Nga: Kastriot Dervishi
http://www.thealbanian.co.uk/
Pas
deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 1956 se SHBA
ishte e gatshme të ndihmonte popullin shqiptar me ushqime, qeveria
komuniste e Tiranës, me rekomandim të Moskës, hoqi në vitin 1957 sa për
sy e faqe sistemin e triskëtimit.
Në
dhjetorin e vitit 1956, burimet zyrtare komuniste në Shqipëri,
njoftonin se gjatë hedhjes së trakteve nëpërmjet avionëve, Komiteti
“Shqipëria e lirë” (që vepronte si një qeveri shqiptare në mërgim), i
bënte të njohur popullit shqiptar se kishte kërkuar nga Departamenti
Amerikan i Shtetit, ndihmë jo vetëm politike, por edhe ushqimore për
popullin e vuajtur shqiptar. Ishte viti 1956, koha kur në Lindjen
komuniste kishin ndodhur ndryshime. Regjimet staliniste kishin ndryshuar
brenda frymës hrushovianiste, stalinizmi kishte marrë goditje të fortë
në Bashkimin Sovjetik. Ndërkaq populli shqiptar vuante prej vitesh një
uri ekstreme të shkaktuar nga represioni i një regjimi thellësisht
antipopullor. Prej vitesh vepronte një sistem triskëtimi që përveç të
tjerash mbante shumë lart nivelin e varfërisë dhe skamjes. Kjo i takonte
asaj që prodhonte një regjim i tillë.
Në vitet e
para të vendosjes së regjimit komunist u ngritën marrëdhëniet e reja
socialiste. Sistemi i grumbullimit u merrte bujqve sasinë e tepërt të
prodhimit dhe u linte atë që konsumohej. Në qytet vepronte sistemi i
marrjes së ushqimeve dhe veshmbathjes me anë të triskëtimit. Fshatarësia
triskëtohej nga shteti edhe për prodhime industriale. Pas prishjes me
Jugosllavinë, në vend u përdor një sistem i ri grumbullimi e i
furnizimit të popullsisë. Në fillim të janarit 1949, sipas një vendimi
të KQ të PPSH-së dhe të qeverisë u vu në përdorim një sistem i ri
grumbullimi, në bazë të të cilit bujku i shiste shtetit një sasi të
caktuar drithi e prodhimesh të tjera, ndërsa tepricat i përdorte vetë.
Në këtë mënyrë kishte filluar planizimi i detyrimeve. Në vend u krijuan
tre lloj tregjesh:
-Tregu i garantuar, i cili
siguronte ushqim e veshmbathje për të gjithë punonjësit në marrëdhënie
pune, të pajisur me triska. “Garantimi” ishte në fakt formal se kurrë
nuk garantohej gjë.
-Tregu reciprok, i cili
furnizonte fshatarësinë prodhuese, nëpërmjet shkëmbimit të tepricave të
prodhimeve bujqësore e blegtorale me prodhimet industriale të
racionuara.
-Tregu i lirë, ku shiteshin artikujt e ndryshëm me çmime të larta.
Me këtë sistem, tregu i zi, zhvillohej natyrshëm, pavarësisht se në kushte klandestine.
Heqja e pjesshme e sistemit të triskëtimit, u bë vetëm më 28 dhjetor 1955.
Përfundimisht
sistemi i triskëtimi u hoq për efekte propagandistike në vitin 1957. Ky
sistem do rikthehej në fundin e regjimit, në vitet ‘80. Ashtu siç e
hapi qeverimin e tij, me triska, ashtu edhe e mbylli. Ndryshimi ishte se
doli fjala “tollona” në vend të fjalës “triska”.
Në fjalimet e drejtuesve
Gjendja
e vështirë ekonomike dhe përdorja e sistemit të triskëtimit, arriti
deri në një pikë që u prodhuan edhe triska false. Në vitet ’50 organet e
policisë zbuluan një grup të vogël për të cilin u tha se shpërndante
triska. Në një treg të vogël si Shqipëria, futja e letrave të tilla
dilte menjëherë.
Në kongresin e 3-të të PPSH-së
kryeministri Mehmet Shehu foli për Planin e Parë 5-vjeçar dhe për atë
pasardhës. Ai theksonte se sistemi i triskëtimit që vazhdonte në vend,
nuk mund të ishte një sistem normal dhe, nëse nuk ishte hequr deri atë
çast, kjo ndodhte, sepse nuk lejonin “mundësitë materiale për ta hequr
këtë sistem”. Në lidhje me Planin e Dytë 5-vjeçar, Shehu tha se vërehej
një mosbarazi në ritmet e rritjes midis industrisë dhe bujqësisë. Kjo e
fundit cilësohej si e prapambetur dhe për këtë, si rrugëzgjidhje,
këshillohej shtim i ritmeve të kolektivizimit.
Dy
vjen më pas, në fushatën për zgjedhjet në Kuvendin Popullor, në fjalimin
përpara zgjedhësve E. Hoxha tha se brenda 14 viteve Shqipëria kishte
bërë ndryshime të mëdha të cilat, sipas tij, ishin realizuar nga uniteti
i çeliktë i popullit me PPSH-së. Pasi përmendte ndihmën e madhe të
BS-së dhe demokracive të tjera popullore, Hoxha theksonte se ishte
rritur niveli i kolektivizimeve në vend dhe numri i kooperativave
bujqësore nga 129, që kishin qenë në vitin 1953, në 1912, ose rreth 70%
të sipërfaqes së përgjithshme të tokës. Udhëheqësi komunist e quante
kolektivizimin të vetmen rrugë të drejtë për bujqësinë shqiptare si e
dhe vlerësonte ndihmën “jashtëzakonisht të madhe”, që kishte dhënë BS
për Shqipërinë, si faljen e kredisë prej 422 milionë rubla, të dhënë
deri më 1955, 31 milionë për zhdukjen e triskëtimit dhe 161 milionë për
bujqësinë e kuadrot. Hoxha mbrojti me të madhe BS-në, qëllimet e të
cilit i quajti “fisnike”, ndërsa përmendi ndihmën e madhe që i jepnin
çështjes arabe sovjetikët, duke përmendur me këtë rast presidentin e
Republikës së Bashkuar Arabe, Gamel Abdel Naser-in.
Çështja
arabe, ka zënë një vend të konsiderueshëm në fjalimin e Hoxhës, ndërsa
nuk janë lënë jashtë vëmendjes, sukseset e Kinës, vendeve të tjera
socialiste dhe “shpëtimtari i lavdishëm Bashkimi Sovjetik”, ndërsa u
qortuan “revizionistët jugosllavë”.
Kryeministri
Mehmet Shehu, në fjalën e tij tha se qeveria e re do të ecte në të
njëjtën rrugë që kishte ecur ajo paraardhësja. Sipas tij, “ajo do të
udhëhiqej nga vija e Partisë së Punës”.
Në
politikën e brendshme përmendej “përmirësimi i vazhdueshëm i gjendjes
materiale dhe kulturale të popullit” ndërsa, në atë të jashtmen,s
“sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të atdheut, sigurimi i paqes,
duke u bazuar në miqësinë e pathyeshme të vendit tonë me Bashkimin
Sovjetik dhe vendet e tjera të kampit socialist”. Kryeministri bëri një
krahasim të përfundimeve të zgjedhjeve kuvendore në vend, duke nxjerrë
se gjatë viteve 1945 – 1958, “janë bërë ndryshime të mëdha kualitative
në përbërjen e klasave” si dhe në raportin e tyre. Sipas tij, volumi i
përgjithshëm industrial ishte 64.2% më i lartë se në vitin 1953 dhe ai
bujqësor 119.2% më shumë. Ai përmendte se tani vendi kishte 2700
traktorë, se ishte hequr sistemi i triskëtimit, ishte rritur volumi i
përgjithshëm i qarkullimit të mallrave, ishte hapur Universiteti i
Tiranës, etj.
“Heqja” e triskave dhe propaganda
Komunistët
kishin refuzuar disa herë ndihmën bujare të SHBA-së. Ky refuzim ishte
bërë qysh me UNRRA-n, planin “Marshall” e më raste të tjera. Si regjim i
lidhur me Bashkimin Sovjetik, ata e kishin të vështirë të pranon se
shteti më i fuqishëm i botës ishte SHBA-ja. Deklarata e Departamentit
Amerikan të Shtetit e vitit 1956 dhe hedhja e trakteve ku thuhej kjo e
vërtetë, e detyroi regjimin e Tiranës të kërkonte ndihmën e Moskës për
të hequr triskëtimin. Heqja e sistemit të triskëtimit më 1957, më së
shumti i dedikohet deklaratës në fundit të vitit 1956.
Amerika dhuron përsëri ushqim popullit shqiptar
Në
28 Nëntor, Ditën e flamurit, në përgjigje të letrë – ftesës që z.Hasan
Dosti, kryetar i KKSHL (Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”), i
drejtoi Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Departamenti Amerikan në
një deklaratë shtypi, njoftoi botërisht:
“Populli
amerikan është thellësisht i interesuar mbi fatin dhe vuajtjet e
popullit shqiptar, pasi Amerika ka luajtur një rol me rëndësi në
rivendosjen e independencës shqiptare pas Luftës së Parë Botërore.
Amerika
beson se regjimi komunist në Shqipëri, mbajtur në këmbë nga sovjetët,
nuk mund të ndryshojë rrugën e historisë. Ndërkaq Amerika, bën ç’është e
mundur për të lehtësuar vuajtjet e popullit shqiptar, prandaj përsërit
dhuratën ushqimore.
Shqiptarë! Vëllezër e motra.
Dhurata ushqimore amerikane me 1 milion dollarë, është gjithnjë në
dispozicionin tuaj. Pritet pranimi.
Përse në të
kaluarën, regjimi i Tiranës, nuk pranoi këtë dhuratë dhe nuk lejoi
organizatën asnjanëse të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ta shpërndante ndër
fëmijët e uritur? Përse Kremlini lejoi Gjermaninë Lindore,
Çekosllovakinë, Hungarinë të pranojnë kësi dhuratash dhe Shqipërinë jo.
Përse qeveritarët e Tiranës nuk lejojnë popullin të përfitojë nga
dhurata, kurse ata vetë, përpiqen të mbledhin dollarë amerikanë? Nëse
hambarët i kanë plot, sikurse pretendojnë, përse nuk zhdukin triskat
ushqimore dhe nuk ulin çmimet?
Popull shqiptar! Ke të drejtë dhe detyrë të kërkosh përgjigjen e këtyre pyetjeve. Të drejtat fitohen, nuk dhurohen.
Asgjë nuk mund t’i qëndrojë presionit dhe veprimtarisë së përbashkët të një populli të vendosur!”.
Trakti i hedhur në emër të Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Rruga e pushtetit të Ramiz Alisë
Mbi
20 vjet më parë, në mesnatën e 17 dhe 18 dhjetorit 1981, në shtëpinë e
kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, ndodhi një diçka e pazakontë
që u quajt nga zyrtarët komunistë si “vetëvrasje e Mehmet Shehut”. Si
pasojë e kësaj mëngjezi i 18 dhjetori 1981, e gjeti Shqipërinë me
kryeministër të vrarë. Dhe në mënyrë të kuptueshme që nga ajo kohë e
deri sot nuk kanë munguar pyetjet dhe enigmat në lidhje me këtë vrasje.
Ç`farë ishte ajo? A ishte vërtet “vetëvrasje”? Pse pikërisht në fund të
vitit 1981, dmth në vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës. Çfarë
ndodhi në të vërtëtë në mbrëmjen e asaj nate në shtëpinë e kryeministrit
Shehu? Si dhe përse u eliminua figura nr 2 e hierarkisë komuniste? A
mund të ishte pa qëllim politik vrasja e Mehmet Shehut. Ç`farë ndodhi
pra me një ndër njerëzit kryesorë të diktaturës komuniste në Shqipëri?
Kush i kontrolloi depozitat financiare të Mehmet Shehut në Perëndim pas
vdekjes së tij.
Pikërisht për këto dhe enigma të
tjera, tentojmë të zbardhim të vërtetën me anë të këtij dossier-i, pa
marrë absolutisht anën e ndonjë personazhi të këtyre ngjarjeve, efektet e
së cilave janë reflektuar thellë skematikisht edhe në politikën e sotme
shqiptare në kahun politik të majtë. Për më tepër vetë ngjitja e Ramiz
Alisë në majën e pushtetit komunist në Shqipëri është një fenomen që
fatkeqësisht kurrë nuk ka pasur analizën dhe vëmendjen e duhur qoftë në
shtyp apo në botime të veçanta.
- KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME
Çështja
e pushtetit komunist në Shqipëri në 50 vitet e fundit është më shumë se
një histori më vete. Ajo i ka fillesat e veta qysh në vitet e Luftës së
Dytë Botërore kur dy jugosllavët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha
formuan më 8 nëntor 1941, shtojcën e agjenturës jugosllave në Shqipëri
të quajtur Partia Komuniste e Shqipërisë. Qysh në këtë kohë ata piketuan
edhe udhëheqësin që do të drejtonte Partinë Komuniste të Shqipërisë e
për rrjedhim edhe shtetin shqiptar në vitet pas mbarimit të luftës.
Në historinë aspak të lavdishme të PPSH-së, ka pasur tre momente projektimi të pushteteve.
Momenti
i parë ka qenë ngritja e Enver Hoxhës në krye të PKSH-së nga
jugosllavët. Momenti i dytë ka qenë përgatija e terrenit dhe ngritja në
pushtet e Ramiz Aliasë nga Enver Hoxha dhe momenti i tretë është ai që
shënon fundin e vitit 1990 dhe fillimin e vitit 1991 kur Ramiz Alia
përgatiti dhe la në pushtet pasardhësin të tij Fatos Nano, të cilit i
dorëzoi çelësat e Partisë e Punës.
Vetë politika e
këtij të fundit ka ecur në ato piketa që pat përcaktuar Enver Hoxha dhe
ka vijuar Ramiz Alia si në partneritetin e fshehtë me jugosllavët ashtu
edhe në doktrinën e “Dy popuj miq” që doli pas vdekjes së Hoxhës.
Historia
që zyrtarizon lidhjet e komunistëve të Shqipërisë siç e thamë edhe më
lart fillon qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Njeriu i
jugosllavëve Enver Hoxha, që gjithsesi është e vështirë të besohet se
nuk ka qenë shërbëtor i bindur i ndonjë agjenture historikisht
antishqiptare, u bë drejtues i PKSH-së në mars të vitit 1943 në
konferencën e Labinotit. Për shkak të kësaj ngritje Hoxha kishte
detyrime ndaj armiqtë shekullorë të shqiptarëve që ishin serbët.
Sa
për kujtesë po kujtojmë nga ajo kohë një ndër direktivat më të
rëndësishme e më të njohura të Enver Hoxhës, atë të datës 3 nëntor
1943, dërguar në emër të KQ të PKSH-së, komiteteve qarkore, ku ndër të
tjera thuhet:
“Duhet të popullarizojmë luftën
nacional-çlirimtare dhe veçanërisht të jugosllavëve dhe grekëve. Duhet
të shtrojmë haptazi dhe pa ndrojtje problemin e vëllazërimit tonë me
popujt jugosllavë dhe grek. Të demaskojmë pa mëshirë reaksionin dhe
shovinizmin që mundohet të na vërë në luftë me fqinjët, ta bindim
popullin se interesi i lartë i atdheut kërkon që të jemi të vëllazëruar
me popujt grek e jugosllavë, t`ia heqim maskën shovinizmit që mundohet
të dalë si mbrojtës i Shqipërisë nga të huajt dhe t`i tregojmë botës se
ne dhe vetëm ne e mbrojmë Shqipërinë nga okupatorët dhe nga
imperializmat e huaja. Duhet ta bindim popullin se lëvizja
nacional-çlirimtare greke dhe jugosllave jo vetëm që nuk cënon
indipendencën tonë, por ndihmon për ta fituar”( shih “PPSH Dokumenta
kryesore”, vëllimi I, faqe221, Tiranë 1971).
Një
model tipik jugosllav ishte edhe Kongresi komunist i Përmetit (24-28 maj
1944) , si kopje e pastër e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it (29 nëntor
1943) të mbajtur në Jajce të Jugosllavisë. Të gjitha organet që dolën
nga “kongresi” i mbajtur në Përmet si KANÇ-i (Komiteti Anifashist
Nacional-Çlirimtar) dhe Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar që ishte
një lloj qeverie, ishin të njejtat gjëra që dolën nga mbledhja e
Jajces. Nuk po zgjatemi në të tjerat por po kujtojmë se në deklaratën e
“kongresit” ju kushtua rëndësi e madhe “vëllazërimit me popujt e
ballkanit” dhe domosdoshmërisë se “krijimit të një federate ballkanike”.
Pas
Luftës së Dytë Botërore pushteti që u ndërtua në Shqipëri u vu
plotësisht në shërbim të jugosllavëve. Kjo u pa edhe në vizitën e
kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi më 23 qershor-2 korrik 1946 dhe
në traktatet që nënshkroi Shqipëria me Jugosllavinë. Veçojmë nga fjala e
Enver Hoxhës në aeroportin e Beogradit:
“...Ju
siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret
për popujt e Jugosllavisë. .......U çelnikos miqësia dhe vëllazërimi do
të jetë i përjetshëm pse prej këtej varet e ardhmja e lumtur e popullit
tonë, pse ky vëllazërim dhe kjo miqësi është e ngushtë është një nga
faktorët më kryesorë të vëllazërimit të Ballkanit dhe është një faktor
për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë....(gazeta “Bashkimi” 25 qershor
1946).
Enver Hoxha në përshëndetjen e tij në Beograd ndër të tjera ka theksuar:
“...Në
të kaluarën populli shqiptar ishte ndarë nga Jugosllavia për shkak të
veprimtarisë së kombinuar të klikave të vendit dhe të jashtme, që kishin
qëllim të përçanin dy popujt vëllezër. Me gjithë këtë populli shqiptar
tregoi gjatë luftës dëshirën e fortë që t`ia presë rrugën kësaj politike
antipopullore. Më në fund populli shqiptar e gjeti rrugën e drejtë dhe
sot ai sheh tek Jugosllavia jo vetëm popullin vëlla e aleat por edhe
mikun e tij, popullin që i ka dhënë një përkrahje të fortë si gjatë
luftës ashtu edhe tani në paqe për ndërtimin e një të ardhme më të
mirë.....”(gazeta “Bashkim” 26 qershor 1946).
Gjatë
vizitës së tij në Jugosllavi Enver Hoxha shkoi kudo përveçse në Kososë.
Ai u takua edhe më udhëheqësin komunist Josip Broz-Tito. Kur u kthye në
Tiranë më 2 korrik 1946 Enver Hoxha do të deklaronte në aeroportin e
Tiranës:
“..Ne, popujt vëllezër të Jugosllavisë i
kemi miq të mëdhenj dhe nga më të sinqertit, dhe këtë miqësi do ta
ruajmë si sytë e ballit, ta forcojmë dita-ditës pse ajo është garancia
shumë e madhe e mbrojtjes së indipendencës dhe sovranitetit të vendit
tonë, është një nga faktorët kryesorë të përparimit të vendit
tonë......Prandaj të vemë të gjitha forcat tona që vëllazërimi mes
popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë të forcohet shumë e shumë për
të ardhmen e popullit tonë....”(gazeta “Bashkim” 3 korrik 1946).
Pjesë
e politikës së gabuar të ndjekur ndaj Jugosllavisë ishin edhe traktatet
skllavëruese të nënshkruara me këtë shtet. Kështu më 9 korrik 1946 u
nënshkrua në Tiranë “Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke”, ku
parashikohej edhe ngritja e ndërmarrjeve të përbashkëta
shqiptaro-jugosllave dhe më 27 nëntor 1946 u nënshkrua në Beograd
“Marrëveshja e Madhe Ekonomike” midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Për
palën shqiptare nënshkroi ministri Nako Spiru dhe për palën jugosllave
nga presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministër i Industrisë Boris
Kidriç. Në bazë të kësaj marrëveshje u hoqën barrierat doganore dhe
tregu shqiptar në një periudhë tre vjeçare u boshatis krejt.
Këto
traktate dhe goditja e elementit nacionalist shqiptar apo i elitës
shqiptare ishin shërbimet më të çmuara që Enver Hoxha mundi t‘i bënte
Jugosllavisë. I përmendëm këto fakte edhe sepse në to gjejmë disa nga
parimet e hapta dhe të fshehta që ndiqte Hoxha në raport me Jugosllavinë
pavarësisht nga deklarimet shpeshherë të hedhura për konsumim popullor
pas së ashtuquajturës “prishje të madhe” të vitit 1948.
Enveri
Hoxha në të vërtetë e mbajti pushtetin e duke ruajtur Shqipërinë si
pjesë të Jugosllavisë. Në këtë pikë atë e favorizonte karta e Jaltës, e
cila ashtu e parashikonte. Për ta zbatuar këtë gjë, pas vitit 1948 nuk u
zgjodh më një lidhje e hapur e miqësisë serbo-shqiptare, sepse kjo nuk
mund të jetonte gjatë dhe nuk favorizohej nga konflikti që nisi mes
Stalinit dhe Titos.
Atëherë si zgjidhje u zgjodh
një linjë diabolike. Shqiptarët furnizoheshin me patriotizëm folklorik
antijugosllav nga njera anë, dhe nga ana tjetër i pritej rruga një
organizimi nacionalist dhe sabotohej kjo lëvizje edhe në Kosovë përmes
orientimit ideologjik marksist-leninist në vend të frymës kombëtare. Në
këtë mënyrë në Kosovë dhe në emigracion vepronin mjaft grupime politike
me orientim komunist si Partia Komuniste Marksiste -Leniniste e
Shqiptarëve në Jugosllavi, Fronti i Kuq Popullor, Lëvizja Popullore e
Kosovës etj. Po ashtu Sigurimi i Shtetit kishte shtrirë ndikimin e tij
tek këto formacione politike dhe tek emigracioni kosovar. Në mjaft raste
Sigurimi ka pasur bashkëpunime me UDB-në dhe ka shitur shumë nga ish
bashkëpunëtorët e tij shqiptarë nga Kosova,të cilët mendonin se i
shërbenin Shqipërisë së përfytyruar prej tyre si shtet solid me
parametra ndërkombëtare. Këtu mund të kujtojmë sërish se në vitin 1945 i
gjithë arkivi sekret i Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të
Brendshme të Shqipërisë, u nis në Beograd ku gjendet edhe sot e kësaj
dite. Jugosllavët pas shtënies në dorë të këtij arkivi, ndër sekretet e
shumta gjetën edhe listën e agjentëve shqiptarë në Jugosllavi, të cilët u
vranë të gjithë.
Lidhur me orientimin
komunisto-lindor të Shqipërisë, ish udhëheqësi komunist Ramiz Alia në
librin e tij “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, në lidhje me
pozicionimin politik të Shqipërisë thotë:
“Orientimi politik i Shqipërisë nga Lindja nuk është një fat që e kemi zgjedhur ne shqiptarët”(faqe 45).
Mirëpo
Alia përveç disfatizmit politik që ai reklamon, nuk thotë asgjë më
tepër se kaq, çka e bën edhe më enigmatike këtë thënie të tij.
Ndërsa Enver Hoxha në librin e tij “Titistët” (Tiranë 1982), në të vërtetat e këtij libri ndër të tjera thotë:
“Më
1946 u krijua Byroja Informative e partive komuniste të Evropës ku
morën pjesë 9 parti duke përfshirë të gjitha partitë e vendeve të
atëhershme socialiste si dhe të partitë komuniste të Francës dhe të
Italisë. Jashtë mbeti vetëm një parti e një vendi socialist të Evropës:
Partia Komuniste e Shqipërisë! Nuk dua të shpreh asnjëfarë pakënaqësie
se pse nuk u përfshi në këtë forum të rëndësishmë edhe partia jonë, por
fakti që mbeti vetëm një parti komuniste e një vendi socialist, të bën
të dyshosh e të mendosh se në këtë mes diçka nuk shkonte. Vinte kjo nga
mosnjohja apo nga keqinformimi i të tjerëve-këtë problem do ta vërtetojë
koha. Bindja jonë është se këtu fshihet dora e agjenturës titiste..”
(faqe 466).
Edhe në vitet e mëpasme, dmth pas
prishjes simbolike të 1948-s (e ndodhur nën efektin sovjetik për shkak
të konfliktit Stalin Tito), Shqipëria nuk doli dot nga kuadrati
jugosllav. Në Jugosllavi eksiztonin dokumeta të shumta që vërtetonin se
si udhëheqësit e Shqipërisë kishin qenë në shërbim të Jugosllavisë.
Nisur nga kjo, jugosllavët nuk e kishin të vështirë t‘i bënin presion
udhëheqjes komuniste të Shqipërisë që të paktën kjo e fundit të mos e
hapte kurrë gojën për Kosovën.
Dhe realisht ky presion ka ndodhur dhe si pasojë e tij kuadrati bashkëpunues jugosllavo-shqiptar nuk u deformua kurrë.
Natyrisht
që të ruhej ky kuadrat bashkëpunues me jugosllavët në vazhdimësi dhe
pas vdekjes së Enver Hoxhës, duhej gjetur ustai që do të vazhdonte
politikën e vetëlavdërimit folklorik dhe të vasalitetit real.
Me të drejtë shkrimtari Ismail Kadare në parathënien e librit “Vjeshta e ankthit” thotë:
“Kur
Enver Hoxha me lehtësinë më të madhe i akuzon bashkëpunëtorët e vet si
agjentë të Jugosllavisë, është ndoshta një nga çastet e rralla kur nuk
gënjen. Në të vërtetë, në një mënyrë a një tjetër, ata ashtu ishin,
agjentë të jugosllavëve (Kominternit). E vetmja pasaktësi e Hoxhës në
këtë rast është se në krye të listës mundon emri i atj vetë”.
Kështu
vazhdoi historia e regjimit kriminal në Shqipëri për vite e vite me
radhë. Mirëpo në fund të jetës së Enver Hoxhës, në kohën kur ky i fundit
kishte dhënë shenja për një gjë të tillë, filloi të dilte në plan
çështja se kush do të ishte pasardhës i tij.
Shumëkush
nga anëtarët e Byrosë Politike në bazë të lojës teatrale të Hoxhës
besonte në vitet e fundit të jetës së këtij të fundit se mund të ishte
trashëgimtar i tij. Si kritere disa përfytyronin vjetërsinë në parti dhe
detyra shtetërore, besnikërinë ndaj partisë, rrethin favorizues
farefisnor dhe parametra të tjera të njohura dhe të panjohura.
KASTRIOT DERVISHI