Τετάρτη 6 Ιουνίου 2012

Të rinjtë e Gjirokastrës restaurojnë me paratë e xhepit memorialin e rilindësve


Pasi kanë bërë disa herë thirrje për të shpëtuar memorialin e rilindësve, të rinjtë e Gjirokastrës i kanë hyrë vetë punës. Siç raporton e përditshmja Shqip, të rinjtë e bashkuar rreth lëvizjes “Djemtë e Gjirokastrës” kanë nxjerrë secili lek nga xhepi për të blerë materialet e nevojshme për restaurim.
Përveç rehabilitimit të pesë varreve ku prehen eshtrat e Çerçiz Topullit, Bajo Topullit, Koto Hoxhit, Pandeli Sotorit dhe Andon Zako Çajupit, këta të rinj kanë pastruar edhe ambientin përreth dhe i kanë rikthyer memorialit shqiponjën dhe një flamur. Simboli i vendosur lart në kullë ishte katandisur në një skelet që nuk kuptohej më se çfarë ishte.
Por të rinjtë mendojnë të mos ndalen me kaq. Ata thonë se kanë ngritur një grup pune me studentë, për të parë shpenzimet që duhen për të restauruar të gjitha monumentet historike në krahinën e Gjirokastrës. Ata thonë se kanë nisur mbledhjen e fondeve për ndërtimin e pesë busteve të 5 rilindësve të harruar, Elmaz Boce, Bajram Ligu, Bajo Topullit, Zeman Mashkullores dhe bashkë me “Djemtë e Përmetit” do ngrenë bustin e Abdyl Frashërit në këtë qytet.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου