa rastet kur të vrarët apo të kapurit në kufi, i demonstronin para publikut duke i sharë dhe fyer, madje duke i tërhequr edhe zvarrë. Zvarrë? Po, po, zvarrë duke i lidhur me tel mbrapa "Gazit" të Degës, siç i thonin atëherë makinës së frikshme të Sigurimit që ishte një xhip sovjetik. Edhe kufomat? Po, kufomat ishin kryesisht ato që demonstronin. Ka pasur kufoma që i kishin demonstruar para publikut për të ngjallur terror në popull. "Ja tradhtarët" - thuhej për ta, duke treguar me gisht ndërkohë që i etiketonin me epitetet më fyese. Xhipi ecte duke e hequr zvarrë nga mbrapa. Ndërsa njerëzit e kapur të gjallë i merrnin me duar të lidhura duke i kaluar në mes të qytetit për t'i çuar drejt qelive të llahtarshme të Degës. Ishin situata me të vërtetë dramatike, që pas tyre mbuloheshin me këngët shkollore, që ne i bënim në programet edukative jo vetëm në klasat e larta, por që në fillore, për të mos thënë që në kopsht. Për shembull? Më vjen e freskët kënga e shumënjohur e fëmijërisë sime të asaj kohe, e cila thoshte: Tani jam i vogël, por do shkoj ushtar, si fajkua zemër trimi, roja mbron kufirin. Është e shtrenjtë, toka e jonë, kot armik, përgjon, se një popull, burra e gra, te ne vigjëlon. Pra, thatë se të gjitha këto që po ndodhnin gjatë kohës deri sa ju arritët moshën madhore për ushtar, kishin mitizuar sektorin e kufirit të shtetit? Jo ishte mitizuar, por e kishin bërë legjendë saqë na dukej e pabesueshme se mund të të jepej mundësia të shikoje kufirin ku kishte mundësi të hidhje sytë tej në tokën e shtetit fqinj. Pastaj nuk duhet harruar se gjithë ai mitizim kërkonte edhe njerëz të besuar të shkonin në kufi, gjë që të jepte arsye të ndiheshe krenar duke e konsideruar një privilegj. Kjo ishte ajo situatë që unë përjetova para se të merrja thirrjen për mobilizim. Ndërsa, kur mora thirrjen, e mendova veten më të burrëruar, madje shumë të privilegjuar që më kishin besuar kufirin. Fluturonim nga euforia në atë moshë edhe prej trysnisë së propagandës së shfrenuar që bëhej, siç ta përmenda dhe më lartë. Kështu që sa më thanë që do të shkoja në kufi, fillova të ecja disi me tangërllëk dhe të bëja të rëndësishmin se unë tani isha person që do të isha në brendësi të shumë sekreteve shtetërore. Mendoja gjithashtu se do isha nga njerëzit që kisha në dorë mbrojtjen e atdheut, aq më shumë që mendoja çudinë se do të isha person që do të hyja në zonat kufitare pa shumë kontrolle, por mjafton të deklaroja në pikat e kontrollit se isha ushtar i asaj apo kësaj poste kufitare dhe kaq. Pra, do të isha njeri i rëndësishëm. Interesant për sa më tregon dhe mënyrën si ma përshkruan zoti Muho. Besoj se biseda jonë do mundësojë për të hedhur dritë në një moment disi të errët të funksionimit të shtetit të djeshëm, për të kuptuar më shumë jo thjesht atë që prezantohej, por atë që ndodhte pikërisht në vijën e kufirit, e cila shumë herë propagandohej si vendi i gatishmërisë dhe vigjilencës maksimale, ku mbështetej krenaria e shtetit të djeshëm militar nën parullën "gjithë populli ushtar". Por përse shërbente më shumë ajo vigjilencë dhe gatishmëri në atë vijë kufiri? Për të vijuar në këtë çështje për të cilën është i interesuar së tepërmi mbarë opinioni i gjerë për vetë legjendat që qarkullojnë historikisht dhe ngjarjet e çuditshme që vërtet kanë ndodhur në kufirin e atyre viteve zoti Muho, fillimisht do të doja t'ju pyesja për origjinën dhe CV-në tuaj. Pra, cila është fëmijëria juaj zoti Muho? Për sa folët në rezymenë hyrëse të pyetjes që më bëtë, po ju them se është saktësisht ashtu siç e përshkruat juve, se jeta ime kufitare në vitet '55 bëri që të jem dëshmitar i shumë e shumë ngjarjeve dhe historive të çuditshme, të cilat jo vetëm pas viteve '90, por edhe atëherë qarkullonin nëpër njerëz me zë të ulët, si thashetheme në formë legjendash. E them në formë legjendash, se ato histori dhe ato ngjarje aq të çuditshme janë aq të pabesueshme saqë mund të kuptosh se ndodhin vetëm në subjekte përrallash. Kjo është arsyeja që unë sot pranova të jap këtë intervistë të zgjeruar për lexuesit e gazetës suaj. Pra, unë dua t'ju tregoj dhe t'ju vihem në dispozicion për çfarë do të më pyesni dhe të shuaj kureshtjen e njerëzve për aq sa di nga jeta ime si kufitar me detyrat e rreshterit dhe patrulluesit në kufirin më problematik të atyre viteve, siç ishte ai shqiptaro-grek në zonën e Janjarit dhe Konispolit të Sarandës. Do t'ju rrëfej të paktën për situatën që krijohej në kufirin e blinduar me piramida dhe organizimin në to, të shërbimit patrullues, për të mos lënë askënd të mund të prekte atë sipas propagandës politike të kohës, por që në të vërtetë, ai ishte kthyer në kufi për të goditur të pakënaqurit e sistemit që guxonin të ndërmerrnin aventurën më të paprecedentë, duke tentuar arratisjen edhe pse merrnin nga mbrapa njollën e tradhtisë më të madhe ndaj atdheut dhe akoma më shumë, kur familja e tyre do të vuante në internime të pafundme si familje e njollosur kundër pushtetit dhe politikës së partisë. Në dëshmitë e mia që mund të vë në dispozicion të publikut tuaj janë edhe rastet e tmerrshme, kur pas vrasjeve që mund t'u behej elementëve që tentonin arratisjen, ushtarët merrnin dekorata dhe shpërblime për leje pranë familjeve, për të cilat ishim shumë të mallkuar për shkak të gatishmërisë së përhershme që kishin repartet tona. Kjo gjë ka sjellë rastin më të paprecedentë kur ushtarët kanë vrarë fshatarë të futur në kurth të tillë, duke i sjellë në kufi me pretekstin se e kërkonte dikush, ndoshta komandanti i postës ushtarake dhe aty qëllohej nën akuzën "Tentativë arratisje". Kjo vetëm e vetëm që "heronjtë" të mund të merrnin një dekoratë apo edhe vetëm për një leje qoftë dhe të shkurtër pranë familjeve të tyre. Por ka edhe detaje të tjera kaq të çuditshme dhe kriminale. Këto kanë të bëjnë me fakte të tilla që për njerëzit kur Sigurimi i Shtetit merrte informacion të saktë për vendimin e prerë të tyre për arratisje, i merrte në mënyrë sekrete në formë arrestimi apo më shumë në formë pengmarrjeje, si i kishin futur në grackë dhe i zhdukte në mënyrë tepër misterioze, duke i hedhur në hendeqet e lartësive kufitare ku trupat e pajetë mund të përfundonin në rrëpirat e tokës greke që do të thoshte se nuk i gjente kush. Kjo në gjuhën popullore cilësohet kur thonë se "humbi pa nam e pa nishan". Para se të kalojmë më tej zoti Muho, jam i detyruar ta shuaj paksa këtë kuriozitet të këtij momenti që gjithsesi, kur të vijojë subjekti normal gjatë rrëfimit do të ndalemi gjatë. Pra, si e konstatuat juve këtë fakt kaq rrënqethës, kur ishit vetëm një rreshter në postën ushtarake të kufirit? Kështu në një moment rastësia më ka çuar pranë "Gazit" të Degës apo "Gazit 63"-sh të Sigurimit, siç quhej, ku një ekip special ushtarak i ndodhur brenda tij mbante një person të arrestuar në pjesën e prapme të sediljeve që varionte në formën e portobagazhit të mjetit ushtarak. Personi që më shumë se ishte i arrestuar, dukej si i marrë peng, ishte mbuluar me thes leshi apo zhake për të qenë tërësisht i izoluar, por edhe të mos njihej nga kush, si në rastin tim dhe ishte i shtrirë me këmbët të mbledhura që i dridheshin si purtekë, por që nga goja nuk guxonte të nxirrte kurrfarë psherëtime apo rënkimi. Pra, ai njeri që më ka ngelur fiksim tërë jetën nuk pipëtinte, por vetëm dridhej si bagëtitë që i çon te kasapi. (Vijon nesër) (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb |
Κυριακή 6 Ιανουαρίου 2013
Habib Muho: Në '56-ën shkova në shërbimin sekret të kufirit me Greqinë
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου